E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtarja e sëmurë, dështon “Gërdecin”

 

Armand Bajrami

Seanca e parë e gjyqit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të vetmit person që po gjykohet në Gjykatën e Lartë në lidhje me shpërthimin e Gërdecit, dështoi dje për mungesë të gjyqtares Irma Bala. Gjykata tha se shkak për shtyrjen e seancës për në datën 6 korrik 2009, pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ishte mungesa e njërit nga pjesëtarët e trupës gjykuese. Ndërsa po dje u dërgua në gjykatën e kryeqytetit dosja që përmban tri paditë civile të dosjes “Gërdeci”. Bëhet fjalë për tri paditë, të cilat plot 25 ditë më parë u veçuan nga dosja penale e “Gërdecit” në Gjykatën e Lartë dhe u dërguan për në Gjykatën e Tiranës me një vendim të Kolegjit Penal.
SEANCA
Seanca e parë, ku ish-ministri Mediu do të ishte i vetëm në bankën e të akuzuarve, përpara togave të zeza të Gjykatës së Lartë ishte vendosur të zhvillohej ditën e djeshme. Në orën 10:00, orë e planifikuar për fillimin e seancës, në sallën e gjyqit ndodheshin pesë prokurorët përfaqësues të akuzës. Ish-ministri Mediu nuk mori pjesë në gjykim, ndërsa përfaqësohej nga dy avokatët e tij mbrojtës. Pasi trupi gjykues hyri në sallë u konstatua mungesa e gjyqtares Irma Bala. Kryesuesi i seancës, gjyqtari Besnik Imeraj tha para palëve, se seanca nuk mund të vazhdonte për shkak të mungesës së njërit nga anëtarët e trupës gjykuese. “Për shkak të një situate shëndetësore të rëndë, gjyqtarja nuk mund të merrte pjesë në gjykim”, tha kryesuesi Imeraj. Gjykata vendosi datën 6 korrik si datë për seancën e ardhshme gjyqësore.
PADITË CIVILE
Ndërsa në Gjykatën e Lartë dështoi seanca ndaj ish-ministrit Mediu, çështja e dëmeve të shkaktuar nga shpërthimi i 15 marsit 2008 në Gërdec mbërriti dje në Gjykatën e Tiranës. Të tri paditë civile të dosjes “Gërdeci” u dërguan në një dosje të vetme në dhomën civile të gjykatës së kryeqytetit. Shorti elektronik i gjykatës përzgjodhi gjyqtarin Arben Kostandini, si gjyqtarin që do të shqyrtojë këtë dosje. Si palë paditëse në paditë civile janë Këshilli i Ministrave, Avokatura e Shtetit dhe familjarët e viktimave të shpërthimit të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec. Ndërsa si palë e paditur janë Mihal Delijorgji, kompania “Albademil” dhe Ministria e Mbrojtjes. Në paditë e Këshillit të Ministrave, i cili përfaqësohet nga Avokatura e Shtetit, kërkohet dëmshpërblimi nga Mihal Delijorgji dhe “Albademil” i dëmeve materiale të shkaktuara nga shpërthimi në Gërdec. Gjithashtu Avokatura e Shtetit kërkon dëmshpërblim për shkak të dëmeve të ardhura nga shpërdorimi i detyrës nga Ministria e Mbrojtjes. Familjarët e 18 viktimave të Gërdecit kërkojnë dëmshpërblim nga qeveria, të pandehurit e procesit dhe “Albademil” në shumën 36 milionë lekë.

Familjarët e viktimave ankesë në Kushtetuese kundër Gjykatës së Lartë

TIRANE – Ditën e mërkurë trashëgimtarët ligjorë të viktimave të Gërdecit pritet të depozitojnë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën, që sipas tyre do t’i bëjë palë në procesin penal. Lajmi u konfirmua dje nga përfaqësuesit ligjorë të familjarëve të viktimave. Në kërkesën që pritet ta depozitojnë dy ditë më pas, ata kërkojnë pezullimin e ekzekutimit të vendimit të datës 22 maj 2009 të Gjykatës së Lartë, që e veçoi padinë e tyre nga çështja penale. Gjithashtu ata kërkojnë “shfuqizimin si antikushtetues të atij vendimi dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë, me tjetër kolegj”. Në kërkesën e përgatitur për ta depozituar në Gjykatën Kushtetuese nga avokatët e familjarëve të viktimave, pretendohet se u është hequr e drejta për t’u dëgjuar si palë në procesin penal, megjithëse ishin të legjitimuar si të dëmtuar dhe si paditës nga Prokuroria e Përgjithshme. Me vendimin e datës 22 maj, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi që në këtë gjykatë do të gjykohej vetëm ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Sipas vendimit, paditë civile do të dërgoheshin për gjykim në dhomën civile të Gjykatës së Tiranës.            ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›