Berisha: Shkolla moderne është kusht vendimtar për të kapur të ardhmen për Shqipërinë dhe shqiptarët
- Kryeministri merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të laboratorit kompjuterik në shkollën e mesme "Asim Vokshi"
Kryeministri Sali Berisha ishte i pranishëm të premten në përurimin e laboratorit kompjuterik të Shkollës së mesme teknike Ekonomike "Asim Vokshi", në Tiranë, një investim i Raiffeissen Bank në bashkëpunim me Infosoft.
Në ceremoninë, ku ishin të pranishëm drejtori i Raiffeissen Bank, Steven Grunerud, ministri i Arsimit dhe Shkencës Genc Pollo, si dhe mësues e nxënës të kësaj shkolle, Kryeministri Berisha mbajti një fjalë:
"Së pari, dëshiroj t'ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe në emër tuaj t'i shpreh një mirënjohje të thellë z. Grunerud, Bankës Raiffeissen, që me kaq shpejtësi iu përgjigj thirrjes sonë. Ajo adapton një shkollë për ta futur atë në kohën e internetit dhe të teknologjisë së informacionit. Nisma që pak muaj më parë dukej e largët bëhet realitet për shkollën tuaj. Raiffeissen ka marrë përsipër pajisjen me kompjutera për një seri shkollash.
Edhe një herë dua t'i shpreh mirënjohjen e thellë timen dhe tuajën. Sikur dua të ftoj të gjitha bizneset shqiptare të adaptojnë një shkollë, si një vendosmëri e tyre për të shkuar drejt të ardhmes. Sepse në rast se ti hedh sytë drejt një shkolle ke hedhur sytë drejt të ardhmes. I siguroj ata se çdo sponsorizim drejt shkollave do të ketë mbështetjen e qeverisë, do të jetë i përjashtuar nga çdo taksë.
Unë ju siguroj ju se qeveria është shumë e vendosur të modernizojë shkollat. Shkolla moderne për fëmijët shqiptarë. Ky është zotimi ynë solemn. Krahas shtrirjes së internetit në çdo klasë, gjer në vitin 2007, Tirana dhe qytetet e mëdha të vendit nuk do të kenë klasa me mbi 30 nxënës. Unë ju siguroj ju se forca e ligjit do të detyrojë autoritetet lokale që paratë e përcaktuara për ngrohjen tuaj, të cilat janë paratë e nënave, baballarëve tuaj, që ata paguajnë si taksa, të mos mund të shpërdorohen, por të përdoren për ngrohjen e shkollave në Tiranë dhe në mbarë vendin.
Dua t'i garantoj mësuesit se ndryshimi cilësor i jetës së tyre konsiderohet nga qeveria si një kusht kryesor për ndryshimin e shkollave dhe të sistemit arsimor në Shqipëri. Edhe një herë dua t'i jap një falenderim të përzemërt Raiffeissen-it për nismën e kreditimit të mësuesve për strehim. Unë dëshiroj t'i siguroj mësuesit se qeveria do të studiojë edhe ajo nismat e veta, në mënyrë që të lehtësojë jetën e tyre. Ne jemi të vendosur të dyfishojmë rrogat e arsimtarëve brenda këtyre katër vjetëve. E kemi nisur këtë proces dhe do t'i përmbahemi. Jemi shumë të vendosur në programin tonë që të rrisim në mënyrë shumë të ndjeshme arsimin profesional të të rinjve tanë. Marrëveshja e stabilizim–asiociimit është detyrim madhor i yni, që shkollat shqiptare të arrijnë standartet e shkollave europiane në të gjitha aspektet. Ne nuk mund të kemi integrim real në Europë, pa shkolla europiane. Unë do ta mbyll këtë fjalë të shkurtër duke iu premtuar ju se këto zotime do të shndërrohen në realitet, duke u bërë thirrje edhe një herë të gjitha bizneseve private, korporatave shqiptare, edhe atyre publike, të kthejnë sytë nga shkollat, t'i mbështesin, t'i modernizojnë. Shkolla moderne është kusht vendimtar për të kapur të ardhmen për Shqipërinë dhe shqiptarët".
Investimi i Bankës Raiffeissen, në bashkëpunim me Infosoft, në projektin për modernizimin e shkollave dhe shtrirjen e teknologjisë së komunikimit në to kap vlerën 75 mijë euro. Dy laboratorte në Tiranë dhe një në Rubik janë përfunduar, ndërkohë që 7 laboratorë të tjerë janë duke u ngritur në shtatë rrethe kryesore të vendit. Lista e shkollave ku do të ngrihen këta laboratorë është marrë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, dhe janë ato shkolla që nuk kanë patur një laborator të tillë. Formati i laboratorëve është 15 kompjutera për nxënësit dhe 1 kompjuter për mësuesit.