E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unaza e Shkodrës, fond shtesë për të përfunduar ndriçimin

 

SHKODER - Nevoja gjithnjë e më e domosdoshme për përfundimin e unazës së qytetit të Shkodrës bëri që të shtohet fondi i akorduar edhe me 119 milionë lekë të tjera. Ky fond do të përdoret për ndërtimin e trotuareve në të dy anët e saj me 3 metra gjerësi, si dhe vendosjen e 170 shtyllave të ndriçuesve rrugorë. Me përfundimin e tyre merr fund një prej investimeve më madhore në Shkodër, siç është ndërtimi i segmentit perëndimor i unazës së qytetit. Afati i përfundimit të plotë të punimeve është parashikuar të jetë 120 ditë. Ndërtimi i unazës së Shkodrës ka nisur që nga viti 2006, pas fondit të akorduar nga qeveria. Me përfundimin e këtij projekti pritet të çlirohet përfundimisht trafiku në këtë qytet, i cili është tejet i rënduar. Për këtë qëllim Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka akorduar një fond prej rreth 245 milionë lekësh, për ndërtimin në dy faza të këtij aksi me gjatësi 3.5 kilometra dhe me gjerësi 13.5 metra. Ndërtimi i kësaj unaze eviton edhe qarkullimin e automjeteve të tonazhit të rëndë mes për mes qytetit. Ky investim i rëndësishëm do të ndikojë dukshëm dhe në uljen e rrezikshmërisë së aksidenteve automobilistike, të cilat vinin për shkak të rëndesës së trafikut. Ndërkohë kjo unazë do të shërbejë dhe për të lidhur rrugën nacionale Shkodër - Hani i Hotit me atë Shkodër – Tiranë. Gjithashtu, ky aks lehtëson edhe lëvizjen e mjeteve për mjaft zona të tjera të Shkodrës, kryesisht fshatrat të cilat kryejnë tregti në këtë qytet. Në përfundim të këtij investimi, kryeministri Sali Berisha ka premtuar se më 18 qershor do të nisin punimet e superstradës Shkodër – Hani i Hotit.        r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›