E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha- Kaindl Po punojme per permiresimin e sistemeve tona te sherbimit

Kryeministri Berisha priti sot në një takim z. Rudolf Kaindl, President i Këshillit të Noterëve të Bashkimit Evropian.

Z. Kaindl e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe e informoi atë se Këshilli i Noterëve të Bashkimit Evropian është organi zyrtar që përfaqëson noterinë në marrëdhëniet me institucionet evropiane, duke qenë njëkohësisht negociatori kryesor për ligjet dhe vendimet që Bashkimi Evropian merr në këtë fushë.

Z. Kaindl, duke konstatuar progresin në sistemin noterial shqiptar dhe zhvillimin e vendit në përgjithësi, u shpreh i gatshëm për forcimin e bashkëpunimit me Dhomën Kombëtare të Noterëve në Shqipëri, si dhe për ofrimin e të gjithë asistencës së nevojshme për ngritjen e këtij shërbimi në nivel evropian.

Në takim, Kryeministri falënderoi z. Kaindl për vizitën dhe takimet që delegacioni i tij po zhvillon në Shqipëri.
Më tej, Kryeministri e informoi z. Kaindl për reformat e vazhdueshme të ndërmarra nga qeveria për lehtësimin e proceduarave për qytetarët. Në këtë aspekt, theksoi Kryeministri, shërbimi i noterisë është vlerësuar nga qeveria si një shërbim shumë i rëndësishëm, i cili duhet të jetë bashkëkohor.

“Ne po punojmë çdo dite për përmirësimin e sistemeve tona të shërbimit, duke i bërë më lehtësisht të aksesueshme për publikun, më transparente dhe me të besueshme”, u shpreh Kryeministri, duke nënvizuar se, në këtë aspekt, “vlerësojmë dhe e mirëpresim shumë bashkëpunimin dhe ndarjen e eksperiencës më të mirë me ju”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›