E Diel, 1 Nëntor 2026

Dërgesat e emigrantëve, të ardhurat arrijnë në 947 milionë euro



Mijëra familje në vendin tonë kanë si burim të rëndësishëm të jetesës së tyre të ardhurat që u dërgojnë të afërmit emigrantë. Ky është përfundimi i një studimi të kryer nga shoqata “Shpresë për të ardhmen”. Sipas studimit, këto para përdoren kryesisht për të përballuar jetesën e përditshme, si ushqime, veshje, shtëpi apo shlyerje borxhesh e kredish. Të ardhurat nga emigrantët konsiderohen edhe një burim i rëndësishëm për ekonominë e vendit. Për këtë arsye, Ministria e Punës dhe Shoqëria “Shpresë për të ardhmen” janë mbledhur për të diskutuar lidhur me mënyrat më të mira për orientimin e këtyre dërgesave. “Dërgesat nga emigrantët përbëjnë një burim të rëndësishëm për ekonominë e vendit. Por ka ardhur koha që këto para të investohen dhe ekonomia shqiptare të zhvillohet në vend dhe jo nëpërmjet parave që vijnë nga jashtë”, - ka deklaruar Sandra Rainero, moderatore e aktivitetit. Të ardhurat nga emigrantët kanë pësuar rritje të ndejshme nga viti në vit, çka tregon për rëndësinë që ato kanë për mijëra familje në vendin tonë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2007 emigrantët kanë dërguar pranë familjeve të tyre një shumë prej 947 milionë euro. Këto të ardhura kanë shënuar një rritje prej 12 milionë euro kundrejt një viti më parë. Sipas studimit të shoqatës “Shpresë për të ardhmen”, të ardhurat nga emigrantët janë të domosdoshme veçanërisht në familjet me të mitur dhe të moshuar.

Sigurim jete për cilindo që kërkon të marrë kredi pranë bankave

Çdo person që kërkon të aplikojë për të marrë një kredi tregtare në bankat private në vend, më parë duhet të jetë i siguruar pranë kompanive të sigurimit të jetës.
Ky kusht i vendosur nga bankat e nivelit të dytë ka ndikuar në rritjen e të ardhurave në kompanitë e sigurimit të jetës. Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, vëllimi i primeve të sigurimit të jetës ishte rreth 102 milionë lekë me një rritje prej 49.55 për qind krahasuar me janar-marsin 2007. Peshën më të madhe prej rreth 75 për qind në të ardhurat e sigurimit të jetës e zë produkti “Jetë Debitori”. Ky produkt i sigurimit është kërkesë e bankave të nivelit të dytë për ofrimin e kredive individëve dhe personave juridikë. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2008, tregu i sigurimeve njohu rritje në krahasim me tremujorin e parë të vitit të kaluar, si në volumin e primeve të shkruara bruto me 14.54 për qind dhe 20.10 për qind në numrin e kontratave të sigurimit. Sipas të dhënave, tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar te sigurimet e “Jo-Jetës”, që sollën rreth 93 për qind të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e jetës me rreth 7 për qind.

10 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›