E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha -Task Forcë, sistem on line për pagesën e taksave lokale të biznesit

Mbledhja e djeshme e Task Forcë për reformën rregullatore, e zhvilluar nën drejtimin e kryeministrit Berisha vendosi për pagesat e taksave lokale dhe përshpejtimin e procedurave on-line për pagimin e tyre. Kryeministri Berisha kërkoi që Ministria e Financave të lëshojë udhëzime të reja mbi pagesën e taksave lokale, si dhe detyrimin që ato të paguhen vetëm on-linë. Objekt i kësaj mbledhjeje ka qenë edhe përfundimi i Planeve Urbanistike të qyteteve të vendit, adaptimi i kontratave tip dhe shkrirja e mureve mes Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Zyra e shtypit pranë Kryeministrisë bëri të ditur se në këtë mbledhje u shqyrtua gjerësisht e gjithë problematika dhe rekomandimet e Doing Business mbi klimën e biznesit në Shqipëri. Gjithashtu, Kryeministri kërkoi nga Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit që të kërkojë sjelljen e Planit Urbanistik të Tiranës në KRTSH për miratimin, si dhe kërkoi shpejtimin e përgatitjes së planeve urbanistike të qyteteve të mëdha të vendit, si një kusht përcaktues për përmirësimin e klimës së biznesit. Kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Drejtësisë që të shqyrtojë një për një të gjitha procedurat e bashkëfunksionimit mes Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, si dhe të ndërhyjë në Kodin Civil në funksion të saktësimit të zbatimit të kontratave. Në përfundim të Task Force për Reformën Rregullatore u la si detyrë që në mbledhjen e muajit mars, të shqyrtohen me imtësi zbatimi i këtyre detyrave të dala nga kjo mbledhje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›