Tiranë, brenda 24 orëve tre persona të vdekur
TIRANE - Tre persona kanë ndërruar jetë në kryeqytet për shkaqe të ndryshme gjatë 24 orëve të fundit. Një fëmijë ka ndërruar jetë në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza", nga shkaqe që ende nuk janë përcaktuar nga mjekët. Një burrë ka vdekur në një lokal nga konsumimi i tepërt i pijes alkoolike dhe një tjetër është vetëvrarë duke u hedhur nga ballkoni në katin e katërt të një pallati. Sipas burimeve nga policia në Komisariatin nr. 4 në Tiran,ë është njoftuar vdekja e një 13-vjeçari, i cili kishte shkuar me urgjencë në spital. Me gjithë ndërhyrjen mjekësore, i mituri Dorian Mëhilli ka ndërruar jetë në duart e doktorëve, ende pa u gjetur një shkak. Ai është dërguar për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore në morgun e Tiranës, por ende nuk ka një rezultat përfundimtar për vdekjen e parakohshme të tij. Ndërkohë Komisariati nr. 2 është njoftuar për një ngjarje në një lokal përballë gjimnazit "Petro Nini Luarasi". Në lokalin "Teksas" që ndodhet në rrugën "Margarita Tutulani", ka gjetur vdekjen 51-vjeçari Ferit Kilja. Pas ekspertimit mjeko-ligjor ka rezultuar se vdekja e tij ka ardhur pas konsumimit të tepërt të pijeve alkoolike, pasi ai gjatë gjithë natës ka qëndruar duke pirë dhe ka vdekur në orën 08:00 të mëngjesit. Ndërsa një person ka vrarë veten nga depresioni, duke u hedhur nga ballkoni i apartamentit të tij në katin e katërt të një pallati në lagjen Kombinat. Aleksandër Malo ka ndërruar jetë në spital si rezultat i dëmtimeve të rënda që kishte marrë gjatë përplasjes në tokë. Edhe pas ndërhyrjes kirurgjikale të mjekëve, ai nuk ka arritur t'i shpëtojë vdekjes.