Rama: Kultura shihet si aheng

Dje gjatë tryezës së PS për Kulturën
Partia Socialiste organizoi tryezën e kulturës për programin e ri të saj, Rilindja Shqiptare
Lypset një administrim e financim tërësisht tjetër i kulturës
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e cilësoi të mjerueshme gjendjen në të cilën ndodhet arti dhe kultura në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij në tryezën për kulturën, organizuar nga grupi i punës i programit të ri, Rama tha se për qeverinë aktuale kultura është konsideruar si aheng apo argëtim i kohës së lirë, shumë larg konceptit europian të kulturës. Duke qenë një vend që është në rrugën e integrimit europian, është përballë derës së Europës në përpjekjen për të marrë statusin e kandidatit në BE, Shqipëria nuk mund të jetë më një vend ku qeveria e shikon kulturën si aheng apo thjesht si argëtim në kohën e lirë. Por, duhet të bëhet një vend ku qeveria e shikon kulturën si shprehjen më kuptimplotë të shpirtit europian të shoqërisë, të vizionit europian për shoqërinë dhe të një misioni që në rast se shkon përpara me një vetëdije europiane dhe përmes jetësimit të një qasjeje europiane ndaj kulturës, pa dyshim mund të kthehet në një instrument shumë të fuqishëm për integrimin shpirtëror, për integrimin kulturor, u shpreh Rama. Duke folur për situatën aktuale në të cilën ndodhet arti dhe kultura në Shqipëri, Rama tha se vendi mund të krahasohet me një fshat të izoluar pa asnjë lidhje kulturore me çfarë ndodh në Europë. Në pikëpamje të aktivitetit kulturor, Shqipëria mbetet një fshat i izoluar, ku ajo çka mund të numërohet si veprimtari kulturore në një kontekst më të gjerë sesa kufijtë e vet gjeografikë, është tejet e pakët, për mos të thënë plotësisht e mangët. E, nga ana tjetër, politikat tona kulturore janë aq shumë të izoluara brenda këtij fshati kulturor, sa që zor se mund të shohësh qoftë edhe një përpjekje në tentativë për të pasur kooperimin kulturor në një nivel europian në axhendën e qeverisjes së kulturës, u shpreh Rama. Duke folur për projektin e PS-së në fushën e kulturës dhe artit, Rama tha se kërkohet një administrim i ri i këtij sektori. Unë besoj që ndërtimi i një politike të re kulturore, si një politikë që është pjesë e bashkësisë europiane ku ne jetojmë dhe vendosja e bazave për të mundur që të hyjmë dhe të përfitojmë nga gjithë programet e kooperimit kulturor në nivelin europian, janë një domosdoshmëri për të bërë një hop në drejtim të kulturës dhe të arteve në Shqipëri. Sigurisht që për këtë lypset edhe një administrim tërësisht tjetër i kulturës dhe një konceptim tërësisht tjetër i mënyrës se si funksionon i gjithë mekanizmi shtetëror që financohet nga taksat e shqiptarëve për kulturën, u shpreh Rama.
Për kreun socialist, gjendja aktuale në kulturë dhe arte nuk ka ardhur më shumë nga mungesa e fondeve, sesa nga mungesa e vizionit të qeverisë aktuale dhe mediokriteti për të trajtuar çështjet e kulturës. Ne duhet të jemi të shqetësuar për ta ndryshuar rrënjësisht këtë vizion dhe për tu dhënë politikave tona kulturore një horizont të ri. Nuk na mungojnë burimet njerëzore, nuk na mungojnë eksperiencat pozitive, nuk na mungojnë as mundësitë për të qenë të lidhur me një botë që është shumë më e madhe sesa bota jonë e vogël, ku fatkeqësisht, nga të gjitha aspektet e tjera, aspekti i kulturës është aspekti që ka vuajtur dhe që vuan më shumë. Është mishërimi i mediokritetit dhe i dritëshkurtësisë së qeverisjes dhe i paaftësisë së plotë të një sistemi të ndërtuar së prapthi, për të prodhuar më shumë sesa aheng dhe argëtim, sa për të kaluar kohën apo ditën, u shpreh Rama.
Diskutimet në tryezën e PS
Ilir Beqja, sekretari për Programin: Ne jemi të bindur se Shqipëria nuk mund të rilindë nëse shoqëria jonë nuk ripërtërihet. Për këtë kemi nevojë për më shumë kulturë, si zhvillim shpirtëror e intelektual, si identitet kombëtar, qytetar e europian. Qëndrimi ynë politik për artin e kulturën është i qartë. Politika do të shkëputet përfundimisht nga arti dhe institucionet e artit.
Petrit Malaj, rektor i Akademisë së Arteve: Theksoj një element të rëndësishëm, shkollat e mesme artistike. Këto struktura i paraprijnë procesit të edukimit në Universitetin e Arteve. Ti rishikojmë kushtet në të cilat funksionojnë. Nëse prurjet e të rinjve do të jenë në nivel më të lartë, pika e nisjes do të ishte më e ndryshme. Element tjetër, rritja e cilësisë së kurrikulave pedagogjike.
Hervin Çuli, regjisor: Dy pika themelore dua të shtroj në tryezë. Çështja e parë, shkëputja totale e Ministrisë së Kulturës nga politika. Sot ky institucion është fondacion në shërbim të politikës. Kjo është çështja më e rëndësishme ku duhet një ndryshim rrënjësor. Çështja e dytë, njëherë e përgjithmonë duhet tua kthejmë artin dhe kulturën shqiptarëve.
Akademiku dhe kompozitori Vasil S. Tole: Fondi i projekteve për artin, kulturën dhe trashëgiminë kulturore është tërësisht i pamjaftueshëm dhe demagogjik. Rreth 65% e projekteve që kërkojnë mbështetje financiare te ky fond nuk shqyrtohen, pasi nuk ka para të mjaftueshme për të mbështetur shumicën e projekteve të paraqitura nga institucionet publike dhe private. Vitin e kaluar nuk u dha asnjë informacion mbi masën dhe numrin e projekteve artistike që u mbështetën, ndërkohë që vendi nga Veriu në Jug nuk ndjeu asnjë lloj veprimtarie artistike të organizuara me mbështetjen e MTKRS-së. Prej së paku 10 vjetësh nuk ekziston asnjë fond buxhetor dedikuar posaçërisht muzikës kombëtare.
Artan Shkreli, arkitekt: Problemi është se janë çmendur të gjithë në të njëjtën kohë. Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, është thënë se do të restaurohen minaret e katër xhamive më të mëdha në vend. Me rastin e pavarësisë nga Turqia ne do të restaurojmë simbolet e myslimanizmit dhe të Turqisë. Këto mund të restaurohen nga institucionet përkatëse, por jo pse është 100-vjetori i pavarësisë. Restaurimet e monumenteve të kulturës duhen bërë të integruara. Gjithashtu kërkohet decentralizim të përgjegjësisë në sektorin e trashëgimisë, të ngrihen autoritete rajonale që do të monitoronin trashëgiminë në nivel rajoni dhe një autoritet qendror që do të monitoronte këto autoritete.
Programi
. Shqipëria europiane, si pjesë e Europës.
Kooperimi kulturor në rajonin, si një shtyllë kryesore e politikave kulturore.
. Trashëgimia kulturore si një pasuri, e cila nuk mund të lihet më tutje në degradimin që po e bjerr në mënyrë të përvitshme.
. Administrim kulturor për të reformuar të gjithë mekanizmin shtetëror të kulturës sot dhe për ta kthyer në një mekanizëm efikas, i cili të mund tu përgjigjet sfidave që ne kemi në këtë drejtim.
. Arti dhe kultura si krijimtari e mirëfilltë, që shtrihet që nga
artet e bukura, te artet skenike, te kinematografia e sigurisht shkon deri te libri dhe te politikat me librin.
. Administrim tërësisht tjetër i kulturës dhe një konceptim tërësisht tjetër i mënyrës se si funksionon i gjithë mekanizmi shtetëror që financohet nga taksat e shqiptarëve për kulturën.
ARISTIR LUMEZI