E Diel, 1 Nëntor 2026

"Berisha 2", Kryeministri nga Veriu, ministrat nga Jugu

Kabineti "Berisha 2" dominohet nga jugorët. Vetëm një deputet i zgjedhur në Qarkun e Dibrës, Myqerem Tafaj, do të përfaqësojë veriorët në qeverinë e re. Nga ana tjetër, vlen të theksohet se asnjë nga deputetët e zgjedhur në Qarkun e Shkodrës, Kukësit, Lezhës dhe Vlorës nuk është pjesë e stafit ekzekutiv të Kryeministrit Sali Berisha. Kjo në mënyrë indirekte mund të lidhet edhe me pakënaqësinë e demokratëve për këto qarqe, ku në zgjedhjet e 2009-ës nuk u arrit rezultati i paralajmëruar përpara zgjedhjeve. Më e përfaqësuar në qeveri është Gjirokastra, pasi dy deputetët e vetëm të fituar në zgjedhjet e fundit janë pjesë e kabinetit "Berisha", përkatësisht Genc Ruli te Bujqësia dhe Spiro Ksera te Ministria e Punës.

Ministrat veriorë

Që pas zgjedhjeve të 3 korrikut të 2005-së, kryetari i PD-së ka bërë pjesë të ekzekutivit më shumë jugorët sesa veriorët, pavarësisht se historiku i votave për PD-në ka "kërkuar" tendencën e kundërt. Në qeverinë e krijuar në vitin 2005, vetëm katër prej ministrave të tij kishin origjinën nga Veriu dhe më shumë se gjysma e tyre nuk i shkuan deri në fund misionit si ministër. Besnik Mustafaj, nga Tropoja qëndroi në postin e ministrit të Jashtëm deri në prill të vitit 2007. Arenca Trashani nga Shkodra dhe Aldo Bumçi nga Lezha u zëvendësuan në ndryshimet e shkurtit 2007 me dy ministra jugorë. I vetmi që ngeli deri në fund pjesë e qeverisë "Berisha" gjatë mandatit të parë qeverisës të demokratëve ishte Jemin Gjana nga Kukësi.

"Shpërblimi"

Deputetët e Tiranës "zënë" 5 karrige ministrash në kabinetin e ri qeveritar. Përveç Kryeministrit, pesë deputetë të zgjedhur në Qarkun e Tiranës janë pjesë e qeverisë së integrimit europian. Majlinda Bregu, Bujar Nishani, Arben Imami, Ilir Meta dhe Fatmir Mediu në zgjedhjet e fundit kanë qenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në Tiranë. Më pas Fieri dhe Gjirokastra janë të përfaqësuar në qeveri me nga dy ministri secila. Spiro Ksera dhe Genc Ruli për Gjirokastrën dhe Sokol Olldashi dhe Dritan Prifti për Fierin i ngrenë "peshën" jugorëve në qeverinë "Berisha".

Votat "Veri-Jug"

Në të vërtetë, ndarja politike e Shqipërisë mes Veriut dhe Jugut prej vitesh ka qenë e ndjeshme. Kjo skemë tregon në mënyrë indirekte edhe tentativën që Partia Demokratike po tregon për të rrëmbyer bastione të së majtës dhe për të marrë vota në "shtëpitë" e socialistëve në zgjedhjet e ardhshme. Vota e veriorëve për PD-në mund të etiketohet si votë konservatore dhe tradicionale që historikisht ka shkuar për Partinë Demokratike. Megjithëse Tirana dhe Durrësi shpeshherë kanë vendosur se cili është fituesi i zgjedhjeve për shkak të luhatjes së votave dhe parashikimit të saktë pa u kthyer në qytete bastion të një partie, Veriu ka votuar gjithmonë PD-në dhe Jugu PS-në. Kjo lidhet edhe me vlerësimin që elektorati i bën politikave qeverisëse nga këndvështrimi dhe impakti që ata kanë për mënyrën e jetesës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›