Berisha: Lezha mblodhi trevat shqiptare
Kryeministri Berisha risolli edhe dje në vëmendje debatin e zhvilluar lidhur me mungesën e Presidentit Topi në festimet e Lidhjes së Lezhës. Aty u mblodhën princa nga të gjitha trevat shqiptare 568 vjet më parë, por djep, vatër ishte Lezha, kështu që qytetarët e Lezhës me shumë krenari e festuan këtë ditë. Absolutisht në ftesa, Bashkia e Lezhës kishte mbajtur pikë për pikë frymën e asaj Lidhjeje. Tjetër punë se dikush tha nuk e mora ftesën dhe tjetri nuk i njoftoi fare nëse do shkonte apo jo. Nuk kanë asnjë lidhje, asnjë shkak tjetër përveçse një, por ajo nuk varet nga ne. Se po të duket Lezha, Albulenë, pastaj po shkoj, nuk po shkoj. Lezha është Lezhë, Albulena është Albulenë. Edhe atë do ta festojmë. Por këtu fryma është tjetër, këtu ishte parimi Një Komb, një Qëndrim dhe u jetësuan përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare si asnjëherë që nga 1444-ra. Ato nuk janë larg njëra-tjetrës, por në fakt janë të ndryshme të dyja, kështu që çdo zhurmë tjetër është absolutisht absurde, ska asgjë me realitetin, jua them me përgjegjësinë më të madhe, u shpreh Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar demokrat. Po dje, Bashkia Lezhë, përmes zëdhënëses së saj, përsëriti qëndrimin e shprehur dhe më parë se ftesë për në këtë aktivitet kishte marrë si Presidenti i Republikës, ashtu dhe kreu i opozitës, Edi Rama. Zëdhënësja e Bashkisë, Anita Jaku, ka bërë publike ftesat e dërguara socialistit Rama dhe Presidentit të Republikës. Sipas saj, kreu i opozitës, Edi Rama, ka qenë i ftuar në përvjetorin e 568-të të Besëlidhjes së Lezhës, ndërsa Presidentit të Republikës i është rezervuar nr. 1 në protokollin e Bashkisë së Lezhës, deklaroi zëdhënësja e Bashkisë së qytetit. Bashkia e Lezhës u është përgjigjur deklaratave të fundit të kreut të opozitës, Edi Rama, i cili tha se nuk kishte marrë ftesë nga Bashkia e Lezhës për kremtimin e 568-vjetorit të Besëlidhjes shqiptare në Lezhë. Ndërkohë, lidhur me argumentin në fjalë, Presidenca ka sqaruar se Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kishte marrë ftesë për këtë aktivitet, por mëngjesin e 2 marsit atij i ishte komunikuar se nuk do të mbante fjalim. Sipas Presidencës, kjo ishte shkelje e Protokollit Shtetëror dhe pikërisht për këtë kreu i shtetit e bojkotoi aktivitetin, ku merrnin pjesë veç Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, edhe parlamentarë nga trevat shqiptare.