E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama-Blushi, ture paralele në bazën e PS-së

Dy rrymat kundërshtare brenda selisë rozë, vija ndarëse e të cilave është bojkoti i Parlamentit, vërshojnë në bazë për të marrë sa më shumë mbështetje. Paralelisht, anëtarësia e Partisë Socialiste do të përballet me dy ture, një i drejtuar nga Edi Rama dhe një i drejtuar nga Ben Blushi. Rama, në cilësinë e kandidatit për kryetar, do të zhvillojë një sërë takimesh në 12 qarqet e vendit, duke qenë përballë konkurrentit Maqo Lakrori, ku tema e bojkotit të Parlamentit dhe protestave që mbrohen nga Rama nuk mund të shmangen. Ndërsa Ben Blushi, pas një takimi që pati me deputetë të tjerë të PS-së, të deklaruar kundër bojkotit, deklaroi nisjen e takimeve ku do të shpjegohet përse PS nuk duhet të bojkotojë dhe platformën për ndryshimet në statut që u rrëzua në Kongres.

Rama

Kryetari në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama, paralajmëroi dy ditë më parë përgatitjet e protestave si një formë demokratike reagimi për të zbardhur krimin elektoral. Duke nisur nga dje e deri më 24 shtator, ai së bashku me konkurrentin Maqo Lakrori do të përballen me njëri-tjetrin, duke zhvilluar takime në qytetet kryesore. Ky tur është një mundësi ku Rama të gjejë hapësira që të shpjegojë arsyet e bojkotit të Parlamentit, përse nuk mund të hyjmë pa u plotësuar kushtet, edhe pse ka zëra kundër kësaj ideje. Dy ditë më parë, Rama zhvilloi biseda me grupe deputetësh në bazë të qarqeve që ata përfaqësojnë, ku u kërkoi që të shpërndahen në elektorat për të shpjeguar arsyet dhe kushtet e bojkotit, si dhe të përgatiten për protesta në rrugë. "Të gjitha mjetet demokratike janë në dispozicionin e çdokujt që kërkon të ngrejë kauzën e tij dhe për më tepër të opozitës që nuk do ta kursejë veten dhe asnjë mjet për ta bërë këtë kauzë, një kauzë që dëgjohet, një kauzë që shikohet dhe kuptohet qartë edhe nga ata që nuk duan të dëgjojnë, shikojnë dhe kuptojnë sot", është shprehur Rama.

Blushi

Ben Blushi, ditën kur Rama nisi turin si kandidat, lajmëroi nisjen e një sërë takimesh me bazën dhe të gjithë ata që mendojnë ndryshe. Blushi bëri me dije se ai dhe mbështetësit e tij nuk e mbështesin idenë e bojkotit, pasi një opozitë jashtë Parlamentit do të thotë një qeveri më e fortë. "Partia Socialiste duhet të kthehet aty ku e ka vendin në Parlament. Çdo pozicion tjetër shkon në favor të qeverisë. Arsye për protesta ka gjithnjë, po jo duke dalë jashtë Parlamentit", u shpreh Blushi. I pyetur nëse lëvizja e tij brenda PS-së, që përkon me fushatën e Ramës për kryetar, është anti-fushatë ndaj kryetarit, Blushi u përgjigj se "Rama shkon në bazë si kandidat pa platformë, ndërsa ne kemi idenë për bashkimin e së majtës dhe të shkojmë në Parlament", tha Blushi. Edhe pse idetë e tij nuk kanë marrë mbështetje të madhe në asamblenë kombëtare, mandej në Kongresin e Jashtëzakonshëm, kundërshtari i Ramës shprehet optimist. "Do të ketë një ditë kur idetë dhe njerëzit do të ballafaqohen brenda Partisë Socialiste. Forumet nuk do të zhgënjehen dhe do të ketë ballafaqim të vazhdueshëm idesh", thotë Blushi. Me nisjen e dy tureve duket se thellohen mendimet ndryshe në selinë rozë, ndërsa ajo vijon të jetë jashtë Parlamentit. Nga ana tjetër, faktori ndërkombëtar ka dhënë mesazhet e para se nuk e mbështet, ndërsa Partia Socialiste duket e vendosur në kushtet e shprehura. Kryetari në detyrë i selisë rozë është shprehur se nëse këto kushte merren në konsideratë, atëherë grupi parlamentar është i gatshëm të kthehet menjëherë në Parlament.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›