Zgjedhjet e sotme, me sistemin e vjetër zgjedhor
Në Komunën e Kasharit sot do të votohet me sistemin e vjetër zgjedhor, ku lejohet përdorimi i certifikatave. Nëpërmjet një vendimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është vendosur që zgjedhësit do të ushtrojnë të drejtën e votës në këtë proces elektoral, në rast se paraqesin para KQV-së një nga dokumentet zyrtare të identitetit si letërnjoftim, pasaportë apo certifikatë lindjeje me fotografi. Sipas vendimit të KQZ-së, në rast se të paktën 2 anëtarë të KQV-së ngrenë dyshime për vërtetësinë e certifikatës së paraqitur nga zgjedhësi, kjo e fundit dorëzohet në KQV dhe administrohet prej saj, zgjedhësi nuk pengohet të votojë. Për postin e kryetarit të kësaj komune, shumë afër me kufirin e verdhë të kryeqytetit shqiptar, kandidojnë Besnik Fuçia i Partisë Demokratike; socialisti Sinan Egra, Alfred Bakalli përfaqësues i LSI-së, PDS dhe i PAD-së dhe kandidati i pavarur, Rustem Murati. Në 2007-n, zgjedhjet lokale në këtë komunë i fitoi PD-ja, por tani ai gjendet në pranga. Ky fakt do të jetë një minus për kandidatin e PD-së, Fuçia. Ndërsa më të lehtë duket se e ka Sinan Egra, kandidati i PS-së, i cili ka qenë edhe më parë kryetar i kësaj komune dhe e njeh më mirë zonën. Alfred Bakalli, kandidati më i ri edhe në moshë, duket se i ka qëllimet e qarta dhe shprehet për një fitore të sigurt. Në garë është edhe Rustem Murati, i pavarur, por duket që do të jetë një kërcënim për partitë e mëdha, pasi mund t'u ndahen votat.