Berisha me Erdogan: Me Turqinë kemi lidhje gjaku

Berisha dhe Erdogan dje gjatë takimit
Berisha pritet nga homologu i tij turk në Ankara. Investimet turke, 1 miliard USD.
Kryeministri: Snjoh turk të mos ketë gjak shqiptar në deje.
Pas vizitave me kreun e shtetit turk dhe kreun e Asamblesë Kombëtare, Kryeministri Berisha është ndalur në një takim kokë më kokë me homologun e tij, Rexhep Taip Erdogan. Pas bisedës, krerët e qeverive dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve. Në fjalën e tij Kryeministri Erdogan e cilësoi Shqipërinë si një aleate strategjike në Ballkan, ndërsa Kryeministrin Berisha si një mik të shtrenjtë. Dëshiroj të falënderoj Kryeministrin e Shqipërisë, mikun e shtrenjtë, zotin Sali Berisha. Shqipëria është aleate strategjike e Turqisë në Ballkan. Sigurisht që vizitat e ndërsjella kanë ndikuar në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Unë, kur kam vizituar Shqipërinë, kam ndjerë emocione të veçanta. Zoti Sali Berisha e vizitoi vendin tonë në 2006-n dhe gjatë kësaj vizite në të gjitha takimet që ne kemi bërë kemi marrë në shqyrtim tema, të cilat i përkasin bashkëpunimit mes dy vendeve tona, u shpreh kreu i qeverisë turke. Në këtë pikë nuk mbeti mbrapa as Kryeministri Berisha, i cili tha në mbyllje të fjalës së tij, përpara se nisnin pyetjet gazetarët, tha: Edhe një herë, zoti Kryeministër, dua tju falënderoj shumë përzemërsisht për pritjen vëllazërore. E them vëllazërore sepse e theksuat ju që kemi lidhje gjaku. Çfarë më ndodh mua, të dashur miq? Çdo delegacioni turk që unë takoj, pasi merr fund pjesa zyrtare, unë ju shtroj një pyetje. Cili nga ju ka gjak shqiptar në deje? Nuk kam gjetur deri më sot asnjë. Juve, zoti Kryeministër, nuk jua kam shtruar ndonjëherë këtë pyetje se jam i sigurt që nuk bëni përjashtim. Pasi e cilësoi bisedën si të sinqertë, Kryeministri Erdogan tha se vlera e tregtisë mes dy vendeve është 400 milionë dollarë, ndërkohë që vullneti i qeverisë turke është që kjo shifër të jetë një miliard. Në kuadër të bashkëpunimit ekonomik të Detit të Zi, ne mendojmë të realizojmë në Stamboll një samit në të cilin do të marrin pjesë kryetarët e shteteve të përfshira në rajonin e Detit të Zi. Ky është dhe viti i 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Unë me këtë rast ju uroj përzemërsisht për këtë festë. Marrëdhëniet mes vendeve tona do të thellohen edhe më tej, tha Erdogan. Nga ana e tij, kreu i Ekzekutivit shqiptar, pasi vlerësoi ndihmën e Turqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, tha se nuk ka asnjë takim mes tyre që nuk bisedohet për nxitjen e investimeve turke në vendin tonë. Në të njëjtën kohë Berisha premtoi edhe ndihmën e Shqipërisë për votën në Këshillin e Sigurimit në favor të Turqisë. Ne kemi pasur mbështetjen e fuqishme të qeverisë suaj në pjesëmarrjen tonë në Afganistan. Jemi dhe do të qëndrojmë atje për sa kohë NATO do të qëndrojë, në interesin më të mirë të këtij kombi që përjetoi tronditje të thella. Shqipëria mbështet plotësisht kandidaturën e Turqisë për anëtarësimin në Këshillin e Sigurimit, e bindur se Turqia do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në Forumin më të lartë ndërkombëtar, u shpreh Berisha.
Gyl: Do nxis investitorët turq të vijnë në Shqipëri
Kreu i qeverisë takon Presidentin turk, Abudallah Gyl

Berisha e Gyl
Presidenti i Turqisë, Abudallah Gyl, tha dje në takimin me Kryeministrin Berisha se do të nxisë investitorët e vendit të tij të vijnë në Shqipëri. Në njoftimin për shtyp të faqes së Kryeministrisë thuhet se kreu i shtetit turk vlerësoi reformat e ndërmarra gjatë kësaj periudhe në fushën ekonomike. Presidenti Gyl i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimin më të lartë për reformat e suksesshme të realizuara gjatë kësaj periudhe në Shqipëri, duke theksuar se janë këto arritje që kanë nxitur dhe motivojnë çdo ditë e më shumë investitorët turq dhe të tjerë të huaj për të ardhur për biznes e investime në Shqipëri. Në këtë kontekst, Presidenti Gyl e siguroi Kryeministrin Berisha se si President i vendit mik do të vijojë të nxisë investitorët turq për të investuar në Shqipëri. Në veçanti, sektori i turizmit u vlerësua si një ndër sektorët ku investimet turke mund të shënojnë histori të vërtetë suksesi për ta dhe për Shqipërinë, thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë. Në takim u diskutuan edhe zhvillimet e fundit në rajon dhe ripohua mbështetja për integrimin euroatlantik të vendeve të rajonit, si një faktor thelbësor për konsolidimin e mëtejshëm të paqes, stabilitetit e të ardhmes më të mirë të popujve të tij.
Takimi
Në ditën e parë të vizitës në Turqi, kreu i qeverisë shqiptare u takua me kryetarin e Asamblesë se Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek. Gjatë bisedës u vlerësua rritja madhe e investimeve turke në Shqipëri gjatë 5 viteve të fundit dhe u rikonfirmua vullneti për ti nxitur edhe më tej ato çka do ti shërbejnë jo vetëm suksesit të biznesit turk në Shqipëri, por, para së gjithash e mbi të gjitha, interesit të qytetarëve shqiptarë, si dhe zhvillimit të mëtejshëm të ekonomisë shqiptare, e cila gjatë kësaj periudhe ka shënuar një ecuri shumë pozitive, në dallim nga trendi europian e më gjerë. Çiçek vlerësoi se Shqipëria, me politikat e saj të drejta e të moderuara, është shndërruar në një faktor i rëndësishëm promovues i stabilitetit, bashkëpunimit e miqësisë në rajon, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Marrëveshjet
Gjatë vizitës së Kryeministrit Berisha në Turqi u nënshkruan Memorandumi i Mirëkuptimit për Bashkëpunimin midis Akademisë së Diplomacisë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë dhe Akademisë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, si dhe Marrëveshja e Bashkëpunimit në Fushën e Arkivave midis Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë.
ADI SHKEMBI