E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kooperativat bujqësore, miratohet ligji

Gjatë seancës së djeshme në Parlament

Debat në Kuvend për gjendjen në fshat. Braçe: Berisha na vodhi idenë e shkruar në programin e PS.

PS voton pro, por akuzon PD për kopjim. Ruli: Shpikje kapitaliste.

Parlamenti ka miratuar dje me 129 vota pro ligjin Për shoqëritë bujqësore. Edhe pse opozita ka dhënë kartonin jeshil për këtë nismë të qeverisë në sallën e Kuvendit, nuk kanë munguar debatet midis palëve për situatën në fshat. Partia Socialiste ka akuzuar qeverinë dhe Kryeministrin Sali Berisha se ka vjedhur programin e PS-së për rimëkëmbjen e bujqësisë. Sipas nënkryetarit të PS-së, Erjon Braçe, vjedhja e idesë së socialistëve në asnjë rast nuk i jep zgjidhje problemeve të fshatit, që sipas tij është lënë në harrese. Prej 20 vitesh qeveria ka lënë në harresë bujqësinë dhe fshatin. Së fundi Sali Berisha pranoi pasi vodhi idenë tonë të paraqitur apo të materializuar në këtë projektligj për bashkëpunimin në bujqësi mbi baza dhe rregulla tregu. Pra, vodhi një ide të shkruar dhe të trajtuar gjerësisht në programin e PSSH-së, deklaroi Braçe. Por, ministri e Bujqësisë, Genc Ruli, theksoi se nisma në fjalë nuk është shpikje e socialistëve, por një shpikje e europiane. Sipas Rulit, ligji i qeverisë u jep fermerëve të drejtën juridike për të ngritur kooperativa të përbashkëta mbi një bazë ligjore deri tani të munguar. Unë këtë nuk e kam lexuar tek enciklika për bujqësinë, sepse i vendosni dhe emra kishtarë, por kjo ide nuk ka nevojë të shpiket në ndonjë zyrë, sepse kjo ide është një shpikje e botës europiane kapitaliste. Dhe meqenëse u ngritët dhe thatë që një mentalitet i vjetër ka dëmtuar paragjykimi që kooperativat janë vetëm komuniste etj., komunizmi nuk ka sjellë kooperim zotëri, por shtetëzim dhe kolektivizim. Kooperimin e ka shpikur kapitalizmi, deklaroi Ruli.
Subvencionimi i naftës
Për socialistët qeveria ka dështuar në iniciativën e saj për subvencionimin e naftës ndaj fermerëve, të cilëve u është premtuar me 40 lekë. Sipas deputetit Taluant Balla, një fermer paguan sot taksën e qarkullimit njëlloj me një qytetar, që del xhiro me makinë në kryeqytet. Sipas ministrit Ruli, qeveria ka hequr dorë nga rimbursimi i naftës me 40 lekë, pasi është një iniciativë që nuk funksionon. Dhe keni eksperiencë me skemën tuaj që përmendni shumë, nafta, nafta 40 lekë. Po nga ajo ide që e kemi pasur dhe në program kemi hequr dorë, sepse nuk ecën në atë mënyrë subvencionimi. Ajo skemë e subvencionimit të naftës e çoi naftën te të gjithë tregtarët e naftës dhe nuk mbërriti asnjë pikë te fshatarët, deklaroi ministri i Bujqësisë.

Debati ne Parlament
Erjon Braçe:
Prej 20 vitesh qeveria ka lënë në harresë bujqësinë dhe fshatin. Së fundmi Sali Berisha pranoi pasi vodhi idenë tonë të paraqitur apo të materializuar në këtë projektligj për bashkëpunimin në bujqësi mbi baza dhe rregulla tregu. Pra, vodhi një ide të shkruar dhe të trajtuar gjerësisht në programin e Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Genc Ruli: Të vjedhësh një ide është vjedhja më e bukur, dhe nuk do të kishit pse të ndiheshit të zhveshur nga kjo ide. Unë këtë nuk e kam lexuar tek enciklika për bujqësinë, sepse i vendosni dhe emra kishtarë, por kjo ide nuk ka nevojë të shpikët në ndonjë zyrë, sepse kjo ide është një shpikje e botës europiane kapitaliste. Dhe meqenëse u ngritët  dhe thatë që një mentalitet i vjetër ka dëmtuar paragjykimi që kooperativat janë vetëm komuniste etj., komunizmi nuk ka sjellë kooperim zotëri, por shtetëzim dhe kolektivizim. Kooperimin e ka shpikur kapitalizmi.
Taulant Balla: Një fjali e shkurtër e Sali Berishës në vitin 1995 thotë që mafia e drurit të arrës së bashku me Rulin dhe kompani po mbajnë partinë me paratë e drurit të arrës. Dhe historia është aq e padrejtë, se ata që u akuzuan për drurin e arrës sot, duhet të mbjellin arra që u prenë. Për të cilën dhe Sali Berisha u hoqi imunitetin, por Kuvendi i atëhershëm i tha jo kësaj kërkese.
Genc Ruli: Si gjithmonë zoti Balla oratoria jote është një vrer politik dhe asnjëherë nuk sjell argument. Pra, kur flet për bujqësinë bëhesh më bujk se bujku dhe kur flet për Europën bëhesh me europian se europiani. Po, ngelesh gjithmonë zoti Balla. Të tilla skema mund të jenë më të mira sesa lehtësitë fiskale normative, që jepen për të gjitha subjektet, si për ato që janë në treg, dhe ato që nuk janë, e që në shumë raste janë kthyer në skema dështimi. Dhe keni eksperiencë me skemën tuaj që përmendni shumë nafta, nafta 40 lekë. Po nga ajo ide që e kemi pasur dhe në program kemi hequr dorë, sepse nuk ecën në atë mënyrë subvencionimi. Ajo skemë e subvencionimit të naftës e çoi naftën te të gjithë tregtarët e naftës dhe nuk mbërriti asnjë pikë te fshatarët.
Sajmir Tahiri: Kryeministri është tamam si ata nxënësit e 4-ës, nxënësit ngelës, që kopjon nga shoku aq sa për të kaluar. Edhe pse Kryeministri jonë është kopjac i keq e i pakujdesshëm. Kështu bëri me projektligjin për të përndjekurit, kur nga ethet për të kaluar provimin e vet përballë programit të PS-së për të përndjekurit, nxori një projektligj ironik me keq se kopjimi, u tha të përndjekurve mbi 85 vjeç se do u shpërblejë menjëherë. Shpërblim i pagueshëm në botën tjetër, kuptohet.
Genc Ruli: As në relacionin e ligjit dhe as në nenin e tij që shpreh qëllimin e ligjit nuk ka ndonjë deklamim suprem që ky ligj do ta zgjidhë situatën sot në bujqësinë tonë. Madje, do të ishte naive të mendonim kështu.

Genc Ruli
Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, deklaroi dje se projektligji Për shoqëritë bujqësore do tu krijojë mundësi fermerëve shqiptarë që të bashkëpunojnë dhe të gëzojnë një status juridik, dhe se iniciativat fiskale për fermerët do të trajtohen në ligje të tjera. Pra, japin vetëm statusin juridik të saj dhe ia kanë lënë ligjeve të veçanta, përgjithësisht ligjeve fiskale, të trajtojnë gjithë elementin e iniciativës fiskale, theksoi Ruli.

Avokati i Prokurimeve, 7 deputetë kundër PS
Rezoluta për punën njëvjeçare të institucionit të Avokatit të Prokurimeve ka përçarë votat e majta në Kuvend. Deputetët e Partisë Socialiste kanë votuar në mënyrë individuale kundër vendimit politik, për të miratuar rezolutën e Avokatit të Prokurimeve, siç kishin vendosur në mbledhjen e Gupit të PS-së. Kjo rezolutë është miratuar me 122 vota pro, 4 abstenim dhe 3 deputetë të majtë nuk morën pjesë në votim, edhe pse ishin në sallë. Deputetet Arben Isaraj, Ditmir Bushati, Erjon Braçe dhe Andis Harasani kanë abstenuar, duke mos i bashkuar votat me pjesën tjetër të grupit të majtë. Ndërkohë edhe pse ishin të pranishëm në sallë, deputetët Qemal Minxhozi, Dashnor Peza dhe Sajmir Tahiri nuk kanë pranuar të votojnë. Sekretari i Grupit të PS-së, Taulant Balla, ka ngritur kartonin jeshil për të diktuar vullnetin e grupit, por 7 deputetët nuk i janë përgjigjur thirrjes, duke votuar ndryshe. Parlamenti ka miratuar dje me 129 vota pro projektligjet Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare dhe Për thjeshtimin e harmonizimin e procedurave doganore, bërë në KYOTO, më 18 maj 1973.

Borxhet për rrugët, debat Braçe-Olldashi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›