E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e kryeministrit Sali Berisha në takimin e Këshillit të Ministrave të Kulturës së Europës Juglindore

Kryeministri Sali Berisha përshëndeti, të enjten, takimin e parë në Tiranë të Këshillit të Ministrave të Kulturës së Europës Juglindore, ku Shqipëria mban Presidencën e radhës. Në fjalën e tij përshëndetëse z. Berisha u shpreh:

"I nderuar zoti ministër,
Të nderuar zotërinj ministra dhe përfaqësues zyrtarë të kulturave të vendeve mike,
Shkëlqesinj ambasadorë,

Është vërtetë një privilegj i veçantë për mua dhe një kënaqësi e madhe t'ju përshëndes ju shumë përzemërsisht në këtë takim të Këshillit të Ministrave të Kulturës të Europës Juglindore dhe në emër të qeverisë t'ju uroj mirëseardhjen në Tiranë, të shpreh kënaqësinë se ky takim zhvillohet pas një dite, që unë do ta quaja një ditë të madhe europiane për Shqipërinë.
Ne kemi fatin e madh që jetojmë në një rajon, ku kulturat, besimet fetare, traditat, historia i kanë dhënë atij një vend sa epik, aq dhe perspektiv, i kanë dhënë atij një rol parësor në kontributin e tij në qytetërimin e sotëm perëndimor. Europa juglindore është djepi i këtij qytetërimi. Popujt tanë në shekuj e mijëvjeçarë thurën, endën, kultivuan kulturat, të cilat përbëjnë një trashëgimi të madhe e të pasur jo vetëm për këta popuj, por për mbarë qytetërimin. Janë pikërisht këto trashëgimi të mëdha kulturore që bënë që për shumë prej kombeve, të cilat sapo dolën nga diktatura të egra, të rikthehet e gjallë dhe e fuqishme ëndrra e integrimit europian, si një dëshmi e përkatësisë europiane e identitetit europian të kulturave tona, të kombeve tona. Kultura është identiteti, kultura është vetë thelbi i ndërgjegjes së një kombi. Ndaj kombet tona faktojnë dhe provojnë se janë shumë të hapura, të afta për të bërë të tyren elemente të reja të kulturës europiane, aqui communitaire e shumë të tjerë. Duke patur trashëgiminë e madhe kulturore si më të çmuarën e të gjitha trashëgimive të tjera, kombet tona kanë një perspektivë të madhe në miqësinë e bashkëpunimin midis tyre, sepse në shekuj dhe mijëvjeçarë dialogu, bashkëpunimi, huazimi te njëri-tjetri, miqësia kanë qenë dominuese në krahasim me periudhat e keqkuptimeve, pamundësive, kundërshtive. Në këtë aspekt, të gjitha kombet e këtij rajoni sot janë të përgatitura për dialog, janë të përgatitura për mirëkuptim dhe bashkëpunim.
Bashkëpunimi në fushën e kulturës është një bashkëpunim cilësor. Sa më shumë ta intensifikojmë këtë bashkëpunim, sa më shumë të shpalosim tek njëri tjetrin vlerat e kulturave tona, aq më shumë do të duam njëri-tjetrin, aq më shumë do të kuptojmë njëri-tjetrin, aq më shumë do të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin në fushën e ekonomisë, në fushën e arsimit, në fushën e integrimit e në të gjitha fushat.
Unë kam bindjen se ky samit i përfaqësuesve zyrtarë të kulturave tona do të jetë një shtytje e madhe, një nxitje për një bashkëpunim miqësor e të gjithanshëm të kombeve tona, për një të ardhme të tyre në Europë, në miqësi, mirëkuptim njëri me tjetrin.
Edhe një herë i uroj suksese takimit tuaj. Shfrytëzoj rastin të përshëndes qeveritë tuaja, të shpreh adminirimin tim për kulturat dhe kontributin që kombët tuaja kanë dhënë në shndërrimin e këtij rajoni në djep të vërtetë të kulturës dhe qytetërimit perëndimor.

Faleminderit."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›