E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, 12 orë në Tropojë: Rama të kërkojë falje për Bregoviç

 

Jonuz HallaÇi

Kryeministri Sali Berisha rikthehet në Tropojë 12 vjet pas vizitës së tij të fundit, kur nga posti i Presidentit kërkonte votat për PD-në, e cila u rrëzua nga pushteti pas trazirave të pranverës së vitit 1997. Vizita e kreut të qeverisë në qytetin e tij të lindjes mobilizoi një numër të madh të forcave speciale jo vetëm të Bajram Currit, por edhe të zonave përreth. Lajmi i mitingut në sheshin e qytetit u njoftua rreth pasdites të së shtunës, kur nisën të vendoseshin simbolet e PD-së dhe shpallje ku kryeministrit i urohej mirëseardhja. Por vetëm rreth orës 22:00 të mbrëmjes u mësua se Berisha do të shkelte vendlindjen e tij pikërisht atë mbrëmje. Qindra qytetarë kishin mbushur rrugët e qytetit dhe me flamurët e PD-së dhe ata kombëtarë prisnin kreun e demokratëve. Rreth orës 22:45, pasi kishte mbaruar takimet në Pukë e Fushë-Arrëz, Berisha mbërriti në Tropojë dhe ndalesa e parë ishte pikërisht në qendër të qytetit, ku u ndalua nga turma e njerëzve. Nën mbrojtjen vetëm të bodigardëve të tij, kreu i qeverisë la makinën dhe nisi të përshëndeste qytetarët, të cilët kishin bllokuar rrugën që të çonte në hotel “Shkëlzeni”, ku do të akomodohej kryeministri. Rreth 15 minuta më vonë, Berisha mundi të hyjë në hotel dhe pak pas tij mbërriti edhe bashkëshortja Liria. Pas akomodimit të kreut të PD-së në hotel u bë e mundur marrja e masave të sigurisë, ku dhjetëra forca speciale mbërritën pranë hotelit. Por megjithëse kryeministri ishte ndalur për të pushuar, qytetarët e shumtë bllokuan hyrjen para hotelit dhe rreth 30 minuta më vonë Berisha la sërish dhomën e tij, për t’iu drejtuar derës së jashtme të hotelit për të përshëndetur qytetarët. Ndërkohë paraditen e djeshme Tropoja i ngjante një qyteti në shtetrrethim, ku një numër tejet i madh forcash policore kishin në survejim rrugët e qytetit dhe në çdo tarracë pallati vije re praninë e tyre. Në orën 10:53 minuta Berisha iu drejtua podiumit, por ndryshe nga 12 vjet më parë, tani fliste si kryeministër i vendit. Në përfundim të fjalimit kreu i PD-së u bë pjesë e festës, ku gjatë këngës “Shqipëria po ndryshon” ai vuri në kokë një qeleshe, karakteristikë e kësaj zone. Fiks pas 12 orësh, kryeministri u largua drejt një qyteti tjetër të Veriut.

Masat e sigurisë
Përfundimi i mitingut në qytetin e lindjes së kryeministrit nuk ishte përfundimi i misionit të forcave të sigurisë për ditën e djeshme. Nën masa të shumta sigurie, kreu i qeverisë ishte edhe gjatë përurimit të ujësjellësit të Bajram Currit dhe inaugurimin e segmentit rrugor në komunën Margegaj, i cili mori emrin “Azem Hajdari”. 

Berisha: Edi Rama t’i kërkojë falje Tropojës për Bregoviçin

Jam njeri prej jush. Me këto fjalë u është drejtuar kryeministri Sali Berisha qytetarëve të Tropojës në mitingun e parë pas 12 vjetësh në vendlindjen e tij. Në vijim të turit elektoral, fushata e Partisë Demokratike duket se ka arritur kulmin, teksa kryeministri ka kërkuar votat nga skaji verior për një mandat të dytë qeveritar. Në ndryshim nga mitingjet e tjera, kreu i qeverisë është ndalur për një kohë të gjatë në vlerat e Tropojës dhe përpjekjet e Malësisë së Gjakovës për liri. “Dua t’u siguroj ju, se kudo që unë ndodhem në Tiranë apo në metropolet e Evropës dhe të botës, në çdo vend, në çdo takim, mendja ime çdo ditë, qindra herë në ditë vjen tek ju, vjen këtu në Tropojë, vjen në këtë vend më të dashurin për mua mbi këtë dhe. Malësia e Gjakovës është djepi, vendi ku kam lindur dhe jam rritur dhe kjo mjafton për ta dashur atë edhe sikur qindra e qindra vite t’i kem. Por për mua malësia e Gjakovës është shumë më tepër se kaq”, u shpreh kryeministri Berisha. Nga vendlindja e tij kreu i qeverisë nuk ka lënë pa përmendur edhe kundërshtarin politik, Edi Rama, të cilit i ka kërkuar të kërkojë ndjesë ndaj Tropojës. Por, sipas tij, këtë herë kreu i socialistëve duhet të kërkojë ndjesë pasi i dha çelësin e Tiranës këngëtarit serb Goran Bregoviç, i cili ishte sipas Berishës frymëzuesi i ushtrisë serbe në mësymjen ndaj Kosovës. “Të kërkova që t’i kërkosh ndjesë Tropojës për ato që i bëtë në vitin ‘97, nuk e bëre këtë, sepse nuk njeh ti me arrogancën tënde, me prepotencën e trashëguar, ndjesën dhe faljen njerëzore, por unë tani nuk të them më që të kërkosh falje. Ajo që të kërkoj është kjo, që para se t’u drejtohesh qytetarëve të Tropojës, socialistëve të Tropojës për votën, duhet të heqësh çelësin e artë të bashkisë, çelësin e artë të kryeqytetit të shqiptarëve të që vendosë mbi gjoksin e himnizuesit të masakrave serbe mbi vëllezërit në Kosovë, famëkeqit Bregoviç”, theksoi më tej Berisha. Në të kundërt, sipas kreut të qeverisë, PD-ja në Këshillin Bashkiak të Tiranës do të iniciojë një mocion mosbesimi ndaj Ramës, si kryetar bashkie. Në Tropojë lideri i demokratëve premtoi rritjen e investimeve si dhe shkurtimin e distancës së këtij qyteti me Tiranën. Në fund Berisha zhvilloi një takim në Kukës, ku kërkoi votat e këtij qyteti dhe u bëri thirrje të pranishmëve të tërheqin letërnjoftimet e reja dhe të votojnë nr. 10.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›