Industria tekstile drejt falimentimit, kërkohen lehtësira fiskale
Konfeksionistët kanë diskutuar me përfaqësues të qeverisë për problemet e vërejtura së fundmi në sektorin që merret me prodhimin e veshjeve dhe këpucëve me lëndë të parë nga importi. Eksportuesit më të mëdhenj, bizneset që punojnë me material gjysmë të gatshëm ankohen, se kriza po i çon drejt falimentimit dhe i kërkojnë qeverisë të ndërhyjë urgjent me lehtësira fiskale.
Një tjetër problem i ngritur prej tyre ka qenë edhe rritja e pagave minimale çka sipas tyre u shkaktohet një humbje që vlerësohet me rreth 750 milion lekë në vit, si pasojë e shtimit të kostove të prodhimit. Të dhënat zyrtare tregojnë se industria e Fasonit punëson më shumë se 65 mijë vetë duke u shndërruar në një nga sektorët më të mëdhenj punëdhënës. Konfeksionistët i kanë kërkuar ndihmë shtetit për të dalë nga gjendja e vështirë, ata janë shprehur se përvoja ka treguar se subvencionet apo ndihma direkt nuk është një zgjidhje as e qëndrueshme dhe as efikase. Sipas tyre, qeveria duhet të rrisë konkurrueshmërinë midis kompanive shqiptare, të nxisë diversifikimin të eksporteve që sot janë përqendruar në një grup mallrash, tekstile dhe këpucë, dhe në një shtet Itali, si dhe të rimbursojë sa më shpejt TVSH-në. Qeveria premton ndihmë, ndonëse zëvendësministri Florion Mima tregohet i rezervuar, për të bërë të ditur se cilat do të jenë konkretisht masat lehtësuese. Në vitin 2008 eksportet e Fasonit shënuan rritjen më të ulët historike me vetëm 3 për qind krahasuar me një vit më parë. Fasoni u godit fort dy vitet e fundit nga reforma fiskale, që solli taksën e sheshtë, por dhe rritjen progresive të pagës minimale.