E Diel, 1 Nëntor 2026

“Zgjerimi nuk ka lënduar vendet e BE-së”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Kryeministri Berisha mori pjesë në panelin kushtuar zgjerimit të Bashkimit Evropian,
gjatë punimeve të Forumit Ekonomik Botëror në Stamboll. Berisha, duke folur për angazhimet që Shqipëria ka marrë në kuadër të përmbushjes së standardeve të BE-së, u shpreh se Qeveria shqiptare ka firmosur me BE-në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe se ajo po ecën në përputhje të plotë me standardet e BE-së. “Zbatimi i këtyre standardeve është në të mirën e qytetareve tanë. Unë vlerësoj si shumë të rëndësishme zbatimin e këtyre vlerave në të mirë të popujve tanë”. Ai e konsideroi anëtarësimin në BE një forcë shtytëse për zhvillimin e të gjithë rajonit të Ballkanit. Në të shkuarën, Ballkani, - u shpreh kryeministri Berisha - ka qenë një zonë me probleme dhe anëtarësimi në BE është një forcë shtytëse për zhvillimin e rajonit. Ky është një proces shumë i dobishëm. Reformat që ne zbatojmë marrin shkak pikërisht nga projekti për anëtarësim në BE. Ne ushqehemi shpirtërisht nga NATO dhe BE. Kjo është ajo që duhet të ndodhë, të frymëzohen shtetet dhe të nxiten drejt rrugës së zhvillimit dhe integrimit. Në këtë proces, theksoi Kryeministri, vështirësi janë të pashmangshme dhe duhet të vlerësohet performanca dhe ritmi me të cilin përparon çdo vend. “Duke e parë nga pikëvështrimi im dhe i vendit tim, çështja e zgjerimit, e parë në aspektin e sistemit financiar dhe atë bankar, është çështje e bankave më të mëdha të vendeve të BE-së. Në këto javë dhe muaj, unë vura re dhe isha i lumtur që liderët evropianë u bashkuan dhe reaguan të gjithë në një pikë të përbashkët. Edhe pse nuk jemi pjesë e BE-së, ne tashmë jemi totalisht pjesë e të gjithë sistemit financiar të BE-së. Në Shqipëri, nuk ka më banka shqiptare, janë të gjitha banka të vendeve të BE dhe një, edhe turke." Berisha e vlerësoi procesin e zgjerimit të BE-së një histori suksesi dhe shprehu kënaqësinë që integrimi në BE mbështetet nga 95 për qind e qytetarëve shqiptarë. “Unë mendoj se zgjerimi është një histori suksesi. Nuk ka evidencë që zgjerimi ka lënduar vendet e BE-së, përkundrazi, e kundërta është e vërteta. 95 për qind e shqiptarëve përkrahin integrimin në BE dhe kjo sjell konfidencë, sjell energji të reja dhe elementë pozitivë në proces. Shqipëria, - u shpreh Kryeministri, - ka vuajtur shumë nga korrupsioni, i cili më parë, ishte kthyer në sistem. Duke i vlerësuar me parametrat e vendeve të BE-së, - u shpreh më tej ai - ne kemi vendosur taksat më të ulëta në Evropë, ndërmorëm një proces të suksesshëm të privatizimeve të mëdha, reduktuam lejet dhe licencat, po vendosim procedurat elektronike në dogana dhe tatime”.
Ky lajm është publikuar: 31/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›