E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mandati i dytë, ulet mosha mesatare e qeverisë

Përbërja e qeverisë do të mbajë ministra më të rinj në moshë sesa kabineti i mëparshëm. Mosha mesatare e qeverisë së re është 46 vjeç. Qeveria "Berisha 2" është dy vjet më e vogël se qeveria "Berisha 1". Dy ministrat më të rinj të qeverisë "Berisha" janë Lulzim Basha dhe Majlinda Bregu, të cilët pasohen nga Sokol Olldashi. Të tre ministrat "rinorë" në moshë, por "të vjetër" në jetëgjatësinë e tyre në qeverinë "Berisha" duket se nuk kanë qenë shkaku i uljes së moshës mesatare të kabinetit ministror. Mosha mesatare e "skuadrës" së mëparshme të kreut të demokratëve ishte 48 vjeç. Mospërfshirja e tetë ministrave të mëparshëm duket se ka rinuar moshën e qeverisë, për të cilën gjykimi i punës së saj do të jepet të paktën pas 100-ditëshit të parë të punës dhe pas hartimit të programit dhe plotësimit të detyrave dhe strategjive që ata do të kryejnë në krye të institucionit që drejtojnë. Vlerësimi i tyre nuk do të varet nga mosha dhe përvoja, por nga performanca dhe mirëmenaxhimi i sektorit që do të drejtojnë. Largimi nga kabineti i ministrave më të vjetër, si 68-vjeçari Lufter Xhuveli, 61-vjeçari Fatos Beja dhe 59-vjeçari Jemin Gjana, sipas përllogaritjeve ka qenë shkaku që qeveria aktuale do të ketë moshë më të re se ajo e mëparshmja. Aktualisht, më i vjetri në Këshillin e Ministrave është Kryeministri Sali Berisha, i cili ndiqet nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, 58 vjeç, dhe ish-këshilltari i Kryeministrit, aktualisht ministër i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj 52 vjeç. Qeveria "Berisha 2" ka në përbërjen e saj vetëm një femër ministre, defekt ky që është pranuar edhe nga Kryeministri Berisha gjatë publikimit të emrave të ministrave të rinj. Berisha premtoi se ky është vetëm fillimi duke lënë në këtë mënyrë një opsion të hapur për ndryshime në qeveri në një kohë të dytë. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, më e reja në moshë e kabinetit "Berisha" është gjithashtu edhe i vetmi person që përfaqëson gjininë femërore në qeveri. Duke u kthyer pas në historik, gjithmonë qeveria e parë e Kryeministrit Berisha ka pasur në përbërje të saj vetëm një ministre femër. Arenca Trashani ishte e vetmja femër ministre në vitin 2005, njëkohësisht edhe e vetmja shkodrane që hyri në kabinetin e Sali Berishës. Në formacionin e ri u rikonfirmuan gjashtë ministra, hyn katër emra të rinj si Arben Imami, Spiro Ksera, Ferdinand Xhaferraj dhe Myqerem Tafaj, u rikthye Fatmir Mediu dhe u shtua një ministri për Genc Pollon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›