Procedurat për legalizim pritet të jenë të njëjta
Afati për legalizimin dhe dëmshpërblimin e ish-pronarëve priten të reduktohen ndërsa procedurat për legalizimin e ndërtimeve informale pritet të jenë të njëjta. Ndonëse opozita ka shprehur rezerva në lidhje me lënien jashtë të pushtetit vendor gjatë këtij procesi, duket se ky rezervim nuk do përkrahet nga maxhoranca. Agjencia e Legalizimit, mbas plotësimit dhe verifikimit të plotë të vetëdeklarimit, pajis me lejen e legalizimit personin që ka bërë ndërtimin. I njëjti rregull zbatohet edhe për objektet me leje, me shtesa informale në ndërtim, ku leja e legalizimit është e barasvlershme me lejen e shfrytëzimit, të përcaktuar sipas ligjit. Kriteret dhe procedurat e legalizimit të ndërtimeve informale për objektet me leje, por që kanë shtesa informale në ndërtim, do të përcaktohen disa muaj më vonë nga qeveria, ku do të paraqitet i plotë i gjithë formulari. Njëkohësisht edhe formulari i legalizimit që do të paraqitet do të miratohet pak më vonë nga Këshilli i Ministrave. Menjëherë mbas verifikimit të ndërtimit pa leje, ALUIZNI, mbasi jep lejen e legalizimit e dërgon atë ne ZRPP, e cila do të japë edhe letrën e hipotekimit, nga ku finalisht mund të quhesh pronar m ligjshëm i ndërtimit. Leja e legalizimit, e shoqëruar nga dokumentacioni teknik dhe kartela e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme të legalizuar, paraqiten nga ALUIZNI në ZRPP për regjistrimin fillestar të objektit në regjistrat e pasurive të paluajtshme, do të bëhet sipas ligjit të ndryshuar, që do të thotë se ndërtimi do të hipotekohet menjëherë.
10 Maj 2008