E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarandë, i mituri dehet me raki

 

SARANDE - Një pacient i pazakontë ka mbërritur mesnatën e së dielës në spitalin e Sarandës. Në gjendje kome, familjarët çuan në urgjencë një fëmijë 6 vjeç. Sipas mjekëve, I.D nga fshati Shëndëlli, kishte konsumuar alkool aq sa një pijanec i rritur. Familjarët e tij u kanë shpjeguar bluzave të bardha se 6-vjeçari kishte qenë duke lozur me fëmijë të tjerë kur kishte pirë raki. Ata i ishin afruar një stani, por bariu nuk ndodhej aty. Fëmijët kanë gjetur një shishe me raki dhe kanë nisur ta pinë. Sipas tyre, 6-vjeçari kishte konsumuar më shumë se gjysmë litri. Por pas një gjendjeje të shkurtër euforie, ai ra përtokë dhe nisi të nxirrte shkumë nga goja. Të trembur, moshatarët lajmëruan menjëherë prindërit e tij. Këta të fundit konstatuan se fëmija i tyre mbante era alkool. Pasi e mbajtën për rreth 1 orë në shtëpi, duke menduar se do të përmirësohej, gjendja e tij u rëndua, aq sa u detyruan ta nisnin urgjentisht në spital. “Nuk më ka ardhur ndonjëherë ndonjë rast i tillë”, u shpreh mjekia pediatre Liri Bajrami. Sipas saj, fëmija doli nga gjendja pas rreth 10 orësh. “Dukej pajetë. Nuk lëvizte asgjë, as qepallat, ndërsa pulsin e kishte shumë të dobët”, u shpreh ajo. Mjekët pohuan se gjendja e fëmijës kishte qenë aq e rëndë sa ai rrezikoi të humbiste jetën.             sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›