E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryebashkiaku Basha ndez dritat festive

Një Tiranë ndryshe do të jetë këtë fundvit! Kështu u shpreh kryebashkiaku, Lulzim Basha, pas ndezjes së dritave festive në sheshin “Skënderbej”.
Afrimi i festave të fundvitit solli dhe ngritjen e bredhit të pozicionuar në qendër të kryeqytetit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i shoqëruar nga vajza e tij Dafina dhe dhjetëra fëmijë të kryeqytetit kanë ndezur sot dritat e pemës së madhe prej 14 metrash, vendosur në Sheshin “Skënderbej”, duke i hapur rrugë festimeve për Krishtlindjen dhe Vitin e Ri. Nën tingujt e muzikës festive të korit të Liceut Artistik, është ndezur i gjithë dekori i vendosur përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Kryebashkiaku Basha garantoi se kjo atmosferë do të shtrihet në të gjithë qytetin. Basha tha se krahas dekorit festiv janë parashikuar edhe njësërë aktivitetesh për të gjitha grupmoshat që do të shoqërojnë ditët deri në natën e madhe të ndërrimit të viteve.
“Sot ne ndezim bredhin festive të fundvitit dhe dritat në rrugët kryesore të qytetit tonë sepse po vjen Viti i Ri. Festat e fundvitit na bashkojnë ne të gjithëve çdo vit. Edhe këtë vit, ne në qytetin e Tiranës do të zhvillojmë shumë aktivitete që çdo fëmi ta ndiejë sado pak përpjekjen modeste të Bashkisë së Tiranës, qytetit dhe qytetarëve të Tiranës, për të pasur festa sa më të lumtura. Ne kemi një program festiv të cilin e nisim sot, me ndezjen e dritave të të gjithë dekoreve në sheshin kryesor e në bulevard dhe në shumë rrugë të tjera”, u shpreh Basha.

Gjithashtu, duke zbardhur detaje të axhendës festive në kryeqytet, kryebashkiaku Basha deklaroi se “do të kemi koncerte të vogla e të mëdha, do të kemi kemi shumë babagjyshër të Vitit të Ri, të cilët do të shpërndajnë dhurata anë e mbanë kopshteve e çerdheve dhe shkollave të qytetit tonë për të gjithë fëmijët. Për të gjithë të rriturit kemi organizuar aktivitete të tjera artistike social kulturore që fryma e festave të fundvitit të ndihet anë e mbanë qytetit tonë. Do të fillojmë sot por do ta vazhdojmë gjatë gjithë muajit. Do t’u urojmë të gjithë vogëlushëve të Tiranës, qytetarëve anë e mbanë Shqipërisë, Gëzuar Krishlindjet dhe Vitin e Ri”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›