E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha - Nika Mori: Japonia, projekte të tjera për Shqipërinë

Kryeministri Sali Berisha i shprehu dje mirënjohjen qeverisë japoneze për mbështetjen që ata i kanë dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve me projekte të rëndësishme. Ai veçoi kredinë prej 110 milionë dollarësh për kanalizimet e Tiranës si dhe projektet në shëndetësi, bujqësi, infrastrukturë dhe fusha të tjera. Këtë ia bëri dje të ditur Kryeministri Berisha, delegacionit kulturor japonez të kryesuar nga zonja Nika Mori, që ndodhet në Shqipëri në kuadër të shkëmbimit kulturor mes dy vendeve. “Jam i bindur, - tha Kryeministri Berisha, - se bashkëpunimi i shkëlqyer politik që ekziston ndërmjet dy vendeve do të vijë duke u zgjeruar”. Kryeministri Berisha e njohu delegacionin japonez me përpjekjet e qeverisë shqiptare për ta shndërruar Shqipërinë në vendin me barrën fiskale më të ulët në Evropë dhe për krijimin e një klime sa më të favorshme për biznesin dhe shfrytëzimin sa më të mirë të potencialeve që ajo ka. Gjithashtu, gjatë takimit u vlerësua harmonia dhe toleranca ndërfetare që Shqipëria reflekton duke u shndërruar në këtë mënyrë në një model për të gjithë botën. Ky delegacion është ftuar për këtë vizitë në Shqipëri nga fondacioni “Fëmijët Shqiptarë”. Gjatë ditëve të vizitës së tij në Shqipëri, delegacioni kulturor japonez do të prezantojë traditën, kulturën dhe kostumografinë japoneze në vendin tonë. Duke falënderuar Kryeministrin Berisha për takimin, anëtaret e delegacionit japonez u shprehën të impresionuar nga zhvillimet në Shqipëri dhe vlerësuan shumë pozitivisht modernizimin e vendit. Kryetarja e delegacionit japonez, Nika Mori, tha se shkëmbimi i vizitave mes dy vendeve është shumë i rëndësishëm për njohjen dhe promovimin e kulturave respektive dhe për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›