E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni dhe Fini “përshpejtojnë” vizitën në Tiranë



Fini, Topallit: Intensifikim diplomacisë parlamentare

Letta: Italia, mbështetje e fortë e integrimit të Shqipërisë

Kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni, “përshpejton” vizitën e tij në Tiranë, me qëllim rritjen e bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes dy vendeve. Kjo iu bë dje e ditur kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, gjatë takimit që zhvilloi me zëvendëssekretarin e Këshillit të Ministrave të Italisë, Gianni Letta. Duke pritur më shumë kënaqësi ftesën e znj. Topalli për të vizituar Shqipërinë, z. Letta pohoi se "do të përshpejtojë këtë vizitë së bashku me Kryeministrin Berluskoni dhe një grup investitorësh italianë për të rritur kështu bashkëpunimin politik, por edhe atë ekonomik mes të dy vendeve. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, e cila ndodhet në Itali e ftuar nga kryetari i Parlamentit, Gianfranco Fini, theksoi se “Italia e sheh me shumë interes Ballkanin dhe në mënyrë të veçantë zhvillimet në Shqipëri”. Ai konfirmoi një mbështetje të fortë e të vazhdueshme të qeverisë italiane për Shqipërinë. Gjatë këtij takimi, duke bërë një pasqyrim të shkurtër të zhvillimeve në Shqipëri, reformave fiskale e politike, Topalli vuri në dukje se “falë një lidershipi të fortë dhe reformave kurajoze, Shqipëria në një kohë rekord po mbyll fazën e ratifikimit të MSA-së”. Duke shprehur vlerësimet për mbështetjen e Italisë në të gjitha proceset integruese, Topalli tha se “e konsiderojmë partnerin tonë kryesor në rrugën drejt integrimit euro-atlantik”. Ndërkohë nga ana e tij, z. Letta vlerësoi hapat e bëra nga Shqipëria, rolin e Kuvendit dhe veprimtarinë e kryetares Topalli “si avokate e fortë e Shqipërisë”. Ai garantoi një mbështetje të vazhdueshme të Italisë e veçanërisht të qeverisë italiane për Shqipërinë. Po dje, kryetari i Parlamentit italian, Gianfranco Finni, konfirmoi se më 15 shtator do të jetë në Tiranë për një vizitë zyrtare, duke iu përgjigjur kështu ftesës së bërë pak kohë më parë nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë. Sipas njoftimit të Parlamentit, “në kuadër të intensifikimit të diplomacisë parlamentare, kjo vizitë e z. Finni është e një rëndësie të veçantë për marrëdhëniet dy dhe shumë palëshe dhe vjen në një moment, kur Shqipëria po përmbyll fazën e ratifikimit të MSA-së dhe shpreson të bëhet anëtare e NATO-s vitin e ardhshëm”. Topalli zhvilloi një takim dhe me kryetaren e Parlamentit të Serbisë, Slavica Djukic-Dejanovic. Kryetarja Topalli e uroi zonjën Slavica Djukic-Dejanovic për zgjedhjen e saj, duke theksuar “domosdoshmërinë e bashkëpunimit të të gjitha vendeve të rajonit për objektivat e përbashkëta integruese, tashmë që Ballkani ka hedhur pas të shkuarën dhe reflekton paqe e stabilitet”. Topalli ka shprehur besimin e saj se “duke qenë së bashku me kryetarët e parlamenteve të Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë dhe vendeve të tjera me në krye Presidentin e Parlamentit italian ishte një rast i shkëlqyer për të diskutuar mbi progresin që ka bërë rajoni dhe progresin që këto vende kanë bërë individualisht mbi orientimin e tyre”. Më tej kryeparlamentarja shqiptare tha se “ky është një mesazh i mbështetjes që Italia i bën perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit në këtë proces”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›