Letërnjoftimet elektronike, nis shpërndarja në disa minibashki të kryeqytetit
Ministria e Brendshme deklaroi dje se tashmë kanë filluar punën zyrat e shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike. Sipas kësaj ministrie, zyrat e shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike u hapën në njësitë bashkiake 3, 4, 7, dhe 10, ndërsa sot janë të gatshme për tu shërbyer qytetarëve për tërheqjen e letërnjoftimeve edhe në njësitë 1, 5, 6, 8, 9, dhe 11.
E vetmja njësi bashkiake në Tiranë që nuk e ka çelur ende një zyrë të tillë për arsye ambientesh, është njësia 2, megjithëse letërnjoftimet edhe për këtë njësi janë prodhuar dhe pajisjet janë të gatshme. Ministria e Brendshme i ka bërë thirrje të gjithë atyre qytetarëve që nuk zotërojnë pasaportë të paraqiten pranë zyrave përkatëse për të aplikuar për letërnjoftimin elektronik, pasi kapacitetet janë jashtëzakonisht të mëdha dhe nuk po shfrytëzohen sa duhet. Në rast mosaplikimi do tu nënshtrohen sanksioneve, por shqetësimi ynë kryesor është që të gjithë qytetarët të sigurojnë të drejtën e tyre për të votuar. Ndërkaq, ministria ka bërë me dije se po shpërndahen letërnjoftimet elektronike për personat që kanë aplikuar në javën e parë të aplikimit, ndërkohë qytetarët do të njoftohen në vijimësi për kalendarin e shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike.