E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha - Mirel: Reforma, pavarësisht kostos

Mbledhja e Komitetit ndërministror të integrimit, u zhvillua për herë të parë në praninë e Drejtorit të Përgjithshëm të Ballkanit Perëndimor në Komisionin Evropian, Pierre Mirel. Një fakt që kryeministri Sali Berisha e nënvizoi të rëndësishëm në këtë fazë të zhvillimit të marrëdhënieve me Brukselin zyrtar. Shqyrtimi i kërkesës, tha Berisha është vetëm fillimi i procesit për integrim, hapi i parë është përgjigjja ndaj pyetësorit si verifikim i statusit të funksionimit të demokracisë dhe zbatimit të reformave. Diskutimi i pyetësorit për zyrtarin e lartë europian përbën një fazë të rëndësishme që tregon në një anë se është shënuar arritje dhe po aq fillimin e një procesi të verifikimit në terren të arritjeve.
“Detyra dhe objektivi ynë është që përgatisim një opinion të balancuar dhe objektiv. Si elemente të gjykimit tonë mbi Shqipërinë do të veçoja në radhë të parë zbatimin e marrëveshjes dy palëshe. Ne kemi vënë re se deri tani ka një zbatim të kënaqshëm të saj. Si element i dytë dhe më i rëndësishëm, janë kriteret politike dhe ekonomike si përcaktuese në vendimin për një vend aplikant. Pasi të merren përgjigjet ne do t’i ekzaminojmë, ndoshta do të bëjmë pyetje shtesë, misione ekspertësh do të vijnë në Shqipëri për të verifikuar nëse ky është realiteti në terren. Për sa i përket kohës ne kemi thënë se presim që përgjigjet të na vijnë në tre muaj, por ky është një proces shumë i rëndësishëm dhe në këtë rast cilësia është më e rëndësishme sesa koha. Nuk do të ishte mirë sikur ne të na vinin përgjigje jo të plota.”
Kryeministri Berisha dha garanci të plotë për përgjigje në kohë dhe serioze të palës shqiptare, të cilat të tregojnë siç tha ai funksionimin e plotë të demokracisë në vend. Si dëshmi të kësaj, kryeministri solli në vëmendje edhe një herë provën e kaluar me zgjedhjet parlamentare, të certifikaura dhe nga institucionet ndërkombëtare. Gjatë mbledhjes së Komitetit ndërministror të intergrimit, ministria Bregu bëri një paraqitje në detaje të angazhimit të qeverisë për t’iu përgjigjur pyetësorit. Bregu tha se parapërgatitja është përcaktuese në efiçencën e këtij procesi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›