Berisha: ”Ka ende faqezinj që kërkojnë ryshfet”
Kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht lideri i maxhorancës, ka vijuar turin e tij “Shqipëria në NATO” në qytetin e Lezhës dhe Shëngjinit, ku u takua me qytetarët e zonës. Berisha ka ashpërsuar tonet e tij ndaj fenomenit të korrupsionit, ku akuzoi se në administratën e tij ka ende faqezinj që kërkojnë ryshfet nga qytetarët. Gjithsesi, Berisha u shpreh se qeverisja e PD-së është më e mirë se çdo qeverisje e paraardhësve të tij. “Sot sërish ka korrupsion, sepse ka faqezinj që shtrijnë dorën e turpit dhe kërkojnë ryshfetin. Më lejoni t’ju informoj se kur erdha në pushtet gjeta anëtarë që ishin në 20 bordero. Këta i caktonin rrogat vetë dhe caktonin rrogën e drejtorit 4 milionë, ndërsa rrogat e tyre caktoheshin në raport me atë të drejtorit. Sot nuk ka pagë më të lartë se sekretari i Përgjithshëm i një ministrie. Sot ka njerëz që bëjnë korrupsion, por ju faktoj se në këtë betejë fitorja do të jetë përfundimtare”, - tha Berisha përpara qytetarëve të Lezhës. Kryeministri Berisha u shpreh më tej se investimet janë rritur në punët publike dhe do të luftohet informaliteti në vend. Ai tha se këtë vit do të mblidhen më shumë para, të cilat do të shkojnë për ndërtime rrugësh, shkollash, spitalesh, rritje pagash, pensionesh etj. Ligjërimi i kryeministrit Berisha u përqendrua në masën më të madhe të tij në luftën kundër korrupsionit. “Investimi ynë më kapital është lufta ndaj korrupsionit”, - premtoi Berisha për të ardhmen.
10 Maj 2008