E Diel, 1 Nëntor 2026

KESH-i instalon 20 mijë matës të rinj te bizneset dhe familjet



Brenda 2 muajve, KESH-i ka instaluar mbi 20 mijë matës te konsumatorët familjarë dhe mbi 4000 matës për konsumatorët e biznesit. Sipas KESH-it, ritmet e vendosjes së matësve te konsumatorët e papajisur ende me to janë të kënaqshme. Në këtë fazë, kryesisht, matësit po vendosen në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Burrel, ndërsa në vijim do të shtrihen në rrethet e tjera të vendit. Brenda vitit, KESH-i do të instalojë 60 000 matës të rinj për konsumatorët familjare dhe 11 mijë matës për bizneset. Gjithashtu, edhe situata hidroenergjetike paraqitet mjaft e mirë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit që shkoi, çka premton siguri në furnizimin me energji elektrike, bënë të ditur të premten për burime zyrtare të KESH-it. Kjo situatë vjen si pasojë e mirëmenaxhimit të rezervës hidrike në kaskadën e HEC-eve mbi Drin nga KESH-i, por dhe si rezultat i mbajtjes në kuota të mjaftueshme të importit të energjisë elektrike. Konsumi ditor i energjisë në vend sot është në nivelin e 14,7 milionë kilovat/orë. Prodhimi vendas i energjisë elektrike ka arritur në 9,3 milionë kilovat/orë në ditë, ndërsa importi në vlerën 5,4 milionë kilovat/orë në ditë. Si pasojë e alternimit të prodhimit me importin e energjisë, rezerva hidrike në liqenin e Fierzës është në kuotën 294 metra. Shirat e pranverës si dhe shkrirja e borës në malet e veriut, kanë ndikuar dhe në nivelin e prurjeve të ujërave nga përrenjtë në këtë liqen, duke pasur një nivel prej 126 metra kub/sekondë. Gjithashtu, mirë paraqiten nivelet e ujit edhe në liqenet e HEC-it të Komanit, me 172,3 metra, me prurje prej 71 m3/sek, dhe në Vaun e Dejës në nivelin 74,1 metra.

BB: Kufizimet e energjisë do të shkatërrojnë biznesin

Shqetësimi për situatën energjetike vihet sërish në vëmendjen e institucioneve ndërkombëtare. Përfaqësuesit e Bankës Botërore, në një takim të zhvilluar me drejtuesit e ERE-s, ngritën shqetësimin lidhur me mbrojtjen e konsumatorëve të agrobiznesit nga çmimet e larta e të paarsyeshme të energjisë elektrike, të cilat mund të sjellin impakt negativ në efektivitetin e veprimtarisë se tyre. Atsushi Iimi, përfaqësuesi i Bankës Botërore, tha se çmimet e energjisë elektrike për biznesin duhet të jenë të argumentuara në përputhje me metodologjitë përkatëse, për të mbuluar kostot e shërbimit dhe kostot e prodhimit e të importit, dhe të ketë furnizim pa ndërprerje me energji elektrike. “Ndërprerjet e energjisë elektrike janë një faktor pengues për investime dhe për pasojë, ato kanë një impakt negativ në rritjen ekonomike të vendit”, është shprehur përfaqësuesi i BB-së. Në vazhdim, ekspertët e ERE-së kanë shprehur të njëjtin qëndrim të përbashkët me BB-në mbi impaktin negativ që sjellin çmimet e paarsyeshme dhe ndërprerjet e energjisë elektrike mbi zhvillimin e biznesit dhe të ekonomisë në përgjithësi. ERE-ja siguroi se kjo filozofi do të respektohet si një parim, me rëndësinë në vendimmarrjet e saj për çmimet dhe tarifat.

10 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›