E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aldo Bare: Si ndërrova emrin në bashki në vitin '98

Ish- kapobanda i Lushnjes doli dje para gjykatës ku iu komunikuan akuzat dhe masa e arrestit e marrë në vitin 2006


TIRANË- I veshur me po ato rroba që u ekstradua nga Turqia, por vetëm me pranga në duar, ish-kreu i "bandës" së Lushnjës Aldo Bare u ul në karriget e para të kafazit të hekurit në sallën numër 1 të Gjykatës së Krimeve të Rënda, për tu njohur me masën e sigurisë "arrest me burg" nga gjyqtari Koldian Kurushi.


Po ky gjyqtar, urdhëroi efektivët e Policisë së Burgjeve që ta sillnin në sallë të ekstraduarin e dy ditëve më parë nga Turqia, për ta njohur atë me akuzat që rëndojnë ndaj tij dhe masën e sigurisë "arrest me burg" të caktuar në mungesë në vitin 2006.


Seanca filloi 30 minuta me vonesë për shkak të krijimit të kushteve të sigurisë gjatë rrugës nga paraburgimi "Jordan Misja" deri në ambientet e kësaj gjykate, duke e transportuar nëpërmjet tunelit nëntokësor.


Seanca filloi rreth orës 12:35 minuta dhe u zhvillua me dyer të mbyllura dhe nuk zgjati më shumë se rreth 25 minuta. Kaq kohë mjaftoi për gjyqtarin Kurushi, për ta njohur Alfred Shkurtin (Aldo Bare) me akuzat e shumta në ngarkim të tij dhe masën e sigurisë "arrest me burg" të caktuar në mungesë.


Gjatë seancës së djeshme, vetë i pandehuri Bare, përveç dhënies së gjeneraliteteve të tij personale, nuk pranoi të flasë për akuzat, duke theksuar se një gjë të tillë do ta bënte në procesin e hapur gjyqësor ndaj tij.


"Jam vënë në dijeni që ndaj meje ka një proces gjyqësor, ku kam kërkuar që mos të zhvillohet proces pa praninë time. Për akuzat ndaj meje do të flas e përgjigjem në këtë proces gjyqësor,-tha ai, duke iu përgjigjur pyetjes së gjyqtarit që nëse kishte për të thënë diçka në lidhje me akuzat.


Momenti i dytë që Bare sqaroi togat e zeza ishte edhe ndërrimi i emrit të tij, nga Alfred Shkurti në Aldo Bare. "Në vitin 1998, në bazë të të gjitha procedurave ligjore, kam ndërruar emrin dhe mbiemrin me vendim të Këshillit Bashkiak të Lushnjës dhe sipas procedurave që i kërkon Zyra e Gjendjes Civile, nga Alfred Shkurti në Aldo Bare. Këtë ndryshim e kam bërë me vetëdije dhe të bazuar në legjislacionin vendas"-theksoi Bare duke shuar kureshtjen e gjykatës në lidhje me dy emrat e tij.


Avokatja e caktuar kryesisht nga gjykata, kërkoi që seanca gjyqësore e verifikimit të personit të arrestuar me masën e sigurisë dhe komunikimit të akuzave të bëhej me dyer të mbyllura.


Më tej ajo kërkoi që ndaj klientit të saj të ndryshohet edhe masa e sigurisë, duke i caktuar një masë sigurie më të butë.

Prokurorët e çështjes kundërshtuan këtë kërkesë të mbrojtjes duke theksuar se nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë që nga koha e caktimit të masës së sigurisë "arrest me burg" në vitin 2006.


Gjykata, pasi dëgjoi palët, u tërhoq për pesë minuta nga salla e gjyqit, duke u kthyer me vendimin e mos ndryshimit të masës së sigurisë "arrest me burg", duke lënë në qeli të ekstraduari Bare.


E motra jashtë dyerve të gjykatës


Gjatë kohës, kur në një prej sallave të Gjykatës së Krimeve të Rënda shqyrtohej kërkesa e verifikimit të personit me masën e sigurisë dhe komunikimi i akuzës, jashtë dyerve kryesore të kësaj gjykate, e motra e kreut të "bandës" priste përfundimin e seancës. Ndaj të pandehurit Bare, sipas akuzës, rëndojnë një sërë veprash penale, që nga vrasja, torturimet, rrëmbim personash e deri të armëmbajtja pa leje, për të cilat pritet të gjykohet.

Bare kërkon librat nga Turqia


TIRANË- Me ekstradimin e Aldo Bares nga Turqia, drejtuesit e lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kishin menduar vendosjen e tij në institucionin e paraburgimit "Jordan Misja" në kryeqytet, burg ky që lidhet me anë të një tuneli nëntokësor me Gjykatën e Krimeve të Rënda në kryeqytet.


Por, me ardhjen e tij në këtë paraburgim, drejtuesit e institucionit e kanë vendosur në një qeli vetëm në seksionin e observimit, i njohur ndryshe si ambienti i të sapo ardhurve në këtë paraburgim. Mësohet se pasditen e djeshme, e motra e Aldo Bares, i ka sjellë ushqime, por nuk ka mundur ta takojë për shkak të kushteve të larta të sigurisë. Mësohet nga këto burime se Aldo Bare është ankuar për autoritetet turke, të cilat sipas tij nuk ia kanë dhënë librat që kishte në qelinë e burgut në Ankara.


"Autoritetet turke më kanë ndaluar të marr librat e shumtë që kisha atje. Nuk e di motivin, por unë do i kërkoj ato nëpërmjet avokatit tim, sepse janë pjesë e bibliotekës time personale të krijuar në burg dhe dua t'i kem këtu",- është shprehu Bare para autoriteteve të burgut. Ndërkaq, vendosja e tij në seksionin e observimit ka të bëjë me mënyrën e mësimit të tij në këto ambiente dhe njohjen me rregulloret e burgut.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›