Nard Ndoka - “Berisha bëri pazar me Ramën”
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, i përgjigjet nga Librazhdi kryeministrit Sali Berisha, sipas të cilit çdo votë për PDK-në është votë për Edi Ramën. Gjatë një mitingu në këtë qytet, kreu i demokristianëve u shpreh se Berisha në tre fushatat e fundit elektorale e ka vlerësuar atë në mënyra të ndryshme, ku fillimisht e ka akuzuar se votat për të janë vota për ish-kryeministrin Nano, në 2005 ka bërë thirrje për ta mbështetur dhe vetëm dy ditë më parë ka deklaruar se mbështetja ndaj PDK-së është votë për Ramën. “Një kryeministër që në tre zgjedhje bën tre deklarata të ndryshme, shpreh krizën jo vetëm si drejtues i PD, por edhe si politikan. Në vitin 2001, kohë në të cilën unë drejtoja grupin parlamentar të reformatoreve, Berisha gjatë takimeve të zhvilluara në zonën time elektorale, deklaroi se vota për Nard Ndokën është votë për Fatos Nanon. Në vitin 2005, kur si koalicion u grupuam kundër të majtës në pushtet, Berisha deklaron se vota për Ndokën është votë kundër të majtës, është votë për Sali Berishën. Ndërsa sot në një miting të zhvilluar po në zonën time elektorale deklaron se vota për Ndokën është votë për Edi Ramën. Berisha është kthyer në një nastradin, që me trillimet e tij kërkon t’u imponojë shqiptarëve votën dhe lirinë e mendimit”, theksoi Ndoka. Më tej gjatë fjalës së tij, kreu i demokristianëve theksoi se, “është pikërisht kreu i PD-së, i cili ka bërë marrëveshje me Ramiz Alinë, dhe është futur prej tij për të marrë drejtimin e PD-së, ka bërë marrëveshje me Fatos Nanon, duke krijuar një kosto shumë të madhe për vendin, si dhe ka bërë marrëveshje me kryetarin e PS-së, Edi Rama, për ndryshimin e Kushtetutës në Shqipëri në dëm të qytetarëve”. Në përfundim të këtij takimi ish-sekretari i përgjithshëm i PD-së, dega Librazhd, Daut Bardhoshi, iu bashkua PDK-së.