E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: PD-në nuk e dëmton rikthimi i të ikurve

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, beson se rikthimi i atyre që u larguan nga PD-ja në kohë të ndryshme, nuk e dëmton këtë parti. Përkundrazi, anëtarja e kryesisë së PD-së ka bindjen e plotë se ribashkimi i jep më shumë forcë partisë në pushtet për një mandat të dytë qeverisës. Sipas saj, ngushtimi i radhëve e dëmton ndjeshëm një parti të çdo lloj grupimi tjetër. Bregu shprehet se tendencë më e mirë, që mund të sjellë ide të ndryshme pse jo dhe konformizëm pozitiv, sesa zgjerimi s’mund të ketë. “Ky proces u provua dhe rezultoi i suksesshëm në 2005-ën. PD-ja nuk pati asnjë dëm në 2005-ën pse thirri Genc Rulin, të ndjerin Gramoz Pashko apo dhe pse thirri një grup të rinjsh. Ky proces zgjerimi do të jetë një sfidë e re për të djathtën shqiptare, i cili për t’u përmbushur, kërkon sigurisht shmangien e koncepteve të vjetra të përçarjes, ndasisë, intrigës, të cilat janë bërë tashmë prezent në çdo formacion politik. Por njerëzit janë të lodhur nga ndarjet”, - thekson znj.Majlinda Bregu. Gjithsesi, me apo pa këtë rikthim të të larguarve, ajo është e sigurt se mazhoranca aktuale është më e mira për t’i ofruar të djathtës mundësinë e një mandati të dytë qeverisës. Sipas saj kjo është maxhoranca më e mirë për të kërkuar votëbesimin e shqiptarëve, jo thjesht për një mandat të dytë qeverisës, por për votëbesimin për të çuar përpara të gjitha reformat e ndërmarra, për të instaluar më mirë këtë lloj vijueshmërie, që nisi suksesshëm në vitin 2005.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›