E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja zyrtarizon “luftë të ftohtë” me LSI-në

“Luftë e ftohtë” është zyrtarizuar mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Dy partitë kryesore të opozitës do ta kenë të vështirë bashkëpunimin mes tyre, në rast se nuk zgjidhen arsyet e përçarjes. Ditën e djeshme kanë dalë në dritë dy arsyet kryesore të ndarjes së partive të majta, që janë mënyra e koalicionit dhe mënyra e votimit nga ana e qytetarëve. Sekretari i marrëdhënieve ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, tha dje PS-ja nuk e mendonte dot faktin e një reagimi me akuza nga ana e LSI-së, kur u ishte premtuar një reflektim në lidhje me bashkëpunimin mes palëve. “Në reagim të kërkesës së tyre, ne u parashtruam disa nga konceptet tona kryesore lidhur me Kodin e ri Zgjedhor, si p.sh. lidhur me koalicionet, administrimi i procesit zgjedhor etj. Na u kërkua dhënia e kohës dhe mundësisë për konsultime në nivel politik e teknik, për të qenë përgjigja e tyre pjesë e takimit tonë të ardhshëm”, - tha Xhafaj. Deklarata e tij u kundërshtua ashpër nga sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, i cili e hodhi të gjithë përgjegjësinë mbi PS-në, duke e akuzuar si një parti që ka propozuar një sistem manipulativ. “Nuk ka dhe nuk do të ketë bashkëpunim për marifete që prodhojnë mashtrime, deformime dhe përçudnime elektorale. LSI-ja do të bashkëpunojë vetëm për realizimin e standardeve evropiane të zgjedhjeve dhe kurrën e kurrës për prishjen dhe asgjësimin e tyre. Koalicionet e përbëra janë thjesht dhe vetëm një shpikje absurde manipulative e atyre që nuk konkurrojnë dot ndershmërisht hapur dhe pastër”, - u shpreh sekretari i përgjithshëm Vasili. Këtë argument Xhafaj e cilësoi si të pabazë. Sipas tij, LSI-së i është propozuar një koalicion i përbërë i cili nënkupton votë direkte për partinë e më pas për koalicionin. Sipas Xhafajt, tërheqja e LSI-së do të thotë se kjo e fundit kërkon të realizojë një Dushk të ri, por që PS-ja nuk do ta lejojë. “E kemi sqaruar se ne mbështetim modelin e koalicionit të përbërë i njohur tashmë si model subjekti elektoral, i aplikueshëm edhe në shumë vende të tjera, ku aplikohet sistemi proporcional. Koalicioni i përbërë është fundi i pazareve paraelektorale dhe vendosja e vullnetit të elektoratit në qendrën e gravitetit zgjedhor. Ne kemi thënë se në vlerësimin tonë me këtë koalicion çdo parti merr vetëm atë që i japin votuesit dhe votuesit janë shumë më përcaktues sesa përpara”, - shtoi Xhafaj. Në krahun tjetër, LSI-ja i ka qëndruar besnike vlerësimit të saj se sistemi prek votën e shqiptarëve. “LSI-ja nuk do të bëhet asnjëherë dhe për asnjë arsye pjesë e marifeteve manipulative me Kodin Zgjedhor. Nuk ka dhe nuk do të ketë bashkëpunim për marifete që prodhojnë mashtrime, deformime dhe përçudnime elektorale”, - tha Vasili. Në deklaratën e tij, deputeti Xhafaj bëri të ditur se grupi parlamentar dhe vetë Partia Socialiste do të jetë të hapura për bashkëpunim, por brenda propozimit përkatës, pra vetëm brenda kuadrit të koalicionit të përbërë. “Partia Socialiste, grupi i saj parlamentar, është aty ku ka qenë dhe do të jetë aty ku është, e hapur për dialog e mirëkuptim me të gjitha forcat e grupimet politike e veçanërisht e gatshme dhe e aftë të dialogojë dhe bashkëpunojë për procesin zgjedhor dhe në këtë kuadër edhe për Kodin e ri Zgjedhor, e bindur se kodi ka qenë dhe do të jetë produkt i konsensusit politik, por jo produkti i pazarit politik të radhës, produkt i interesave e standardeve madhore të vendit dhe kurrsesi produkt i interesave të pjesshme të kujtdoqoftë”, - tha në deklaratën e tij Xhafaj.

Xhafaj: Në fletën e votimit do të votohet për partinë, brenda koalicionit

Fatmir Xhafaj bëri të ditur ditën e djeshme propozimin e PS-së në lidhje me mënyrën e votimit nga ana e qytetarëve në zgjedhjet e përgjithshme. Sipas tij, në fletën e votimit do të shënohen koalicionet dhe brenda tyre do të shënohen partitë pjesëmarrëse në koalicion. Qytetarët do të votojnë për partitë brenda koalicionit. Sipas tij, ky sistem çon votën tek partia që çdo qytetar preferon si dhe konsolidon koalicionin. “Në fletën e votimit është shënuar koalicioni përkatës p.sh. koalicioni A dhe brenda saj janë shënuar të gjitha partitë anëtare të këtij koalicioni me kutitë përkatëse përbri. Zgjedhësi në fletën e votimit vendos shenjën te njëra nga këto, parti anëtare të koalicionit. Duke bërë këtë zgjedhje, ai ka votuar automatikisht për partinë që dëshiron, por edhe për koalicionin pjesë e së cilës është kjo parti. Duke bërë këtë veprim, vota e zgjedhësit është përcaktuar njëherësh për partinë, por edhe për koalicionin. Kjo bën të mundur që të maksimizohet vota e grupimeve politike, në mënyrë që asnjë votë të mos shkojë dëm nga preferencat e votuesit, por nga ana tjetër, bën të mundur që çdo parti të ruajë individualitetin e saj dhe natyrisht pesha e çdo partie brenda një grupimi të caktuar të jetë e vlerësueshme dhe e matshme nga votuesit. Kjo është ajo për të cilën është folur nga ana jonë. Kështu eliminohet një Dushk i ri ligjor në kushtet e sistemit të ri zgjedhor”, - shpjegoi Xhafaj.

Zgjedhjet e 2009-ës, PS: Afati i fundit, 30 qershori

Partia Socialiste ka mohuar faktin e përcaktimit të datës së zgjedhjeve, por ka konfirmuar se afati i fundit i përcaktimit të kësaj date është 30 qershori. Sipas Fatmir Xhafajt, në Kodin Zgjedhor është vendosur paraprakisht se afati për datën e zgjedhjeve, është midis 15 marsit dhe 30 qershorit. “Në mbledhjen e dytë të komisionit të posaçëm parlamentar, ne kemi bërë përcaktimin e periudhave zgjedhore. Në rastin konkret, periudha zgjedhore është mars-qershori, periudha pararendëse, sepse Kuvendit aktual i mbaron mandati më 3 shtator. Pra periudha zgjedhore pararendëse për zgjedhjet e ardhshme është 15 mars - 30 qershor. Data është kompetencë e Presidentit të Republikës. Kjo është e përcaktuar edhe në ndryshimet e reja kushtetuese, si dhe me rregullimin ligjor që kemi kaluar në komisionin parlamentar”, - tha Xhafaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›