E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Ftesa, sfidë për të përmbushur atë që lamë përgjysëm"

21/03/2005  "Të larguarit" pranojnë riangazhimin politik dhe kandidimin nën siglën e PD-së

Gramoz Pashko dhe Genc Ruli, dy prej themeluesve të PD-së në vitin 1992, kanë pranuar dje rikthimin e tyre në këtë parti, si dhe angazhimin politik për të kandiduar në zgjedhjet e verës së këtij viti. Të larguar nga partia më e madhe e opozitës në periudha të ndryshme, për shkak të kontradikatve me kryetarin e saj, ata u shfaqën dje në podium në krah Berishës. Gramoz Pashko i larguar nga PD-ja vetëm pak vite pas themelimit të saj u shpreh se ka vendosur t'i bashkohet kësaj partie, për të vazhduar atë rrugë të nisur në dhjetorin e vitit 1991. "Me kryeministrin aktual kam punuar dhe e kam këshillur si ekonomist, pasi kam qenë këshilltar ekonomik i Nanos.Unë Nanon e kam këshilluar me pikëpamje liberale, ndërsa ju mund të gjykoni vetë se si ka reflektuar z.Nano. Pozicioni im politik më kërkon që të vazhdojmë atë biznes që ne kemi nisur në vitin 91", tha Pashko. Ndërsa për ish ministrin e financave të viteve të qeverisjes së PD-së, ftesa e ardhur nga lideri demokrat Berisha, është një sfidë e cila së pari, duhet të ngjallë besimin e njerëzve. "Unë jam rikthyer në politikë. Kam qenë dikur në politikë dhe mendoj se ky moment ka vlerë që unë të rikthehem prap në politikë dhe të jap kontributin tim. Më shumë se ftesë do t'a quaj sfidë. Ajo është një sfidë dhe njëkohësisht dhe një detyrë. Nuk besoj se ofron ndonjë joshje të veçantë përveçse një punë të madhe për të bindur njerëzit sesi duhet të votojnë", tha Ruli.Vetëm një ditë më parë kreu demokrat Berisha i bëri ftesë për rikthim të gjithë themeluesve të PD-së në vitin 1991, duke pranuar njëkohësisht se një ftesë e tillë i ka shkuar dhe Eduart Selamit apo Aleksandër Meksit. Këta të fundit nga ana e tyre nuk kanë bërë ndonjë prononcim publik lidhur me ftesën që Berisha i ka bërë ish krerëve të partisë. Ndërkohë, në mitingun e djeshëm nga themeluesit e PD-së, ra në sy mungesa e aleancistit Arben Imami, afrimi i të cilit pranë PD-së është bërë thuajse dy vjet më parë, në kohën kur ky i fundit bëri shkëputjen nga PAD e Cekës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›