Besnik Fuçia: Jo më mafie tokash në Kashar
Kashari voton sot për kreun e ri të komunës
Fuçia bashkon të djathtën në Kashar
Demokratët kërkojnë sot një tjetër fitore në Kashar, por këtë radhë duke vënë në krye të komunës një ekonomist të zotin dhe të pakorruptuar. Duke pasur përvojën e hidhur të ish-komunarit të mëparshëm që përfundoi në pranga për shkak të abuzimit me pronat e të tjerëve, PD-ja ka ditur të zgjedhë për siglën e saj, z. Besnik Fuçia, i cili ka dhënë të gjitha garancitë morale, profesionale dhe qytetare se do të zbardhë një herë e mirë problemin delikat dhe aq shumë të përfolur dhe të përbaltur të keqpërdorimit të tokës në këtë zonë. Ndaj banorët e Kasharit votojnë sot për kreun e ri të komunës. Zgjedhjet janë të pjesshme, pasi drejtuesi i kësaj komune u arrestua për përvetësim të pronës së tjetrit me anë të mashtrimit. Në garë janë demokrati Besnik Fuçia, socialisti Sinan Egra dhe Alfred Bakalli, përfaqësues i LSI-së, PDS dhe i PAD-së dhe kandidati i pavarur, Rustem Murati. Por shanset për fitore duket se anojnë nga kandidati i PD-së, z. Fuçia, për faktin se e djathta është e bashkuar në këtë fushatë. Ndërkaq premtimet e kandidatit të PD-së kanë marrë garancinë e qeverisë për zbatimin gjatë mandatit të tij. Kandidati Fuçia ka siguruar banorët e zonës se do t’i japë fund mafies së tokës në Kashar. Ai garanton komunitetin e Kasharit se do të vendosë drejtësinë mbi çështjen e tokës. Pikat ku kandidati i PD-së mbështet fitoren janë: mbështetja e fuqishme në integritetin moral të fisit dhe familjes, veti të njohura nga komuniteti dhe zona përreth, qëndresa, besnikëria dhe këmbëngulja për reformat demokratike në vend, për të fituar drejtësia, ndershmëria dhe e vërteta, ku forca do të jetë në dorën e ligjit dhe jo anti-ligjit. Integriteti vetjak moral, profesional, qytetar, si dhe bindja për ta çuar më parë Kasharin, djepin e vendlindjes. Për të arritur këto, kandidati ka premtuar se do të jetë bashkëpunues me të gjithë qytetarët e ndershëm, pa përkatësi politike, fetare apo krahinore për të kthyer besimin e nëpërkëmbur tek institucioni i qeverisjes vendore dhe të zgjedhurve lokalë. Kjo do të arrihet nëpërmjet ndërtimit të një administrate të përgjegjshme, profesionale dhe humane në shërbesë të komunitetit të Kasharit, si dhe për ruajtjen e administrimin me rigorozitet të fondeve publike, për t'i kthyer ato në resurse për komunitetin dhe zhvillimin urban. Për këtë, - shprehet ai, - do të nxis mbështetjen me projekte, lehtësime administrative, politika të reja ndaj bizneseve të zonës dhe resurseve të saj natyrore, me qëllim të hapjes së vendeve të reja për punësim, kryesisht nëpërmjet turizmit familjar që për zonën tonë duhet të zhvillohet sipas një strategjie të studiuar, përcaktuar dhe llogaritur me përkushtim. Kandidati Fuçia ka premtuar se në punën e tij do të luftojë për krijimin, mirëmbajtjen dhe shtrimin e një rrjeti infrastrukturor, bashkëkohor shërbimesh në arsim, shëndetësi dhe fusha të tjera të aktivitetit në komunitet për ta çuar më tej dëshirën për zhvillim, kulturë dhe qytetari, për t'iu përgjigjur programit ambicioz të qeverisë "Berisha". Nisur nga profesioni i tij si ekonomist, kandidati Fuçia ka shprehur bindjen se si përparësi dhe obligim moral, politik, atdhetar dhe qytetar, do të ketë krijimin e një klime të favorshme për zhvillimin e bujqësisë, për të nxitur fermerët që produktet e tyre bujqësore e blegtorale t'ia afrojnë Tiranës nga kopshtet "bio" të Kasharit.