Berisha: Rama do ikë si Fatos Nano e Ramiz Alia

Berisha dje në Parlament
Kryeministri i përgjigjet pas 24 orësh interpelancës së kërkuar nga deputeti i PS, Taulant Balla.
Balla: Shkëlzeni, 200 mijë euro, Berisha: Asnjë nga sektori publik.
Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë për rritjen e nivelit të korrupsionit në vend. Në një interpelancë të kërkuar 24 orë më parë dhe të zhvilluar në seancën e djeshme, kreu i qeverisë, Sali Berisha, iu përgjigj akuzave të deputetit të PS-së, Taulant Balla, edhe për pasurinë e djalit të tij, 21 janarit dhe ngjarjeve të Gërdecit.
Korrupsioni
Duke cituar raportet ndërkombëtare, deputeti Balla u shpreh se korrupsioni në vend ka shënuar rritje. Ryshfet në çdo derë spitali, nuk të prek njeri me dorë po nuk pagove, por ryshfet edhe për tu punësuar si infermiere apo doktor. Dy milionë lekë marrin sekserët, por edhe ndonjë deputet maxhorance për të futur në punë një infermiere. Ryshfet në shkolla, ryshfet dhe korrupsion për të marrë diploma universiteti, u shpreh deputeti socialist. Në përgjigje të këtyre akuzave, kreu i qeverisë tha se korrupsion ka, por ai është luftuar gjatë këtyre shtatë viteve. Sigurisht, ka korrupsion, por ka korrupsion dhjetëra herë më pak se sa kishte. Ne privatizuam dhe do privatizojmë të gjitha sipërmarrjet, sepse korporatat, për definicion, ishin trupa gjigante korrupsioni. Nuk e dini që e keni koleg e superstar në Partinë Socialiste njërin që mallkastriotët thonë se i drejtonte trenat me naftë, u shpreh Kryeministri.
Djali i Kryeministrit
Një tjetër akuzë e deputetit socialist kishte të bënte me pasurinë që ka deklaruar djali i Kryeministrit, Shkëlzen Berisha. Sipas tij, 200 mijë euro të fituara vitin e kaluar nuk janë specifikuar se nga kanë ardhur. Çka në deklaratën e pasurisë së Saliut? Shkëlzen Berisha: Të ardhura neto nga aktiviteti privat në fushën e pasurive të paluajtshme 200 000 euro. Në fakt, ligji të detyron që të deklarosh përmes një përshkrimi të hollësishëm: emërtimin e kompanisë aktivitetit, adresën, numrin e regjistrit publik, statusin, objektin e veprimtarisë, funksionin, natyrën e angazhimit. Mungesa e përshkrimit të hollësishëm është në kundërshtim me ligjin, zoti Kryeministër, dhe meqenëse po flasim për korrupsionin, ju lutem jepni shpjegime të hollësishme, tha Balla. Nga ana e tij, kreu i qeverisë u shpreh se nëse djali i tij ka pasur të ardhura nga pasuri publike, ato duhet ti konfiskohen. Berisha kujtoi gjatë interpelancës së djeshme faktin që fëmijët e tij, të padetyruar nga ligji, kanë deklaruar pasurinë. Përsa i përket sulmit personal që bërë ndaj djalit tim, ke një proces gjyqësor me të. Por, një gjë dua tu them shqiptarëve, është ky Kryeministër që ka vendosur pa u amenduar ligji që fëmijët e tij të deklarojnë pasurinë. Meqenëse im bir ka deklaruar atë shifër, në qoftë se vetëm 1 euro e ka të garantuar nga marrëdhëniet me sektorin publik, unë kërkoj që ti konfiskohen të gjitha. Ka një kod në familjen time, nuk mund të kenë asnjë lidhje me sektorin publik, u shpreh më tej kreu i Ekzekutivit.
21 janari
Deputeti i PS-së, Taulant Balla, duke akuzuar qeverinë për korrupsion, u shpreh se dy ngjarjet e kaluara, Gërdeci dhe katër viktimat e 21 janarit, nuk do të konsiderohen të mbyllura pa u gjetur autorët. Gërdeci dhe 21 janari janë plagë që nuk do të mbyllen kurrë pa u vendosur para drejtësisë autorët dhe urdhëruesit e vërtetë, u shpreh deputeti i opozitës. Duke e quajtur Ballën të keqpërdorur për ngjarjet e 21 janarit, Berisha tha se përgjigjen që mori Rama më 8 maj do ta marrin të gjitha ata që do të synojnë të përmbysin pushtetin me dhunë. E vërteta është që ai që ishte para këtij, me të gjitha problemet, përplasjet, por në mënyrën më të pamohueshme disa hapa shumë të rëndësishme bëri në drejtim të reformimit. Kurse ky që erdhi pas, të vetmen reformë që bëri, mblodhi çunat e Bllokut dhe i vuri në krye të PS-së. Dhe sulmoi një ditë qeverinë legjitime për ta përmbysur. Sulmoi për të përmbysur qeverinë legjitime në emër të etërve në një hakmarrje të verbër primitive. Morën përgjigjen që meritonin. Po ju garantoj që siç iku i pari Ramiz Alia, siç iku i dyti, i treti më 8 maj, do të ikë i katërti, i pesti, i gjashti e me radhë, sa herë të vazhdohen në këtë linjë.
Balla
Mubaraku e kishte kaluar moshën për të qëndruar vetë në këmbë kur i erdhi dita për të dalë para drejtësisë. Ndoshta jeta do të të japë një shans për të qenë më e mirë për ty nëse zbardhjen e krimeve ia beson shtetit ligjor. Luftën kundër korrupsionit ne do ta fitojmë, ti ke dhe pak ditë kohë.
Berisha
Parafolësi është një i dënuar nga gjykatat e vendit për shpifje dhe ulet këtu si i vetmi deputet i dënuar për shpifje, por duhet të jemi realistë. Në një stan ku jeton, sa më shumë shpif, aq më shumë lartësohet, u shpreh kreu i qeverisë në fillim të interpelancës me Taulant Ballën.
Akuzat
Ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë replikave në Kuvend me deputetët e opozitës deklaroi dje se të majtët po manipulojnë personat me aftësi të kufizuara për qëllime elektorale. Sipas Bodes, qeveria do tu japë këtyre shtresave 25 milionë dollarë në vit dhe kjo do të shpërndahet me skemën e re, duke shmangur abuzimet. Ju e keni hallin te votat. U jeni kthyer viktimave të punës, për ti manipuluar dhe për ti kthyer kundër qeverisë. Ajo që ju po bëni është një farsë, sepse nuk ju digjet barku as për të verbrit, as për ish-të përndjekurit, deklaroi Bode.
Ditëlindja: Berisha dhe Topalli urojnë Daden
Edhe pse debatet në Kuvend u shoqëruan dje me tone të larta midis deputetëve të maxhorancës dhe opozitës, në seancë nuk munguan dhe urimet me rastin e përvjetorit të deputetes së PS-së, Arta Dade. Kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kanë uruar dje deputeten e Partisë Socialiste, Arta Dade, për 59-vjetorin e lindjes. Përvjetori i zonjës Dade është uruar edhe nga deputetët e PS-së, të cilët i kanë dhuruar buqeta me lule. Zonja Dade ka falënderuar kolegët për urimet në sallë edhe në ambientet e jashtme të Parlamentit.
Berisha: Blendi Klosi, numërues tradhtar i PD

Blendi Klosi
Kreu i qeverisë, Sali Berisha, ka replikuar dje me sekretarin Organizativ të PS-së, Blendi Klosin, duke thënë se ky i fundit kishte numëruar votat e PD-së në vitin 1996. Berisha, duke ironizuar Klosin, e ka quajtur atë si një komisioner tradhtar që kaloi në kampin kundërshtar. Zoti Klosi, ta dinë shqiptarët edhe socialistët se ti je i vetmi njeri në këtë sallë që më ka tradhtuar dhe i kam thënë që nuk ta quaj. Ka qenë ish-numëruesi im në vitin 1996, Blendi Klosi që ndërroi kampin dhe qesh për çdo gjë që i vjen. Betohu me çtë duash, unë do të vazhdoj të sjell ty firmën që kë vënë si numërues i PD-së. Ndërkaq, sekretari Organizativ i PS-së ka mohuar akuzuat e Kryeministrit Berisha duke i cilësuar si mashtrime politike. Ajo sfidë që unë mund tju bëj ua kanë bërë dhe kolegë të tjerë, nxirrni firmën time që unë kam qenë numërues i PD-së dhe unë jam dakord që ta dorëzoj mandatin. Po ku ke pasur nevojë në 96 për numërues, ti i vodhe të gjitha, theksoi Klosi.
20-vjet