E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: PS, sdo lejojë presionin ndaj Prokurorisë

 

“Ta harrojnë Sali Berisha, Jozefina Topalli, Fatmir Mediu dhe të gjitha forcat qeveritare, që do hedhin në erë hetimet!”

TIRANË- Gati 3 muaj pas tragjedisë, socialistët jo vetëm që nuk e kanë harruar atë që ndodhi më 15 mars në Gërdec, por angazhohen dhe mbështesin deri në fund organin e akuzës në zbardhjen e së vërtetës lidhur me këtë ngjarje, pavarësisht presioneve që vijnë nga njerëz të veshur me pushtet politik. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke marrë shkas nga përpjekjet e ripërsëritura ditët e fundit të kryeparlamentares Jozefina Topalli dhe drejtuesve të tjerë të lartë të mazhorancës për pengimin e hetimeve lidhur me këtë çështje, ka deklaruar mbështetjen e tij të plotë për kryeprokuroren Ina Rama në punën e saj për të nxjerrë përgjegjësit e asaj katastrofe jonatyrore. Një ditë pasi Kryetarja e Kuvendit paraqiti në Prokurori një kërkesë të dytë zyrtare për materiale shtesë për vërtetimin e fajësisë së ish-ministrit të Mbrojtjes në këtë ngjarje, kreu i selisë rozë, në një reagim të posaçëm për mediat e ka konsideruar këtë veprim, si një përpjekje për të bërë presion mbi organin e prokurorisë. Duke sqaruar pozicionin dhe qëndrimin që kanë mbajtur socialistët deri më tani lidhur me këtë çështje, shefi i opozitës ka deklaruar se, PS nuk do të lejojë që kundërshtarët politikë të përfitojnë për shkak të sjelljes që imponon politika e re e mospërfshirjes në punët e organeve kushtetueses. “Ne nuk mund të lejojmë në asnjë mënyrë, që forcat qeveritare të përfitojnë nga politika jonë e re e ndarjes së qartë të pushteteve e të punëve mes politikës dhe drejtësisë, për të vazhduar avazin e vjetër të presionit antikushtetues e antiligjor mbi Prokurorinë e Republikës, me synimin e turpshëm, pengimin e hetimeve për Gërdecin”,- tha Rama. Gjithashtu, duke e trajtuar “Gërdecin” jo si një rast për të nxjerrë përfitime politike të çastit, kreu i PS-së ka vijuar ta cilësojë atë pasojë e krimit shtetëror për të cilin duhet të përgjigjen jo vetëm “peshqit e vegjël”, por edhe ata zyrtarë dhe pushtetarë të veshur me imunitet politik. “E konsiderojmë këtë si një krim shtetëror që duhet zbardhur deri në fund, vetëm përmes rrugës kushtetuese e ligjore të hetimit e të gjykimit të çdo fakti nga organet e pushtetit gjyqësor”,- theksoi Rama. Referuar dhe zhvillimeve të fundit politike, ku brenda mazhorancës janë shfaqur hapur tendencat për krijimin e grupimeve pro dhe kundra heqjes së imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Rama është shprehur se është jo vetëm e pamoralshme, por edhe e papranueshme që të akuzuarit për këtë ngjarje, të kthehen në akuzues të organeve kushtetuese që po merren me zbardhjen e së vërtetës. “Ne nuk mund të lejojmë sot që ata që shkaktuan Gërdecin, të fajësojnë Prokurorinë e Republikës dhe nga të pandehur të opinionit publik, të kthehen në inkuizitorë publikë të përfaqësuesve kushtetues të akuzës”,- u shpreh Rama. Nisur nga një angazhim i tillë, ai i ka përcjellë një mesazh të qartë kundërshtarit të tij politik, kryeministrit Sali Berisha dhe kryeparlamentares Topalli, që ka marrë flamurin në mbrojtje të Mediut, se nuk do të mundin kurrë që të fshehin të vërtetën për Gërdecin. “Ta harrojnë Sali Berisha, Jozefina Topalli, Fatmir Mediu dhe të gjitha forcat qeveritare se, pasi hodhën në erë njerëzit e pafajshëm në Gërdec me papërgjegjshmërinë, paaftësinë e korrupsionin që ka kapur në fyt shtetin e tyre, do të hedhin në erë edhe hetimet për zbardhjen deri në fund të një të vërtete pa të cilën s'ka Shqipëri demokratike e europiane”,- tha Rama. Ndërkohë që dy ditë më parë, në krah të Kryeprokurores doli dhe Ambasadori i SHBA-së në vendin tonë, Xhon Uidhers, i cili i kërkoi Kryeparlamentares që të mos ndërhyjë në hetimin e prokurorisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›