E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Shqipëria ka rritje të kulturës politike

Presidenti Topi merr titullin Dr. Honoris Causa

Presidenti Bamir Topi mori dje në Stamboll titullin Dr. Honoris Causa

Kemi forcim të institucioneve të pavarura kushtetuese

Presidenti Bamir Topi mori dje në Stamboll titullin Dr. Honoris Causa të Shkencave Politike nga kryetari i Bordit Drejtues të Universitetit Ajdën dhe njëkohësisht president i Unionit të Universiteteve Euroaziatike (EURAS), dr. Mustafa Ajdën. Presidenti i Unionit, Ajdën, pasi bëri një prezantim të përmbledhur të veprimtarisë akademike, shkencore, publicistike, universitare, pedagogjike dhe politike të Presidentit Topi, i dorëzoi kreut të shtetit titullin e lartë akademik Dr. Honoris Causa të Shkencave Politike, të miratuar nga Senati i këtij Universiteti, me motivacionin: Për arritjet kombëtare dhe ndërkombëtare në karrierën politike. Për kontribute në sigurimin e paqes dhe qëndrueshmërisë në Shqipëri dhe në Ballkan. Në fjalën e mbajtur në Konferencën e Liderëve, Topi nënvizoi se vende që deri dy dekada më parë jetonin në izolim politik dhe ekonomik, vende që vetëm një dekadë më parë u dhanë fund luftërave etnike dhe nacionaliste dhe që sot në pjesën më të madhe të tyre janë anëtare në NATO apo pranë anëtarësimit në Bashkimin Europian, – mbartin në vetvete simbolikën e ndryshimit historik, transformimit të jashtëzakonshëm, sidomos në aspektin politik dhe shoqëror. Kreu i shtetit evidentoi faktin se në dallim nga vendet e ish-Jugosllavisë, Shqipëria kishte një përjashtim: ishte vend tërësisht i izoluar, ku ndalohej me Kushtetutë shkëmbimi ekonomik me jashtë, besimi në Zot dhe lëvizja jashtë kufijve shtetërorë. Duke e vënë theksin te progresi i dukshëm i Shqipërisë në dy dekadat e fundit, në politikën e brendshme dhe objektivat e saj në politikën e jashtme, me anëtarësimin në NATO dhe me aspiratën për anëtarësim në Bashkimin Europian, Presidenti Topi tha se Shqipëria ka raporte politike aktive, marrëdhënie ekonomike dhe klimë miqësore bashkëpunimi me të gjitha vendet ballkanike dhe se pavarësisht problemeve që shfaqen në procesin e konsolidimit politik, në tërësi kemi një ndryshim radikal pozitiv në rritjen e kulturës politike, pjesëmarrjes qytetare si dhe forcimit të shtetit të së drejtës dhe të institucioneve të pavarura kushtetuese. Topi shprehu interesin dhe gatishmërinë e Shqipërisë për të qenë aktive në nisma e projekte konkrete bashkëpunimi në të gjitha aspektet e bashkëpunimit kulturor e arsimor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›