Berisha - Rama, replika për kartat e identitetit në
Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama kanë qenë së bashku në një tryezë diskutimi, tema kryesore e të cilës ka qenë integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në NATO. Në këtë takim merrnin pjesë përfaqësues të lartë të shtetit, deputetë e politikanë si dhe ambasadorë të vendeve të ndryshme. Kryeministri Berisha tha se “me opozitën na ndajnë 1100 çështje programore, por na bashkojnë të gjitha parimet e mëdha të shtetit të së drejtës dhe të projektit për integrimin në NATO dhe BE”. Berisha e cilësoi si mjaft pozitive bashkëpunimin me opozitën, ndërsa vlerësoi pozitivisht miratimin e ndryshimeve të Kushtetutës. Mbështetje për integrimin e Shqipërisë dha edhe kryetari i PS-së Edi Rama, i cili tha se “opozita nuk mund të jetë dakord për gjendjen ekonomike ku ndodhet vendi, për cilësinë e qeverisjes, por duhet të jetë një forcë që ndikon pozitivisht në procesin e integrimit”. Megjithatë, pavarësisht këtyre deklaratave inkurajuese, gjatë takimit të djeshëm nuk kanë munguar replikat midis kryeministrit Berisha dhe kreut të PS-së, Edi Rama. Shkak i këtyre replikave ka qenë tenderi për kartat e identitetit. Kryeministri Berisha shpjegoi se ndërhyrjet, pasi është shpallur tenderi i kartave të identitetit, janë bërë pasi një kompania e kontraktuar ndërkombëtare sugjeroi disa ndryshime, dhe këto ndryshime ishin të parashikuara si mundësi për tenderin. “Asnjë ndryshim nuk është bërë si vullnet i qeverisë, por mbi bazën e sugjerimit të një kompanie që ka ndihmuar 20 qeveri në kompletimin e këtij procesi”, - tha kryeministri Berisha. Ai e ftoi kryesocialistin Edi Rama të ngarkojë deputetët që të marrin në dorë dosjen e këtij tenderi, i cili nuk ka qenë i lehtë, ndaj është shtyrë nga qeveritë e mëparshme”. Më pas Rama replikoi duke u shprehur: “As unë dhe as deputetët e mi nuk merren me dosje. Me dosjen le ta lëmë të merret në paqe Prokuroria, por shqetësimi im dhe i gjithë popullit shqiptar është që në zgjedhjet e ardhshme të votojnë me kartat e identitetit. Nuk kemi asnjë qartësi apo garanci për këtë proces, i cili nuk dihet kur do të fillojë, si do të fillojë dhe ajo që është më e rëndësishme, si do të bëhet shpërndarja e kartave të identitetit te shqiptarët”. Rama tha se “ne nuk kemi asnjë predispozitë të pranojmë një proces zgjedhor pa karta identiteti në një kohë që ndërkombëtarët presin që zgjedhjet të jenë me standarde”.
Sh. Sulçe
10 Maj 2008