E Hënë, 2 Nëntor 2026

Socialistët e Tiranës, fillojnë zbatimin e parimit "një anëtar një votë"

21/03/2005  Partia socialiste ka zhvilluar dje zgjedhjen e Komitetit Zonal Elektoral në njësinë numër 9 në kryeqytet. Duke aplikuar për herë të parë parimin "një anëtar një votë", anëtarësia socialiste e zonës elektorale numër 31 në Tiranë ka zgjedhur kryetar të kësaj KZE-je Artur Duçkollarin. Në zgjedhje kanë marrë pjesë rreth 65 përqind e antarësisë socialiste për këtë njësi, duke shënuar kështu fillimin e zbatimit të parimit një anëtar një votë. Ky proces do të vijohet dhe në njësitë e tjera të kryeqytetit për të përfunduar në datën 31 mars. Sipas kryetarit të PS-së dega Tiranë, "është hera e parë që zbatohet parimi një anëtar një votë. Natyrisht, nuk themi që do të kemi përgatitjen më të shkëlqyer, por ka një dëshirë të madhe të antarësisë socialiste që, për herë të parë, me votën e tyre të fillojnë të zgjedhin të gjithë ata që do të përfaqësojnë në të gjitha nivelet". Vetëm disa javë më parë përfaqësues të PS-së kanë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi me institutin ndërkombëtar për demokracinë, për të qenë të monitoruar dhe për të mësuar më shumë nga parimi "një anëtar një votë". Zbatimi i këtij parimi do të shtrihet në të gjithë vendin nga ku pritet të ngrihen strukturat e KZE-ve, për tu pasuar më pas me votimin e kandidatëve për deputetë të kësaj partie. Sipas kalendarit të PS-së, kjo procedurë duhet të përmbyllet para fundit të muajit prill. Ndërkohë që do të jetë kongresi i kësaj partie ai që do të japë veton për listën e kandidatëve për deputet të PS-së për kuvendin shqiptar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›