E Diel, 1 Nëntor 2026

Drita jeshile për emigrantët minorenë për t u lidhur pas Anglisë

Autori i Lajmit: red.
Në rastet e atyre emigrantëve që kanë hyrë në Mbretërinë e Bashkuar si minorenë të pashoqëruar, ata me shumë këmbëngulje mund ta argumentojnë se kanë shpenzuar në Angli vitet e tyre më të mira të pjekurisë. Nuk është fare habi, që prezantuesit ligjorë të kësaj grupmoshe/kategorie të mos hezitojnë të komentojnë nëpërmjet prezantimeve të tyre ligjore, se për arsye të kohës së gjatë të qëndrimit në Angli, marrë këto së bashku me moshën e tyre shumë të vogël në kohën e largimit ose arritjes në MB, ky/kjo emigrant/e ka stabilizuar jetën e tij/saj në atë nivel, saqë ka harruar gjuhën mëmë dhe natyrisht ka krijuar lidhje tepër të fuqishme me Britaninë. Vonesat dhe mënyra e padrejtë e Home Office-it për t i shqyrtuar rastet si të barabarta dhe në kohë është vënë re në dukje në shumë raste pothuajse të ngjashme me njëra -tjetrën. Për t u ardhur në ndihmë emigranteve në nevojë këtë po e ilustrojmë me një shembull; “X” dhe “Y” emigrant kanë hyrë në të njëjtën kohë në Angi. Njërit prej tyre i është shqyrtuar lënda në kohë dhe natyrisht i është dhënë e drejta e qëndrimit dhe ai tashmë disponon pasaportën britanike, ndërsa emigrantit tjetër i është shqyrtuar lënda vite më vonë dhe kërkesa e tij është refuzuar, duke u argumentuar se ka ndryshime në rrethanat e tij, pasi frika e persekutimit nuk ekziston më. Duke marrë parasysh se në rastin e dytë dështimi është si rrjedhojë e burokracive të Home Office-it për shqyrtim të lëndës në kohë, ky emigrant me shumë të drejtë mund të kërkojë nga Home Office një rishqyrtim të vendimit, apo të dërgojë në departamentin e emigracionit një kërkesë të re (Fresh Application). Janë të këshilluar shumë emigrantë që kanë hyrë në Mbretërinë e Bashkuar para 2000 dhe që mendojnë se kanë përfunduar të gjitha të drejtat e apeleve me Home Office-in, t u drejtohen prezantuesve të tyre ligjorë dhe të fillojnë nga puna pa vonesa të mëtejshme për hir të interesit të tyre personal.

Parësore të informosh zyrtarisht
Është parësore dhe detyrim numër një i çdo emigranti të paligjshëm që dëshiron të rregullojë qëndrimin e tij në MB të paktën të informojë Home Office-in se edhe pse të gjitha të drejtat e tij të apeleve kanë përfunduar vite më parë, ai/ajo vazhdon të jetë në Mbretërinë e Bashkuar

Një shans tjetër për ata që kanë fëmijë nën 18 vjeç
Për një fëmijë që ka qëndruar në Angli mbi 7 vjet, i jepet leje qëndrimi gjithë familjes

Një shans tjetër tepër i sigurtë është për ata emigrantë që kanë fëmijë nën moshën 18 vjeçare dhe që kanë qëndruar në UK për shtatë vjet apo edhe më pak. Në këto raste është shumë e domosdoshme që në faqet e para të aplikimeve të theksohet: “Application for ILR in the UK under the Seven Years Child Policy” në mënyrë që aplikimi të shkojë në departamentin e duhur dhe të mënjanohen vonesat e mundshme. Edhe pse në ligjet e emigracionit nuk është e shkruar, se ekziston një ligj i tillë, pra, një fëmijë që qëndron në MB për shtatë vjet duhet t i jepet një lejë qëndrimi gjithë familjes që ai bën pjesë, Home Office është shumë zemërgjerë dhe se gjithmonë dhe mbi gjithçka vë interesin e fëmijës. Megjithatë, çdo rast është shumë individual dhe shikohen edhe rrethanat e prindërve apo ndonjë ofensë kriminale dhe masa e seriozitetit të kësaj ofence shkaktuar nga prindërit e fëmijës. Gjithashtu, këshillojmë që në rastet kur njëri nga prindërit ka shkaktuar një ofensë kriminale të regjistruar, në aplikim të mos përfshihet emri i tij pasi në rast të kundërt gjithë familja mund të dështojë. Në shtesë të kësaj të thëne më sipër, duhet të ritheksojmë se përfaqësuesit ligjorë duhet të sigurohen se ofensa e shkaktuar nuk është shpenzuar në mënyrë që të përjashtohet emri i tij/saj nga aplikimi pasi përndryshe krijohet një ndarje familjare shumë e panevojshme, gjë që kushton në kohë dhe materialisht për tu riparuar.

Gabimi
Specialisti Klement Banushi thotë se nuk është e suksesshme të ngresh pretendimet për të qëndruar në Angli duke thënë se ke përfunduar si viktimë e trafikantëve. Eshtë më mirë të tregohet e vërteta…

Parësore të informosh
Mund të ndodhë, që në disa raste Home Office mund t u shkruajë menjëherë pas dërgimit të aplikimit dhe t u kërkojë atyre të paraqiten për një intervistë, gjë që mund të jetë e dyshimtë apo të anulohet nga prezantuesit ligjorë, mund edhe të dërgohen forma të ndryshme për t u plotësuar dhe se në disa raste kërkohet që të bëhen edhe pagesa, por se prezantuesit ligjorë duhet të jenë shumë të kujdesshëm në mënyrën se si ata do të replikojnë. Është më se e domosdoshme që në disa raste, dërgimi i formave me pagesë (SET-O-, SET-M-, FLR-M-), mund të jetë i panevojshëm, përveç rasteve të bashkimeve familjare, pasi mund të çojë në vonesa shumë të mëdha në shqyrtimin e lëndëve apo në devijimin e një pune të mbarë. Në disa raste të tjera, mund të ndodhë që Home Office t u kërkojë këtyre emigrantëve dokumentacion se ku ai/ajo kanë qëndruar gjatë gjithë kohës në MB. Nëse një emigrant i refuzuar merr një letër të tillë, ai është i këshilluar që të mos ta neglizhoje përgjigjen dhe të dërgojë në Home Office dokumentacion të ndryshëm për të vërtetuar se gjatë periudhës që atij i kanë përfunduar të gjitha të drejtat e apeleve e deri në dërgimin e një aplikimi të ri, ai/ajo ka qëndruar në MB

Daily Mail” paralajmëron amnistinë. Kështu imigrantët ilegalë vazhdojnë të mbesin qendra e diskutimeve në Britaninë e Madhe. Këtë herë pas amnistisë së përfolur nga “Strangers into Citizens” vjen një lajm të cilin gazetat britanike e quajtën “amnistia efektive”. Gazeta britanike “Daily Mail” e datës 25 Korrik në faqen e saj të tetë nën titullin “çështjet e prapambetura të azilantëve udhëheqin drejt “amnistisë për mijëra”, thekson se “qindra mijëra azil kërkues që dosjet e tyre kanë humbur ase janë lënë të mbyllura nga Ministria e Brendshme (Home Office) është thënë se do të lejohen të qëndrojnë në Britani”. Sipas kësaj gazete shumë dosje të emigrantëve të kategorisë së lartpërmendur kanë sjell debate të radhës në mesin e politikës britanike. Kështu për këtë ata kanë shprehur opinione të ndryshme. Gazeta në fjalë në artikullin e saj jep edhe opinionet e tyre, që edhe pse duken të ndryshme, prapë se prapë, ata nuk e mohojnë një amnisti për emigrantët e paligjëruar dhe me kohë të gjatë qëndrimi në Britani të Madhe. Një tjetër gazetë “Daily Express” ka shkuar më tutje duke dhënë edhe detaje më të hollësishme rreth kësaj amnistie të mundshme. Pak ditë më parë BBC përmendi shifrën e rreth 39 mijë imigrantëve që kanë përfituar lejet e qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar, një numër ky nga lista e gjatë e kategorisë së lartpërmendur. Në të njëjtën kohë politika britanike ka shfaqur mendimet e veta. Të parët me propozim konkret janë liberal-demokratët.

Plan liberal-demokrat për imigrantët e paligjshëm
Nga liberal-demokratët vjen një propozim liberal-demokrat. Studimi thekson: “imigrantët ilegalë duhet të paguajnë që të qëndrojnë”. Ky është propozimi që vjen nga qendra e liberaldemokratëve britanikë. Ata propozojnë që emigrantët e paligjëruar duhet të paguajnë 5000 stërlina që të kenë shansin e mundshëm të qëndrimit të tyre në këtë vend. Raporti i projektuar prej tyre vjen në një kohë që është folur shumë për një amnisti të mundshme për të paligjëruarit. Raporti thekson, sipas medias britanike se imigrantët e paligjshëm do të duhet të paguajnë si fillim 200 stërlina, që do të shërbejnë për nisjen e regjistrimit dhe pas kësaj pagese atyre do tu duhet të paguajnë një pesëherë pagesë prej 1000 stërlinash. Propozimi i liberaldemokratëve të forumit qendror “Think-Tank” ka përcaktuar edhe rregulla të tjera në këtë propozim.

Banesa, si do të sigurohet
Si fillim, propozimi thekson se atyre duhet tu jepet një banesë permanente. Por dhënia e banesës do të ketë disa kritere. Pra ajo do të përfitohet nëse do të plotësohen kriteret. Ndër kriteret kryesore janë punësimi i tyre, pra të kenë një punë të qëndrueshme me kontratë dhe nëse ata do të jenë në gjendje të flasin gjuhën angleze rrjedhshëm. Nëse këto dy kushte kryesore nuk do të plotësohen atëherë rezidenca e tyre do të vihet në pikëpyetje.

Përse ky plan-propozim?
Sipas propozimit liberaldemokrat mësohet se synimi kryesor është që të realizohet një plan evidentimi i kësaj kategorie imigrantësh. Pra ky plan do të bëjë të lehtë evidentimin e shifrës disamijëshe të imigrantëve ilegalë në Mbretërinë e bashkuar. Sipas liberaldemokratëve propozimi i tyre do të jetë një studim konkret së shpejti. Por ministri i emigracionit, Liam Byrne, ka deklaruar: “Ky propozim është i pakonceptueshëm. Ne kurrë nuk do të mbështesim imigrantët ilegalë me një amnisti”.

Vetëm një “green card”
Nga: Alban Dakli
Rregullat e reja të emigracionit në vështrim të parë duket se do ta bëjnë edhe më të paqartë ëndrrën e mijëra shqiptarëve për të fituar para duke punuar në Britaninë e Madhe, ose në një nga tregjet më konkuruese në botë të fuqisë punëtore. Duke filluar nga vjeshta e ardhshme, qeveria britanike do të fillojë të aplikojë një system të bazuar në pikë, me synimin për të filtruar ata që kanë aftësitë që kërkohen nga punëdhënësit vendas, të flasin anglisht dhe të jenë në gjendje të fitojnë mbi 24 mijë stërlina në vit. Do të jetë ky një test për ata - midis të cilëve edhe ne shqiptarët, që kemi mbetur ende jashtë tregut evropian të punës. Të tjerët, polakë, çekë e kompani e kanë kaluar lumin me vakt.

Fakti
Sipas vetë qeverisë britanike, qëllimi i rregullave të reja është mbrojtja, ose më mire dhënia e një lloj avantazhi punëkërkuesve vendas, të cilët ankohen se të huajt po u rrëmbejnë vendet e punës. E vërteta është se zakonisht punëkërkuesit vendas nuk preferohen nga bashkështetasit e tyre punëdhënës, kryesisht për shkak të kostos së lartë si fuqi punëtore, por edhe për një lloj mentaliteti jo të përshtatshëm kur është fjala për të bërë çdo lloj pune që të del përpara për të siguruar bukën e gojës dhe të ardhmen e fëmijëve. Tashmë nuk është më sekret. “Lindorët”, sipas disa prej shoqërive më të mëdha në vend, janë më të preferuarit e tyre, qofshin këta punëtorë krahu apo shërbimesh të ndryshme, qytetarë evropianë të BE-së apo emigrantë të legalizuar nga vendet e mbetur politikisht jashtë kontinentit të vjetër, siç jemi edhe ne shqiptarët.

Funksionimi i skemës
Nga mënyra se si do të funksionojë, skema e re nuk është ndonjë çudi e madhe. A nuk e kanë zbatuar prej vitesh një gjë të tille edhe Australia, Kanadaja dhe Zelanda e Re? Plot shqiptarë kanë përfituar nga këto skema dhe kanë filluar një jetë të re, duke punuar dhe shpërblyer njësoj si ata që fatmirësisht kanë lindur në shoqëri të zhvilluara ekonomikisht. Ajo që ngelet për të ardhur e punuar në Angli, është ndjekja e procedurave. Dhe sigurisht të paturit durim. Pasojat do të jenë të thjeshta: skafet, maunet, si dhe pasaportat dhe martesat fallco do të mbeten relike të historisë. Për t ia lënë vendin një rruge vërtet dinjitoze drejt tregut evropian: të kërkuarit e punës duke konkurruar me ato cilësi që shqiptarët i kanë jo më pak se evropianët e tjerë: zgjuarsinë natyrale, këmbënguljen dhe aftësitë për t i kapur shpejt gjuhët e Perëndimit.

Skeptikët
Një skeptik do të mendojë se shqiptarët nuk do t i kërkojë kush t i punësojë. Dikush tjetër mund të pyesë: a ka vërtet nevojë për krahë pune të huaj në Angli? Përgjigjja është fare e thjeshtë: punë këtu ka sa të duash. Nuk është për t u çuditur fakti që edhe tani kur qeveria laburiste post-Blair po kalon krizën më të madhe politike, kryeministri britanik Brown e ka përjashtuar mundësinë e vendosjes së një numri limit të punëtorëve të huaj që kërkojnë të vijnë e të punojnë këtu, ashtu siç po kërkojnë prej vitesh konservatorët në opozitë. Të jetë thua Brown kaq naiv sa të përkeqësojë situatën e tij politike. Ai e di fare mire se edhe kur konservatorët do të vijnë në pushtet, do të bëjnë të njëjtë gjë me punëtorët e huaj.

Fronti i punës
Ku mund të punojnë shqiptarët në Angli? Ndërtimi objekteve ku do të zhvillohen lojërat olimpike dhe në përgjithësi kërkesa për ndërtime të reja, ofron punë për muratorë dhe teknikë ndërtimi, marangozë dhe hidraulikë. Por le t i lemë mënjanë për momentin ndërtimin apo restorantin që normalisht tërheqin emigrantët. Mjafton pak vëmendje dhe arrin të shohësh dhe të kuptosh se “invazioni lindor” nuk ka kursyer edhe banka apo sportele të tjera financiare, shkolla apo shoqëri që ofrojnë kurse trajnimi, shoqëri të kujdesit shëndetësor e me radhë. Deri edhe në pozicione drejtuese në këto lloj shoqërish. Do të ishte paradoksale që ne shqiptarët të mbeteshim prapa kësaj rrjedhe. Gara e vërtetë për të fituar kohën së humbur sapo ka filluar. Duhet vetëm një green card.

“Java e Refugjatëve” shkëput barrierat
Nga: Fatmir Terziu
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Gordon Brown, lëshoi një mesazh mbështetës për “Javën e Refugjatëve”. Në këtë mesazh të shpërndarë shoqatave dhe vullnetarëve, shtypit dhe medias, midis të tjerave kryeministri i Britanisë së Madhe shprehet: “Dhembshuria ka qenë një pjesë e hershme e kulturës britanike, dhe Britanikët janë krenarë për historinë e tyre për dhënien e strehës për ata që janë në nevojë dhe për komunitetet e larmishme që refugjatët kanë ndihmuar të ndërtohen”. Nën këtë mesazh u ndërtuan më pas festimet e kësaj jave të shënuar në jetën e emigracionit në mbarë Britaninë e Madhe.

60 evenimente në Jorkshire
Një turne futbolli me përfshirjen e shumë ekipeve nga komuniteti i Lidsit, shënoi fillimin e përvjetorit të dhjetë të “Javës së Refugjatëve” në rajon. Sipas drejtuesve të shoqatave përreth zonës së Jorkshires u ndërmorën mbi 60 evenimente. Festivale, festime, evenimente sportive, ditë gazmore familjare, takime muzikore, shfaqje në rrugë, piknika, ekspozita dhe afishime artistike, shfaqje filmash, teatër, konferenca, debate dhe modë kanë qenë mes disa prej aktiviteteve të planifikuara që u ndërmorën gjatë javës. Gjatë këtyre evenimenteve u krijua mundësia që shumë njerëz britanikë të kontaktojnë azilkërkuesit dhe refugjatët prej komuniteteve të ndryshme. Turi futbollistik që u ndërmor në kolegjin “Tomas Danby” të Roundhait aktivizoi edhe fëmijë dhe të rritur. Këtu kishte edhe disa ekipe shqiptare. Një nga ekipet shqiptare të futbollit u ndesh në finale me ekipin “Luso Action B” dhe pas përfundimit në barazim zero me zero, me gjuajtjen e penalltive e vuri ekipin e shqiptarëve në vendin e dytë. Ndërsa vendin e tretë e ndanë ekipi i Somalezëve dhe “Luso Action A”. Charlotte Cooke, shefja e (North) Refugee Council ka thënë për këto aktivitete: “java e refugjatëve është për të bashkuar njerëzit, për të ndarë barrierat…”.

Deputetja Lyn Brown mes refugjatëve
Deputetja e West Hamit, Lyn Brown, e pranishme në festimet dhe aktivitetet e zhvilluara në “Little Ilford Youth Centre” në Manor Park të Ilfordit, natyrshëm i dha një mesazh më të qartë “Javës së Refugjatëve”. I konceptuar ndryshe dhe me pjesëmarrjen e disa shoqatave, të pranishmit, midis tyre edhe shqiptarë, festuan dhe organizuan aktivitetet sipas planifikimit. Sarjon Aziz Kamara, kryetari i Forumit të Refugjatëve, që në fillim na tregon me kënaqësi për nderimin e veçantë të “Shpresa Programme” në këtë ditë si organizata më e mirë, duke bërë kështu që për të, të jenë dy gëzime në një ditë. Duke qeshur, drejtuesja e “Shpresa Programme”, Luljeta Nuzi, na tregon më pas për ekspozitat në fotografi, projektet dhe angazhimet e ditës, si dhe na njeh me aktivitetin praktik të disa vullnetarëve, sic ishte mjeshtrja Hyrije Mustafa, një vullnetare e kësaj organizate që prej katër vitesh. Një tjetër vullnetare, Suela Bejleri (Metani), shihej në mesin e një grupi fëmijësh, duke qenë një nga aktivistet më të palodhura të takimit. Mësuese Vera dhe koleget e saj kishin misione të tjera. Të tjerët, sipas profesioneve dhe zanateve të fituara gjatë jetës dhe kualifikimeve ishin në një temp pune për të zgjuar dëshirën e punës dhe traditën tek brezat, sidomos tek fëmijët. E gjitha dukej model dhe e konceptuar mjaft bukur. Tre ekspozita me piktura të varura në mure i përkisnin konceptimeve të Florentit, Denadës dhe Nafjolës, që sipas Nuzit, kishin punuar me një piktor gjerman, me të talentuarin e kësaj fushe, Ben Speack. Të tre ekspozitat kishin frymëzime të ndryshme. “Reflektimi i komunitetit”, si një moto në heshtje ishte në tërë hapësirën festuese. Ndërsa vallja dhe muzika shqipe gumëzhinin aty, ku prindër e fëmijë argëtoheshin, ekspozitat “Street Photography”, “Rich and Poor”, si dhe ekspozita e Gresës njëzetvjeçare, “London and Flowers” ishin nën vëzhgimin e papushimtë të të gjithë komuniteteve të pranishme në këto aktivitete. Ajo që më pas shihej si diçka që shtrydhej në detajet dhe frymëzimin fotografik ishte ekspozita e realizuar nga një trembëdhjetëvjeçar, “Our emotions”, që në fakt shtonte edhe emocionet festive në atë godinë, ku nuk mungonte edhe prania e shoqatës “Besa” të drejtuar nga zoti Buzoku. Më tej ekspozita tjetër, “Si e shikojmë Londrën”, edhe pse e realizuar në bardhë e zi, shtonte më shumë mirëkuptimin e mesazhit, që përcillte Nuzi për të pranishmit dhe deputeten Lyn Brown. Ajo theksoi: “ne jemi këtu sot krejt ndryshe nga herët e tjera. Jemi me moton për të promovuar kulturën shqiptare tek të gjithë komunitetet e tjerë”. Festimet dhe aktivitetet e “Newham Refugee Festival” dhe “Albanian Summer Day”, që filluan aty rreth orës 11-të morën fund pasdite rreth orës shtatëmbëdhjetë.

Mançester: “Exodus Live Summer 2008”
“Java e Refugjatëve” përmbylli aktivitetet e saj edhe në Mançester. Me qëllimin për të kuptuar kontributin e refugjatëve u organizuan takime dhe festime nën moton “Exodus Live Summer 2008”. Muzika, vallja, filmat dhe aktivitetet e tjera u ndjenë në të gjithë komunitetet e refugjatëve të kësaj zonë. Muzikantë të botës nga krejt zona e Mançesterit të Madh ishin në mesin e refugjatëve për të festuar një vit aritje dhe shënuar një alternativë për të ecur përpara. Në mesin e këtyre grupeve ishin edhe shoqatat që drejtohen nga shqiptari Osman Caka. Veç aktiviteteve që u dominuan nga të tjerët, u dalluan ndeshjet në shah në mesin e shqiptarëve dhe ato në futboll dhe folklor. Gjithashtu aty u promovuan edhe programet për një periudhë trevjeçare në “Exodus Refugee Arts”. Cilla Baynes, nga “Community Arts North West”, ka qenë midis shumë figurave dhe personaliteteve të kulturës dhe artit që kanë festuar mes refugjatëve.

Oxford: “Dialogu i emigrantit”
Me shfaqjen e pjesës teatrale, por tepër emocionale “Dialogu i Emigrantit” festimet dhe aktivitetet e “Javës së Refugjatëve” në zonën e Oxfordit kanë shënuar mbylljen e aktiviteteve. Gjatë javës refugjatë, azilkërkues dhe të tjerë kanë patur rastin të shohin filmat të ndryshëm dhe të përfshihen në veprime konkrete. Ka qenë një organizim i përbashkët i grupeve humanitare “East Oxford Asylum Welcome” dhe “Student Action on Refugees (Star)”. Jenny Allsopp, nga shoqata studentore “Star”, që operon edhe në zonën e Wandsworthit tha: “ne jemi të gjithë të kënaqur që kontribuam për refugjatët”.

ZERO TOLERANCË
Nga: Fatmir Terziu
Imigrantë, pa leje ligjore në punë, deportim i menjëhershëm”. Ky është vendimi i fundit që vjen nga autoritetet zyrtare të Britanisë së Madhe. Në fakt kështu deklaroi vetë Ministri i Emigracionit, Liam Byrne vetëm pak ditë më parë: “Personat që vijnë këtu dhe thyejnë ligjet tona do të deportohen”. Oficerët e Imigracionit kanë vënë në shënjestër abuzuesit dhe shkelësit e ligjit. Në këtë shënjestër janë më së shumti ata që janë punësuar, duke qenë ilegalë. Kështu sipas informacioneve zyrtare, “Albanian Mail” ka mësuar se ditët e fundit është shtuar ndjekja e të punësuarve në mënyrë joligjore në Mbretërinë e Bashkuar. “Vende të dyshimta punëdhënieje janë vënë nën shënjestrën e oficerëve të imigracionit, të cilët dyshojnë se kanë punësuar imigrantë ilegalë”, - thuhet në këtë njoftim. të që mendohet se janë siguruar nëpërmjet krimit. Për punëdhënësit, gjithashtu është deklaruar se ato do të publikohen online, duke i vënë në listën e atyre që janë të paturpshëm dhe jo të rregullt me ligjet e punësimit.

Sqarimi zyrtar
Për këtë problem gazeta “Albanian Mail” iu drejtua autoriteteve zyrtare të “UK Border Agency”. Zëdhënësi i shtypit i “UK Border Agency” (UKBA-së), Sam Matthews, interesimit tonë iu përgjigj me shkrim. Në informacionin e tij midis të tjerave thuhet se “kjo agjenci nuk ka ndonjë informacion se sa shqiptarë janë kthyer mbrapsht në vendlindje. Analizat sipas nacionaliteteve nuk janë marrë parasysh në hartimin e statistikave”. Sipas zotit Matthews, “gjithashtu, është e pamundur të llogaritet se sa persona shqiptarë punojnë ilegalisht. Dy qeveritë labure kanë pranuar se ne nuk mund të llogarisim numrin e punëtorëve ilegalë, për një arsye të thjeshtë se ato që jetojnë këtu ilegalisht nuk deklarojnë veten tek autoritetet.” Ai shton në sqarimin e tij se “ne nuk tolerojmë punën në të zezë, zero tolerance për abuzuesit. Kjo është arsyeja pse kjo agjenci është duke investuar më shumë para për zbatimin e rregullave”. “UK Border Agency” është duke siguruar ndryshimin më të madh të sigurisë së kufirit në 40 vitet e kaluara. Sipas tij, kjo agjenci lufton imigracionin ilegal, gjithashtu edhe personat dhe organizatat që i ndihmojnë ata. Gjatë periudhës 2007-2008 kjo agjenci ka realizuar 7178 operacione kundër punës ilegale të cilën sollën 5500 arrestime. Gjithashtu janë deportuar afërsisht 49 545 azil kërkues, gati nëntë për qind më shumë se viti i mëparshëm. U dërguan 2030 persekutime të suksesshme të bizneseve dhe kompanive që shkelën këto ligje. Gjatë vitit në vazhdim rreth 5000 operacione mund të konsiderohen të suksesshme, dhe largimi i 4200 kriminelëve mund të quhet një arritje tjetër

Elita në emigrim, i mungon sot Shqipërisë në tranzicion
Nga: Astrit Lulushi

Kur zhvillimet e një vendi shoqërohen me kriza të shpeshta politike, zgjedhore e presidenciale duket se në radhë të parë ai vuan nga mungesa e kapitalit njerëzor, jo thjesht sipas konceptit që Marksi kishte për fuqinë punëtore në kapitalizëm. Vendi vuan nga “tharja e trurit”; ikja e individëve me arsim të lartë, të përgatitur, të specializuar, e të talentuar dhe vendosja e tyre në vende ose juridiksione të tjera, për shkak të konflikteve, mungesës së mundësive, mjedisit të pashëndetshëm, diskriminimit ose arsyeve të tjera. Në këtë ikje, “truri” shoqërohet nga kapitali, që do të thotë se kapitali financiar i atyre që emigrojnë nuk investohet më në vendin që lihet pas. Qeraja, taksat, blerjet e përditshme në treg, shpenzimet që kërkon jetesa, me ikjen e tyre tashmë mungojnë. Të gjitha ato fillojnë të derdhen në arkën e një vendi tjetër. Po ashtu, investimet apo subvencionet e shtetit për arsimimin e tyre humbasin kur individë të përgatitur ikin e nuk kthehen më. Por bashkë me ta ikën edhe kapitali shoqëror, pasi ata nuk janë më pjesë e shoqërisë ku më parë kryenin veprimtari.

Ikja e trurit
Për të theksuar “ikjen e trurit”, ekspertët shpesh marrin si shembull Shqipërinë, i debatueshëm si vendi më i varfër në Evropë, “i cili ka vite që përjeton një ikje truri me pasoja të mundshme shkatërruese”(Timoic). Sipas burimeve, 1/6 e popullsisë së vendit, përfshi 1/3 e inteligjencia, në vitin 2001 punonin jashtë vendit. Megjithëse të ardhurat që ata u dërgojnë familjeve në atdhe shtohen nga viti në vit, mendimi i përgjithshëm është se mungesa e njerëzve të vetëdijshëm e të përgjegjshëm për fuqinë e votës, paraqet një kërcënim serioz për demokracinë dhe procesin zgjedhor. Sot Shqipëria është vendi me numrin më të madh të emigrantëve në Botë, në përpjesëtim me numrin e popullsisë. Vetëm gjatë viteve 1990-2000, nga vendi ikën rreth 40% e intelektualëve përfshi shkencëtarë profesorë, laborantë e të tjerë. Gjithashtu nga ata që ndodhen për studime universitare ose pasuniversitare jashtë vendit si në Itali, Greqi, Gjermani e Kanada, përpllogaritet që vetëm 5% e tyre mendojnë të kthehen në Shqipëri.(V. Harvat, 2004) Sic duket, i vetmi “përfitim” që një vend ka nga ikja e trurit është shtimi i të ardhurave që këta të ikur u dërgojnë familjeve të tyre, një me çmim thuajse falas për një mall me vlera të pafund.

Rrethi i zodiakut
Mund të thuhet se kalimi nga sistemi një partiak në atë shumëpartiak ishte më tepër rezultat i tronditjes sesa përmbysjes së sistemit. Kushtet kur grupi i udhëheqësve i ngjan rrethit të zodiakut, ku emrat vetëm qarkullojnë por nuk ndryshojnë, ndoshta përbëjnë edhe arsyet e pranimit të idesë nga shumë sociologë se kalimi për në demokraci “tranzicioni” është një proces i drejtuar nga elita, ide që tani nuk shikohet më me habi e nuk shqetëson njeri. Nëse mendohet se intelektualët dhe personat me specializim të lartë janë pjesë e një elite qoftë kjo politike, diplomatike, shkencore, kulturore, administrative ose ushtarake, atëherë këta përbëjnë një forcë të vlefshme për drejtimin e ndryshimeve shoqërore në nje vend në tranzicion. (Bozoki) Rrjedhimisht, sa më i madh numri i emigranteve nga radhët e tyre, aq më i vështirë bëhet edhe procesi i tranzicionit dhe duke parë gjendjen aktuale, duket se është kjo pjesë e elitës që ka emigruar, ajo çka i mungon Shqipërisë në tranzicion.

Talentet
Le të supozojmë se njerëzit më të talentuar lenë vendin sepse ata i takojnë një elite intelektuale paralele por të padukshme, te padëshirueshme. Mes tyre janë ata që pengohen e nuk gjejnë përkrahje a kushte për shprehjen e aftësive të tyre. Janë ata që besojnë në meritokraci. Nga ana tjetër, elita aktuale shoqërore e dalë nga procesi i turbullt i tranzicionit, shpesh është njollosur nga korrupsioni, nepotizmi, kronyizmi që krijojnë kushtet për një konkurrencë të pa drejtë, për një kapitalizëm të egër, pa norma e rregulla, me demokraci mes oligarkësh. Duket se kjo lloj elite parapëlqen ikjen e kritikëve të mundshëm sesa t i ketë ata si burim kritikash të brendshme. dhe nëpërmjet ndonjë ligji, madje ndalon edhe kthimin e kritikëve të vet. “Çdo vend ka nevojë për demokraci dhe nëse njerëzit nuk e kuptojnë këtë nevojë, vendi ka probleme”. Me këto fjalë, do të kuptohej më mire ajo që ish disidenti sovjetik Vladimir Bukovski, shpalli ato ditë kur u mendua se mund të paraqesë kandidaturën për zgjedhjet presidenciale ne Rusi. Vëzhguesit thanë atëherë se ka pak shpresa që komisioni rus i zgjedhjeve do të lejojë regjistrimin e tij si kandidat. Bukovski ka 30 vjet që jeton në Londër dhe sipas ligjit rus “një kandidat për president duhet të ketë jetuar brenda vendit 10 vjet rresht”. Kështu ky depërtim ligjor, apo deponim linjor natyrshëm flet qartë për barierat që ngecin mendimin dhe njeriun e talentuar.

Imigrantët ndihmojnë ekonominë

Është kritikuar ashpër në Britani të Madhe. Është quajtur edhe mass immigration , madje edhe dëmprurësi më i madh në këtë vend. Por këtë radhë ( mass immigration ), imigracioni ka ndihmuar shumë ekonominë Britanike në dhjetë vitet e fundit. Ky është raporti më i fundit zyrtar për këtë problem që u publikua në fundjavën e muajit të kaluar. Imigracioni ka ndihmuar të mënjanojë mungesën e forcës punëtore dhe punonjësve të kualifikuar dhe ekonomia ka pasur mundësi të rritet në një qëndrueshmëri konstante. Kjo, mbështetur tek organizatat e punësimit “ think- tank”dhe “Fondacioni i Punës”. Interesat dhe inflacioni gjithashtu janë mbajtur të ulëta si rezultat i ardhjes së njerëzve për të punuar në Britani. Kjo nuk ka kryesuar në ndonjë efekt anësor të nivelit të papunësisë. Raporti sugjeron: “Qeveria ka pasur një periudhë të vështirë me imigracionin, jo sepse ajo ka humbur kontrollin për këtë çështje, por sepse ajo dështoi të tregojë problematikën bazuar në informacionin e lartë kualitativ dhe ekzistues”. Statistikat zyrtare janë të hapërndara, kështu që Qeveria ka gjetur të vështirë të mbrojë, gjithashtu rregulla të mira. Fondacioni i punës bën thirrje për një rregullore të striktë për Rumunët dhe Bullgarët. Këto shtete iu bashkuan Komunitetit Evropian vitin e kaluar, por qytetarët e tyre nuk kanë të drejta të plota të hyjnë në Britani. Kontrasti thellohet me raportin homolog të Dhomës së Lordëve, që thotë se këtu nuk ka ndonjë evidencë që sugjeron se imigracioni ka gjeneruar ndihmë të ndjeshme për ekonominë e vendit. Të dy palët e lartpërmendura kanë bërë thirrje për një nivel të kënaqshëm në çështjen e imigracionit.

Ky lajm është publikuar: 31/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›