Berisha : Stop piraterisë, pronësia intelektuale e paprekshme
- Fjala e Kryeministrit Sali Berisha, në mbledhjen e Grupit parlamentar të PD-së
Në mbledhjen e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të zhvilluar të hënën, Kryeministri Sali Berisha u ndal në disa çështje të rëndësishme. Kryeministrit mbajti këtë fjalë:
"Ju informoj se gjatë këtyre dy javëve të fundit janë zhvilluar negociata intensive, të cilat çojnë drejt konkretizimit të sigurt të projektit më madhor që ne kemi në infrastrukturë, projektit Durrës-Qafë Morinë. Ne do ta bëjmë rrugën dhe besoj se kjo është një dëshirë e të gjithë shqiptarëve. Kjo rrugë ka një rëndësi të jashtëzakonshme për fluksin turistik dhe për shumë aspekte të tjera. Negociatat kanë ecur mirë. Vendosmëria jonë është shumë e prerë dhe ne jemi të vendosur që të kemi buxhet kontributor madhor në ndërtimin e saj. Banka ka ofruar gatishmërinë e saj për financim dhe ne jemi shumë mirënjohës. Javën që vjen shpallet tenderi për segementin Milot-Rrëshen. Më pas shpallet tenderi për segmentin Morinë-Kukës dhe në vazhdim tenderi për segmentin Kukës-Kalimash. Ne jemi të vendosur që të operohet në disa segemente në mënyrë që koha e investimit të kësaj rruge të jetë më e mundshmja e shkurtër që mund të jetë. Mbetet për tu negociuar me bankën edhe hapja e mundësisë së kompanive shqiptare për të marrë pjesë në këtë projekt pasi ligjet e prokurimeve të këtyre institucioneve, por dhe ligji ynë, përcaktojnë shifra xhiroje të mëdha, të cilat ndoshta të mara veças kompanitë shqiptare nuk i kanë, por që së bashku kanë krijuar një eksperiencë shumë të mirë dhe ne do përpiqemi të negociojmë, duke mbetur të hapur për kompanitë e huaja. Sigurisht nuk bëjmë asnjë përpjekje për të favorizuar këtë apo atë kompani, por edhe pas 15 vitesh këto kompani kanë krijuar edhe ekspertizën e tyre të madhe, kanë bërë punime cilësore. Ky projekt përbën një përparësi të madhe kahas atij Lushnjë-Vlorë.
Vendimi për nepotizmin është pritur jashtëzakonisht mirë nga qytetarët. Ka krijuar interetime aty ku ka konflikt interesi sepse unë mund t'u them se ka patur familje pushtetarësh me tetë vetë në dogana, me 6 veta, sikur të kishin lindur doganier gjenetikisht, ose zyrtarë që marrin dhe punësojnë njerëzit e tyre në punë. Kjo është gjëja më e thjeshtë por ne duhet të mendojmë se ka dhe të tjerë. Që kur është krijuar shteti një nga plagët e tij konsiderohet nepotizmi. S'ka patur asnjë lloj qëllimi dhe është absurde të mendosh se iu shkelkan të drejtat në qoftë se nuk punësoshesh në dogana. Unë shoh se vendimi është pritur jashtëzakonisht mirë nga qytetarët dhe ata janë barometri i qeverisjes.
Po kështu zhurma që bëhet për ndryshimin e bordit të mediave, ne jemi zotuar për një qeveri të vogël, bord me 15 vetë nuk gjen kurrë, së pari. Së dyti, cila ishte kjo praktikë e tyre më thoni. Ishte korrupsion dhe pirateri. Të dashur deputetë ishte qartësisht korrupsion dhe pirateri. Tani unë duhet t'i garantoj këta gazetarët se në mënyrë absolute, të raportojnë si të duan dhe do të respektohen përfundimisht. Edhe kur raportojnë drejt edhe kur kritikojnë drejt, le të kritikojnë sa të munden por edhe ata që sillen si skllevër të krimit dhe mafjes do te respektohen pa asnje lloj mëdyshje dhe kjo nuk ka të bëjë kategorikisht me profesionin dhe lirinë e mediave, përkundrazi do ta zgjerojnë lirinë e mediave. Nuk do të ketë asnjë ndërhyrje në lirinë e fjalës dhe të mediave nga ana e administratës. Në mënyrë kategorike do të konsiderohet e tejskajshëme çdo përpjekje, por liria e mediave është një gjë, kurse korrupsioni është gjë tjetër. Vërtet ti i nderur zotëri që bën pirateri nga mëngjesi deri në darkë, je pasuruar. Por Shqipëria damkoset. Nga një shtet serioz, që duhet të shkoj drejt perëndimit, futet në një rreth të kuq, si një shtet pirat dhe natyrisht fëmijët e tu pasurohen dhe kalojnë nga vila në vilë, nga luksi në luks, por ato që penalizohen janë fëmijët e qytetarëve shqiptarë, të cilët detyrohen të ecin me ritmin e breshkës drejt perëndimit, sepse si piratë askush nuk i pranon. E treta, pronësia intelektuale, është absolutsht një nga pronësitë më të paprekshme. Dy javë më parë kam porositur ministrin e Arsimit të arrijë marrëveshjen me Bill Gate, për mikrosoftin. Pse ne duhet t'i përdorim programet e tij të marra në mënyrë pirate, jo zotërinj. Ne jemi shtet dhe do t'i blejmë. Ne mund t'i kërkojmë atij të na bëjë një zbritje (discount). Ne aplikojmë për millenium dhe marrim miliona e miliona dhe pretendojmë të marrim më shumë miliona nga taksapaguesit amerikan. Ne ju jemi mirënjohës për xhenerozitetn, por dhe ne kemi disa detyrime. Kemi detyrimin të mos vjedhim dhe plackitim krijimin e intelektulëve të tyre, por ta blejmë, ta fusim në treg se ata nuk bllokojnë asgjë, siç bën një vend serioz.Çfarë bëri binomi Blushi-Lalaj? Binomi Blushi-Lalaj krijoi një mjerim në këtë fushë dhe ata që kërkojnë t'i paraqesin ata si gardian të fjalës së lirë apo të standarteve, ata përqeshin veten e tyre. Ne këtu do të jemi, ia kemi dorëzuar edhe parlamentit, qeveria s'ka marrë përsipër të propozojë asnjeri dhe unë iu bëj thirrje të vendosni në krye të këtyre institucioneve njerëzit më seriozë, njerëzit të cilët e nxjerrin Shqipërinë nga një shtet pirat, në një shtet normal serioz. Kjo është një formë kontrabande nga më amoralet. Për çka do vjedhësh ti, paguaj. Ndaj dhe ju ftoj që të zhvilloni negociata, një gjë do t'iu them këtu. Nuk kam ndërmend që Lalajn dhe Blushin, këta eksponentë të ekstremit të majtë shqiptar t'i zvendësoj me njerëz me tagër partiakë, por të gjejmë njerëz sa më të lirë, më të pavarur, që njohin mediat, që nuk janë të kapur dhe t'i vendosim, të ndërtojmë institucionet të cilat i shërbejnë shoqërisë shqiptare. I garantojë gazetarët se qeveria dhe administrata do të jetë tërësisht e hapur ndaj tyre, do t'i respektojë ata dhe të gjitha raportimet e tyre, pavarësisht nëse janë kritike ajo është për zgjedhjen e tyre dhe ne nuk u ndërhyjmë fare në profesion. Natyrisht nuk mund të mos kem dhimbje të thellë për shkak të respektit dhe dashurisë që unë kam për ta, por i shoh të keqtrajtohen në mënyrë të papranueshme nga faktorët e tjerë dhe të ndikohet në liritë e tyre, por këto janë probleme të cilat vetë ata duhet të orgnizohen. Unë jam i detyruar të shoh në rradhë të parë që Shqipëria është vend pirat, shtet pirat apo vend serioz. Për të tjerat u takon vetë gazetarëve që të jenë të mbrojtur nga të gjitha ndikimet."