E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata: Alimuça 171 mln debitor tek “Vefa Holding”

 

Trazhgim Sokolaj

Ish-bosi i shoqërisë huamarrëse “Vefa Holding”, Vehbi Alimuça i dënuar me 17 vjet burg për vjedhje të shumave të mëdha me mashtrim, shpallet debitor ndaj ish-kompanisë së tij. Një vendim i datës 28 maj 2009, i Gjykatës së Tiranës e shpall Vehbi Alimuçën debitor në shumën 171 milionë lekë ndaj kompanisë “Vefa” në administrim. Padia në gjykatë është bërë nga Grupi Mbikëqyrës i Fajdeve. Pasi ka shqyrtuar dokumentacionin e kompanisë dhe gjendjen financiare, si dhe lëvizjen e shumave financiare marramendëse, Grupi Mbikëqyrës ka arritur në përfundimin se 171 milionë lekë kanë dalë nga arka e ish-kompanisë “Vefa” pa destinacion të qartë. Një gjë e tillë është konsideruar humbje për kompaninë, që u ngrit dhe funksionoi me paratë e qindra mijëra kreditorëve shqiptarë. Ne emër të tyre, Grupi Mbikëqyrës që ka marrë në administrim ish-kompanitë piramidale, ka paditur Vehbi Alimuçën ndërsa çështja është shqyrtuar nga gjyqtarja Anila Kristani. Grupi Mbikëqyrës ka kërkuar lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për t’i bllokuar Alimuçës shuma monetare ose pasuri në shumën 171 milionë lekë për të cilën ai është shpallur debitor i “Vefa”-s ish-kompanisë së drejtuar prej tij. Në objektin e padisë civile në Gjykatë, thuhet se kërkues është: Shoqëria “Vefa” sh.p.k., në administrim e përfaqësuar në gjykim me autorizimin nga Hamit Kasemi. Objekti i padisë, është “lëshimi i urdhrit të ekzekutimit për vendimin nr.30 datë 31.08.1999, të administratorëve të pavarur të “Vefa” sh.p.k., në administrim. “Me vendimin me nr.30 datë 31.08.1999, të administratorëve të shoqërisë “Vefa” sh.p.k., në administrim është vendosur shpallja debitor e z.Vehbi Alimuça, për shumën prej 171.924.300 lekë. Sipas Grupit Mbikëqyrës, Alimuça është lajmëruar për këtë borxh por nuk e ka shlyer atë vullnetarisht. Për këtë shkak gjykata thotë në vendim se vendosi pranimin e kërkesës së administratorëve dhe “lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për vendimin nr.30, datë 31.08.1999, të administratorëve të pavarur të “Vefa” sh.p.k., për debitorin Vehbi Alimuça. Kompania “Vefa” një nga ish-shoqëritë më të mëdha piramidale në Shqipëri, nuk është e vetmja për të cilën proceset gjyqësore vazhdojnë ende në Gjykatën e Tiranës. Sipas regjistrit gjyqësor të Gjykatës së kryeqytetit aktualisht në këtë institucion janë depozituar 58 kërkesa të administratorëve të ish-skemave piramidale për shpalljen debitorë të personave që kanë detyrime financiare ndaj “Vefa”-s, “Cenaj”-t dhe ish-kompanisë “Silva”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›