E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha : Do të fitojmë më thellë se në vitin 1992

21/03/2005  Pashko e Ruli në podium përkrah krerëve të Partisë Demokratike

15 mijë simpatizantë në sheshin "Skëndërbej" mbyllin "Ditët e shpresës"

Partia Demokratike, ka mbyllur dje fazën e parë të fushatës elektorale me një miting në sheshin "Skëndërbej", ku opozita ka mbledhur rreth 15 mijë simpatizantë të saj. Demokratët kanë shfrytëzuar fitoren e 13 vjetëve më parë, për të mbyllur turin e parë të fushatës të quajtur "Ditët e Shpresës", nën tingujt e këngës dhe muzikës së këngëtarëve të ftuar për këtë qëllim. Në ndryshim me vitet e kaluara, këtë herë në podiumin e ngritur për këtë qëllim, përkrah Kryetarit Berisha veç krerëve të PD-së, apo anëtarëve të KOP qëndronin dhe themeluesit e partisë të larguar për një kohë të gjatë Gramoz Pashko dhe Genc Ruli.

Viti 92

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, në fjalën e tij përshëndetëse tha se opozita këtë herë është më afër fitores se 13 vjet më parë. Lideri demokrat u shpreh i sigurt në fitoren e opozitës duke e cilësuar këtë si një garanci për ndërtimin e shtetit ligjor dhe demokracisë. "Sot një lloj si 13 vjet më parë, 75% e shqiptarëve duan ndryshimin, kjo është garanci e vërtetë e fitores sonë. PD-ja e vendosur ti prijë këtij ndryshimi, u është drejtuar vlerave më të çmuara të shoqërisë shqiptare, i është drejtuar botës akademike, shoqërisë civile, bisnesmenëve, mediave e themeluesve të saj. Ne, në zgjedhjet e ardhshme do të kthejmë fitoren e merituar, fitoren plebishitare, fitoren e 92-it", tha Berisha. Kreu demokrat tha se në vitin 1992, opozita erdhi në pushtet nga një sistem totalitar dhe pa përvojë në administrimin e shtetit, duke dhënë kështu një garanci se gabimet e të shkuarës nuk do të përsëriten më. "Në 22 mars të vitit 92, ne votuam për sistemin demokratik, sistem jo i njohur për njerëzit e shtypur. Ne nuk njihnim ligjet, institucionet, reformat, pronën private", tha Berisha.

Akuzat

Lideri i PD-së gjatë fjalës së tij u shpreh se, problemi më i madh që pengon zhvillimin e vendit, është korrupsioni në administratë. Sipas Berishës, shqiptarët janë të detyruar t'i paguajnë ryshfete qeverisë së majtë 1.4 miliardë lekë në vit. "Qytetarët dhe bisnesmenët shqiptarë i paguajnë Fatos Nanos dhe zyrtarëve të tij çdo vit 1.4 miliard dollarë ryshfete, çdo vit 100 mijë shqiptarë marrin rrugët e botës. Është ky korrupsion, kjo vjedhje, që kanë shndërruar Shqipërinë e bekuar në një strehë varfnore. Ne, sot pas 13 vjetësh, vërtet jemi 13 herë larg vitit 92, por sot sërisht ne jemi kombi që 60% e të cilit jeton në duart e varfërisë dhe të mjerimit, sërisht 40% e shqiptarëve janë të papunë ", tha Berisha. Sipas tij, shqiptarët janë të vendosur që me votën e tyre në zgjedhjet e ardhshme, të rrëzojnë muret e korrupsionit njëlloj si shtetasit e Ukrahinës apo gjetkë. "Le të zotohemi ne, se me votën tonë të lirë, do ti shëmbim këto mure, njëlloj si shembëm 13 vjet më parë murin e Berlinit dhe fituam. Kjo është dëshmi se shqiptarët janë të vendosur që Fatos Nanon ta nisin drejt Mugabes apo Janukoviçit", tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›