Gjermania: President sipas Kushtetutës, me shumicë të cilësuar

Ambasadorja gjermane, Karola Myler Holtkemper
Ambasadorja gjermane, Karola Myler Holtkemper, tha dje se kreu i ri i shtetit duhet të zgjidhet sipas Kushtetutës. Sipas saj, opinioni mbetet i njëjtë dhe për zgjedhjen e Presidentit ka ligje që e qartësojnë mënyrën e zgjedhjes së tij. E kam theksuar edhe herë tjetër dhe e ripërsëris edhe këtu: zgjedhja e Presidentit është e përcaktuar në Kushtetutë. Në raundet e para është e përcaktuar zgjedhja e Presidentit me shumicë të cilësuar, tha Holtkemper. Gjithashtu, diplomatja gjermane e ka cilësuar Kodin Zgjedhor çështje me rëndësi duke theksuar se palët kanë vullnet për të zgjidhur çështje me rëndësi dhe tashmë ka një platformë për statusin e vendit kandidat. Dy partitë e mëdha politike në Shqipëri janë duke ecur në rrugën e drejtë, këto parti janë të vullnetshme për të zgjidhur çështje me rëndësi. Gjithashtu, dy partitë e mëdha janë të vullnetshme për të gjetur mirëkuptimin në lidhje me çështje të cilat kërkojnë 3/5, kjo është e vërtetuar tashmë. E theksoj se ky nuk është një perceptim i imi, por vullneti i tyre është i vërtetuar edhe me planin e veprimit për marrjen e statusit kandidat, janë duke ndjekur rrugën e duhur për statusin e Shqipërisë, u shpreh Holtkemper. Diplomatja ka theksuar se pozicioni i saj mbetet larg politikës së ditës në Shqipëri, por gjithmonë ndihmesa ndaj partive politike për të thelluar bashkëpunimin e tyre nuk do të mungojë asnjëherë. Lidhur me krijimin e dy partive të reja, ajo bëri thirrje për eliminimin e propagandës nacionaliste. Kujtojmë që propaganda nacionaliste ishte në themel të historisë së shkuar të Ballkanit që u shpreh në qëllimin dhe realizimin e luftërave të ashpra, prandaj dhe unë jam e mendimit që tonet nacionaliste janë diçka që duhet të shmangen, tha Holtkemper.