E Diel, 1 Nëntor 2026

Bakalli: PD, burra të mirë, por jo të zotë



Është i bindur se në Partinë Demokratike prej s[ cilës u largua një vit më parë, ka politikanë të mirë, por jo të zotë. Deputeti i Shkodrës, z.Giman Bakalli, tregon për gazetën “standard” vështirësitë e të qenit i pavarur në politikë dhe arsyet që vazhdojnë ta mbajnë larg kthimit në partinë mëmë. Bakalli pohon se ende nuk ka një ftesë nga ana e PD-së për t’iu bashkangjitur sërish grupit parlamentar të PD-së. Duket se kjo është arsyeja që e mban pezull dhe të paorientuar drejt një sigle të re partie, nën të cilën të mund të kandidonte në zgjedhjet e reja parlamentare të 2009-ës. Ai flet dhe për rikthimin e Pollos, Shehut, Cekës etj., në këtë parti, nga ku Bakalli nuk fsheh faktin se ky proces mund të sfumojë qëndrestarët e PD-së.

Intervistoi: Valentina Madani

Z.Bakalli, në shtator nisin bisedimet mes partive të djathta për formulën e re të përfaqësimit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. A është vështirë që në këtë rast të mos provokohesh nga të qenit deputeti i pavarur?

Nuk ka arsye për t’u provokuar nga të qenit i pavarur. Statusi i pavarur nuk më përjashton nga mundësia për t’u përfshirë në negociata me grupime të tjera parlamentare apo jashtëparlamentare në lidhje me kandidimin tim në zgjedhjet e ardhshme.

Kjo do të thotë se e keni fiksuar siglën e partisë që do të kandidoni në zgjedhjet e qershorit 2009?

Jo, akoma.

Edhe sa kohë do të vazhdojë Gilman Bakalli të jetë deputet i pavarur?

Sot nuk jam në gjendje t’i përgjigjem kësaj pyetjeje…

Është e vështirë të mos jesh deputet i asnjë partie politike?

Varet si e shikon. Natyrisht që nuk është e lehtë të jesh i pavarur, por akoma më e vështirë është të qëndrosh në rresht, duke pasur para syve vetëm qafën e kolegut dhe asgjë më shumë. Ka njerëz që e pranojnë me lehtësi strukturën autokratike dhe bajraktariste të partive shqiptare, në të cilën njëri mendon, ndërsa të tjerët binden. Natyrisht, nuk është e lehtë ta jetosh në praktikë të qenit i pavarur, por gjykoj se bota është e mbushur me individë që janë flijuar për t’u vënë në mbrojtje të fjalës së lirë, dhe pozicioni im duhet parë me modesti, thjesht si një pikë fillimi, si një përpjekje modeste për të dëshmuar se edhe ne mund të sakrifikojmë diçka për hir të lirisë së fjalës e të bindjeve tona.

Në rast se do keni një ftesë nga lidershipi i PD-së për rikthim në këtë parti, cili është qëndrimi do të mbani?

Do të kërkoja fillimisht të dija arsyen e kësaj ftese…

Jeni i gatshëm të bëheni sërish pjesë e PD-së?

A është e gatshme PD-ja të pranojë në radhët e saj një individ, Gilman Bakallin?

A ju vjen keq që sapo vendosët të jeni deputet “informal” i PDK-së, në momentet e fundit të legjislaturës së kaluar, demokristianët u larguan nga qeveria? Ndieni se bëtë zgjedhjen e gabuar në këtë rast?

Nuk e kuptoj pse dhe kë ka shqetësuar aq shumë firma që hodha për grupin parlamentar demokristian, ndërkohë që deputetë të shumtë demokratë kanë firmosur në të njëjtën mënyrë si unë për të qenë anëtarë informalë për grupin agrar, për PDR-në etj. Mos ndoshta dikush ishte veçanërisht i(e) interesuar që grupi demokristian të mos ekzistonte më në Parlament?

Mendoni se do të ketë pasoja për PD-në largimi apo mosrikthimi në qeveri i demokristianëve, dhe cilat do të ishin ato?

Largimi i PDK-së eventualisht mund ta vinte grupin demokrat në vështirësi për të kaluar projektligje të ndryshme të rëndësishme, pra mund të shkaktonte një krizë votash. Por këtë gjë PD-ja po e zgjidh fare mirë me grupin e sapokrijuar të qendrës apo edhe me deputetë të majtë. Kështu që nuk mund të flitet aktualisht për pasoja.

Cili është mendimi juaj për rikthimin në PD të Neritan Cekës, Genc Pollos, Tritan Shehut apo ndonjë të politikani tjetër që karrierën politike e ka filluar pikërisht me PD-në?

Unë nuk mund t’i di mirë arsyet e rikthimit të mundshëm të politikanëve të sipërpërmendur në PD. Prandaj thjesht mund të spekuloj duke thënë se për mendimin tim, ka arsye pragmatike që i detyrojnë këta deputetë të kthehen në “shtëpinë e tyre” të dikurshme. Duke qenë në krye të partive pa ndonjë profil të theksuar politik, Ceka dhe Pollo e dinë se në zgjedhjet e ardhshme nuk kanë fort shanse të përfaqësohen në Parlament, prandaj e shohin të udhës të futen në strehën e një të “forti”, me ndihmën e të cilit mund të pluskojnë në politikën shqiptare.

Por a duhet të kërkojnë falje publike para se të vijnë në PD për “baltën” që hodhën mbi PD-në gjatë kohës që qëndruan larg saj?

Nëse bëhet fjalë për falje publike, kjo duhet të jetë e dyanshme, pasi jo pak baltë (në disa raste fatkeqësisht jo vetëm baltë verbale) ka hedhur edhe PD-ja mbi të larguarit prej saj.

Ekziston mundësia që rikthimi i tyre të sfumojë figurat qëndrestare të PD-së?

Lufta brenda llojit është një dukuri universalisht e njohur për çdo parti politike. Edhe qëndrestarët e PD-së nuk janë të imunizuar nga frika prej kësaj lufte.

Në prag të zgjedhjeve parlamentare, besoni se i duhet PD-së një KOP i dytë?

Nuk mendoj se mund të kishte efekt krijimi i një strukture të tillë parazgjedhore. Përveç kësaj, kush do të donte të harxhonte energji për një strukturë, e cila vdes jo vetëm kur dështon në misionin e saj, por edhe kur e përmbush me sukses atë, siç ndodhi me KOP-in e 2005-ës.

Si janë raportet tuaja aktualisht me Kryeministrin Sali Berisha?

Raporti i zakonshëm mes një deputeti që kërkon të jetë individ brenda partisë dhe një Kryeministri, i cili kërkon që deputetët e tij të zhvishen nga individualiteti i tyre për t’i shërbyer partisë.

Gjatë kohëve të fundit, ka pasur ndonjë tratativë nga ana e PD-së për afrimin tuaj në grupin parlamentar?

Jo!

Mendoni se PD-ja ka emra më të mirë se qeveria?

Burra të mirë ka sa të duash, por burra të zot nuk po shohim…

Gjykoni se me fillim e legjislaturës së re parlamentare, mazhoranca duhet të bëjë më kujdes në raportet me Presidentin Bamir Topi apo ky i fundit duhet të kuptojë se nuk i përket më PD-së?

Në fakt, z. Topi e ka kuptuar dhe e ka dëshmuar me fakte se nuk i përket më PD-së dhe se është ngritur në lartësinë e detyrës së tij si President i të gjithë shqiptarëve. Problemet dhe konfliktet kanë lindur pikërisht ngaqë PD-ja nuk e ka kuptuar (ose e ka kuptuar dhe nuk mund ta pranojë) se Bamir Topi nuk është më nënkryetar i PD-së.

Gjatë këtij viti jo rrallë u vunë re përplasje brenda PD-së, madje duke dalë në pah dhe tendenca për influenca grupesh në këtë parti. Ju që keni qenë pjesë e kësaj partie, cilat janë burimet e këtyre përplasjeve dhe a ekziston frika që ato të thellohen edhe më shumë me hapjen e sesionit të ri kuvendor dhe afrimin e zgjedhjeve të reja?

Nuk mund të flasim për përplasje brenda PD-së. Herë pas here aty brenda ka disa të pakënaqur të cilët e shprehin me shumë kujdes ose me shumë eufemizma “pakënaqësinë” e tyre. Kaq. Këtu mbyllet gjithçka. Specia e veçantë e politikanit shqiptar të kultivuar në këto 17 vjet tranzicion nxjerr në pah një qenie e cila nuk ka guxim t’i kundërvihet Njëshit edhe kur sheh tek ky shenja të theksuara të totalitarizmit. Benxhamin Franklin ka thënë: “Kush jep lirinë për të fituar sigurinë, ai nuk e meriton as lirinë e as sigurinë“. Aktualisht deputetët e shumicës e kanë dhënë lirinë e tyre në funksion të sigurisë (për të qenë në listat e ardhshme për deputetë) dhe në këtë përpjekje kanë asgjësuar individualitetin e tyre. Prandaj edhe mundësia që në të ardhmen e afërt të kemi përplasje, është tepër e vogël.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›