Berisha - opozitës: U tregoj unë sa ju vlen lëkura
Kryeministri Sali Berisha kalon çdo kufi. Nga foltorja e Kuvendit akuzon ashpër Ramën dhe familjen e tij
TIRANË - Përmes një gjuhe mjaft të ashpër, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, i djeshëm është kthyer mjaft vite pas, kur adresonte akuza nga më të rëndat ndaj kundërshtarëve politik.
Edhe dje, në foltoren e Kuvendit, Kryeministri Berisha u mor gjatë me familjen e kundërshtarit të tij politik, Edi Rama, duke i përmendur me një gjuhe aspak etike dhe krejt të pamoralshme, babanë, nënën, ish-bashkëshorten madje edhe të birin.
Berisha ka kaluar çdo kufi me qëndrimin e tij, teksa ka kërcënuar me shprehje të tilla si; "provojeni po ua mbajti" apo "ua tregoj unë sa ju vlen lëkura".
"Kërcënon dhe lëshon ultimatume, në emër të kujt i lëshon ato, kush je ti? Provoje po ta mbajti! Nuk dua të gjuaj, por vjen një ditë që të jesh i bindur zoti Rama se për çdo gjë që do të ndodhë në këtë vend në dhunim të ligjit, do të ketë një dhe vetëm një përgjegjës dhe ky do jesh ti dhe vetëm ti.
Provoje! Provoje! Vazhdo ultimatumin!", - tha ai. Berisha vijoi: "Mbetem i vendosur që çdo qytetar ka të drejtën të protestojë në këtë vend. Ftoj zotin Rama që të protestojë para zyrave të mia, unë aty do të jem. Ata që menduam se do të marrin kështjellën, le ta marrin po ua mbajti.
T'u tregoj se sa u vlen lëkura. Vullneti i lirë qytetar nuk do të dhunohet nga Edi Rama dhe klanet e tij mafioze as nga familja e tij biologjike dhe familja historike". Sipas tij, kërkesa e opozitës për hapjen e kutive nuk mund të pranohet pasi mazhoranca nuk mund të dalë mbi vendimet e gjykatave. Duke e akuzuar kryetarin e opozitës, Edi Rama, për lidhje me mafian, Berisha tha se do t'i shkulë dhëmbët, dhëmballët dhe nofullat opozitës.
"Ditët që vijnë një nga një do t'i shkul dhëmbët aleancës punisto-mafioze, ai ishte vetëm dhëmbi i parë, dhe do vazhdojë, mos u zemëro, mos u shqetëso, se pas dhëmbit vjen nofulla.
Ndaj mafies zero tolerancë. Po të jap fjalën e nderit se me atë vullnet dhe përkushtim që jam përballuar në vitin 90-1991, po me atë vullnet të hekurt dhe vendosmëri përballem sot me mafian që ti kryeson. Në këtë betejë je fund e krye i pashpresë", - u shpreh Kryeministri. Në të njëjtën kohë, Berisha lëshoi akuza personale drejtuar Edi Ramës.
"Cili është ai burrë, çfarë burri është ai, që bashkëshorten e vet e akuzon se e ka fëmijën me të atin e tij, ashtu siç ka botuar dokumentet ndihmësi i tij kryesor Erion Baze në fletushkën e tij, cili është ai baba? Z. Rama thuaji shqiptarëve cili është ai baba që i mohon djalit, kafshatën e gojës. Çfarë do që të ketë bërë djali, kafshata s'i mohohet.
Zoti Rama, të ndodhi me bashkëshorten e parë artisten e nderuar, për të cilën kam pasur dhe kam respektin më të madh. Cili është ai burrë, cili është ai shqiptar, cili është ai ballkanas, cili është ai evropian që e nxjerr gruan e tij lakuriq në plazhet e botës. A mund të na e thuash pak zoti Rama, ti që përmend familjen çdo ditë dhe çdo natë.
A e di ti që ajo është një nënë, është një motër, ajo është një bijë, ajo është shqiptare, edhe po të qe serbe, po të qe gjermane, franceze, italiane, si do të që të jetë, nuk bëhet kurrë ajo që ke bërë ti dhe e ke fotografuar", - tha Berisha. Kreu i ekzekutivit shtoi se, Rama vuan nga një kompleks i madh patologjik dhe, sipas tij, kjo është arsyeja e sjelljes së tij ndaj familjes.
"Zoti Rama, cili është ai burrë, i cili ngrihet nga shtrati i së shoqes në kullën e Myslym Pezës dhe shkon në shtratin e dashit dhe të deshëve dhe e detyron të largohet natën e lemerisur ...Cili është ai burrë?...
Zoti Rama, ti që lakon familjen çdo ditë, a mund të më thuash cili është ai burrë që rreh si kafshë te Piazza dhe i mbush hundët e fytyrën me gjak bashkëshortes në prani të personaliteteve shqiptare dhe kosovare. Je ti, s'është askush tjetër. Kjo është e vërteta", - tha ai.
Por Berisha nuk ndalet me kaq. "Zoti Rama ke një nënë të nderuar, për të cilën kam pasur dhe kam respekt, pavarësisht se ishte mbesa e Spiro Kolekës, e njërit prej xhelatëve të intelektualëve shqiptarë, por ajo vetë s'kishte asnjë manifestim të tillë.
Një ditë, kjo zonjë e nderuar për të cilën kam respekt dhe do kem, më bën një letër të hapur, mendova po Neta mirë, kur e shoh, ia kishte shkruar i biri. I lutem zonjës: Kam shumë respekt për ty, por është në integritetin, në nderin tënd t'u tregosh shqiptarëve se e ke mjekuar djalin tënd, Edvin Ramën 10 vjet për skizofreni, dhe e kanë mjekuar kolegët e mi, t'u thuash shqiptarëve, kur e sheh se ç'po u bën dhe ç'përpiqet t'u bëjë.
Dil me kurajë si nënë shqiptare dhe ngriju mbi sentimentin e një djali që të ka nxjerrë me lecka nga shtëpia e tij me rroba gjumi në Pazar, dil sepse është në interesin tënd më të mirë", - tha ai. Kryeministri Berisha ka adresuar akuza të ashpra deri në kërcënime edhe ndaj përfaqësuesve të biznesit, që sot nuk rreshtohen krah tij.