E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ftohja mes Europës dhe Izraelit

Grindja diplomatike me Suedinë, vendimi i Norvegjisë për t‘u ndarë nga një kontraktues izraelit në fushën e mbrojtjes dhe akuzat gjithnjë e më të ashpra të europianëve ndaj vendimit të Izraelit për të vazhduar aktivitetet nëpër koloni, dëshmojnë për një tendosje gjithnjë e më të madhe të marrëdhënieve edhe ashtu të vështira, mes Izraelit dhe Europës. Shtetet e Europës kanë ashpërsuar retorikën, në momentin kur administrata e re e SHBA-së po tregon një vullnet më të madh për të kërkuar përgjegjësi nga Izraeli. Lufta në Gazë, dimrin e kaluar dhe ngritja në pushtet e qeverisë së djathtë në Izrael, kanë nxitur edhe më shumë kritikat në adresë të Izraelit në kontinentin në të cilin gjenden disa prej aleatëve dhe partnerëve kryesorë tregtarë të Izraelit.

Synimi i Izraelit, për të forcuar lidhjet e veta tregtare me BE-në, është frenuar. Kërkesat për bojkotimin e Izraelit janë intensifikuar. Gjatë muajve të kaluar, me dhjetëra mijëra europianë kanë dalë nëpër rrugë për të protestuar kundër aksioneve të Izraelit, në veçanti pas vrasjes së një numri të madh të civilëve gjatë aksioneve të Izraelit kundër organizatës islamike palestineze Hamas, të ndërmarra në territorin e Gazës. Europa Perëndimore, me pakicën e saj të madhe myslimane dhe lëvizjet e majta me ndikim, ka kursyer në të kaluarën më pak Izraelin sesa që ka qenë rasti me SHBA-në. Por, BE-ja mbetet partneri më i madh tregtar i Izraelit. Ky fakt mund t‘i shërbejë Europës si mjet për trysni, për të bindur Izraelin të ndalë procesin e zgjerimit të kolonive hebreje në territoret, të cilat palestinezët i kërkojnë për shtetin e tyre të ardhshëm-kërkesa kryesore e SHBA-së dhe e palestinezëve, para rifillimit të bisedave paqësore për Lindjen e Mesme.

Europa, në mënyrë aktive, e ka shfrytëzuar këtë mjet, thotë Richard Young, analist politik, përkundër faktit se BE-ja ka injoruar kërkesën e Britanisë që t‘i mohohet origjina speciale e prodhimeve izraelite, që prodhohen nëpër koloni. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka refuzuar t‘i bindet kërkesës për suspendimin e plotë të aktiviteteve nëpër koloni - përkundrazi, ai ka kumtuar planin për ndërtimin e qindra shtëpive të reja nëpër koloni. Qeveria e tij, ndërtimet e reja i ka portretizuar si hap të parë drejt ngrirjes së aktiviteteve, por e ka të vështirë që këtë t‘ia shesë bashkësisë ndërkombëtare- në veçanti kur dihet se Izraeli planifikon edhe kompletimin e 2500 shtëpive tjera, ndërtimi i të cilave ka filluar më herët. Kritikat e Europës janë mjaft domethënëse. Italia ka Kryeministrin më pro-izraelit në historinë e këtij shteti, ndërsa Gjermania e konsideron veten si mbrojtëse të shtetit, të themeluar pas Holokaustit nga ana e nazistëve. Analisti izraelit, Jonathan Spyer, theksoi se "armiqësia po arrin një natyrë ekstreme, e cila nuk është parë ndonjëherë më parë".

"Nuk është kjo një klimë ideale, të cilën Izraeli do ta dëshironte mes vetes dhe partnerëve të vet kryesorë tregtarë në BE", theksoi Spyer. Në anën tjetër, zyrtari i Ministrisë së Jashtme të Izraelit, Itzhak Levanon theksoi se asnjë krizë nuk mund të prishë marrëdhëniet mes Izraelit dhe Europës. "Ka disa zëra që vijnë nga disa anë, por nuk kam guxim të them se ekziston njëlloj armiqësie politike ndaj Izraelit", shtoi ai. Shenjat e pakënaqësisë ekzistojnë. Britania, së fundi, ka shfuqizuar lejet e disa kompanive për t‘i shitur pjesë të armatimit Izraelit, për shkak të brengës për shfrytëzimin e tyre gjatë sulmeve në Gazë. Norvegjia vendosi të shesë aksionet e veta në firmën "Elbit Systems", kompani izraelite e cila është e përfshirë në ndërtimin e murit ndarës në Bregun Perëndimor. Ministri i Jashtëm i Suedisë befas anuloi vizitën e tij në Izrael, për shkak të grindjes rreth artikullit të publikuar në një gazetë suedeze, në të cilën ushtarët izraelitë u akuzuan për trafikim të organeve të nxjerra nga kufomat e palestinezëve të vrarë. Qeveritë europiane kurrë nuk kanë mbështetur kolonitë izraelite, por gjatë muajve të kaluar kritikat janë ashpërsuar dukshëm.

Retorika më e ashpër e europianëve është në përputhje me qëndrimin e ri të SHBA-së, me ç‘rast administrata e re në Uashington ka devijuar nga kursi i përkrahjes së pa-rezervë për Izraelin. Administrata e Barack Obama-s ka dënuar fuqishëm planin më të ri të Izraelit për aktivitetet e reja nëpër koloni. "Pas një kohe të gjatë, Europa dhe Uashingtoni për herë të parë po flasin me një zë", theksoi Yossi Mekelberg, drejtor i programit për marrëdhënie ndërkombëtare në Regent College, me seli në Londër. Me gjithë trysninë e shtuar, disa qeveri europiane po bëjnë përpjekje që marrëdhëniet me Izraelin t‘i mbajnë sa më miqësore që është e mundshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›