Z. Berisha: Fondi i dhënë nga qeveria amerikane, një zhvillim shumë i rëndësishëm financiar, moral, politik dhe cilësor për qeverinë
Kryeministri Sali Berisha përshëndeti të enjten vendimin e qeverisë së SHBA-së për ndihmën financiare që i ka akorduar Shqipërisë, në kuadër të programit Fondi i Mijëvjeçarit. Duke shprehur mirënjohjen ndaj Presidentit Bush dhe qeverisë amerikane, z. Berisha theksoi se "fondi i dhënë nga qeveria e SHBA-së dhe Presidenti Bush, përbën një ndihmë tepër të çmuar, sepse ai fond adresohet në disa projekte të rëndësishme, në luftën kundër korrupsionit, administrimit fiskal, ngritjen e ombudsmanit të prokurimeve publike dhe konkretizimit të projektit "one stop shop" për biznesin. Fakti që këto projekte janë vlerësuar dhe kanë marrë financimin e tyre përbën një zhvillim shumë të rëndësishëm si financiar, moral, politik dhe cilësor për qeverinë. Me këtë rast dua të garantoj se këto projekte do t'i shërbejnë ndryshimit të gjendjes në Shqipëri".