Topalli takon përfaqësuesit e fondacionit “Konrad Adenauer”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u takua dje me përfaqësuesit e fondacionit gjerman “Konrad Adenauer”. Gjatë këtij takimi me drejtorin për Evropën dhe Amerikën e Veriut i fondacionit gjerman “Konrad Adenauer”, Tomas Kunce, Topalli u shpreh se Shqipëria po vazhdon rrugën e saj të ndryshimit. “Shqipëria falë reformave të mëdha politike, ekonomike e sociale, ka hyrë në fazën e fundit integruese, duke përshpejtuar rrugën e integrimit dhe zhvillimit. Besojmë se do të përmbyllim së shpejti fazën e ratifikimit të MSA-së me BE-në, ndërsa kemi hapur negociatat për liberalizimin e vizave për të mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve, gjë që mbetet një prioritet yni. Po ashtu, kemi të gjithë vullnetin dhe angazhimin për ta bërë Shqipërinë anëtare të NATO-s, vitin e ardhshëm”, - tha Topalli. Kunce shprehu vlerësimin e tij për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, duke e cilësuar këtë si një sukses të madh në proceset integruese të Shqipërisë. “Shqipëria ka një zhvillim impresionues gjatë viteve të fundit dhe personalisht e ndiej energjinë dhe dëshirën për të ecur përpara. Jemi shumë të kënaqur nga bashkëpunimi i deritanishëm dhe për të forcuar më tej këtë bashkëpunim, së shpejti fondacioni do të ketë zyrën e tij përfaqësuese në Shqipëri”, - tha Kunce. Biseda u ndal edhe në mundësitë konkrete që ky fondacion ofron për rritjen e kapaciteteve administrative me trajnime pranë Bundestagut gjerman dhe në mbështetje të politikanëve, juristëve apo gazetarëve, në interes të plotësimit të njohurive të tyre rreth praktikave evropiane, por edhe të promovimit të imazhit të Shqipërisë.