E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Opozita kundër privatizimeve, me amendamentet e Hugo Çavezit

22-03-2012 / Gazeta 55

Kuvendi miraton me 71 vota, privatizimin e “Albpetrolit”. Opozita “kundër”, por tkurret në 48 vota


Kuvendi miratoi të mërkurën me 71 votat pro të maxhorancës dhe 48 vota kundër të opozitës ndryshimet ligjore që parashikojnë privatizimin e kompanisë së naftës “Albpetrol”. Gjatë debateve para votimit, Kryeministri Sali Berisha akuzoi opozitën, se është kundër privatizimeve dhe sipas tij, argumente e saj për amendamentet, janë amendamentet e huazuara nga Hugo Çavez, Presidenti i Venezuelës. “Ju kundërshtoni privatizimet me amendamentet e Hugo Çavesit, Presidenti i Venezuelës. Lidhjet tuaja me Çaves janë të hershme, që kur Arta Dade, ka marrë pjesë në përurimin e tij si President, para se ta kuptonit se ishte një diktator”, ju drejtua Berisha, midis të tjerave, deputetëve të opozitës. Pas 6 orë debatesh të ashpra parlamenti kaloi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7746, datë 28. 07. 1993, ‘Për hidrokarburet (kërkim dhe prodhim)’”. Kryeministri Sali Berisha, duke mbrojtur draftin e qeverisë, ftoi opozitën të mos kundërshtojë privatizimin e “Albpetrolit”, pasi përmes tij maksimizohet vlera potenciale e hidrokarbureve. Sipas Kryeministrit Berisha, “Albpetrol” jep mundësi të mëdha që potencialet e hidrokarbureve të vendit të shndërrohen në konto për qytetarët shqiptarë dhe projektet më të mëdha infrastrukturore. “Shteti shqiptar gjatë këtyre 20 viteve ka bërë hapa të mëdha drejt angazhimit të kompanive të mëdha botërore të naftës, të cilat faktikisht janë të pranishme në të gjitha vendet naftëmbajtëse përfshi këtu dhe shtete më të  fuqishme të botës siç janë SHBA-të. Kështu në gjirin e Teksasit nuk ishte ndërmarrja publike amerikane, por ishte British Petroleum”, u shpreh Berisha. Gjatë debatit që u zhvillua para votimit për privatizimin e kompanisë së naftës “Albpetrol”, Kryeministri nënvizoi se qeveria po bën gjithçka që pasuritë e mëdha potenciale të vendit të mund të shndërrohen në vlera për shqiptarët. “Ne me këtë akt po bëjmë gjithçka që pasuritë e mëdha potenciale të mund të shndërrohen në vlera për shqiptarët, po bëjmë që këto pasuri të mund të administrohen në mënyrën më transparente dhe më eficente. Unë  ndoqa disa nga diskutantët. Dua tu them vetëm, kujdes zotërinj se janë bërë kaq vite dhe përsëri nuk keni hequr dot etiketën ‘Partia e naftës’. Nafta nuk është e partive, nafta është e qytetarëve, është pasuri e madhe kombëtare dhe jo pasuri partiake. Nuk janë trena që përmbyseshin nga deputetët tuaj në këtë sallë, të  cilët nuk shkojnë dot më  në vendlindjen e tyre vetëm për shkak të naftës. Ka që në 2005 dhe prape partisë së naftës i vjen era naftë. Prandaj e kundërshtoni privatizimin”, u shpreh kreu i qeverisë. Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës që kundërshtojnë privatizimin e kësaj kompanie, Berisha tha se projektligji nuk ka arsye të paragjykohet pasi ai nuk bën gjë tjetër veçse përpiqet të maksimizojë vlerën potenciale të hidrokarbureve në Shqipëri. “Përse paragjykoni ju? Ky është një ligj i cili s’bën gjë tjetër veçse përpiqet të maksimizojë vlerën potenciale të hidrokarbureve  në Shqipëri. Dhe është potenciale sepse vlerën reale është privatizuar me kohë. Ato janë marrëveshje të  firmosura nga ju, të mbajtura nga ne dhe të respektuara plotësisht nga ne. Nuk duhet të ngriheni kundër privatizimeve sepse e gjithë Evropa po kërkon sot privatizime për të mbrojtur ekonomitë nga kriza, sepse menaxhimi privat është më kompetitiv në Europë, se sa ai shtetëror”, ju drejtua Kryemsitri deputetëve të opozitës. Kryeministri nënvizoi se opozita nuk duhet të ngrihet kundër privatizimeve, pasi e gjithë Europa po kërkon sot privatizime për të mbrojtur ekonomitë nga kriza, sepse menaxhimi privat është më kompetitiv se sa ai shtetëror. “Unë nuk them se kapitalizmi shtetëror nuk funksionon, funksionon por jo në Shqipëri. Kapitalizmi shtetëror ka qenë një histori suksesi në Itali, por prapë Italia po ecën drejt privatizimeve. Kina është pa diskutim histori suksesi në kapitalizmin shtetëror, por problemi është se ju këndoni kor kinez këtu dhe jo nocionet ekonomike. Në  Europë ka fituar kjo formë e privatizimit dhe ne po përshtatemi. Është e vërtetë që funksionon kapitalizmi shtetëror, në Kinë, në Vietnam, ka funksionuar në Itali, ka funksionuar në një seri vendesh, por Europa po i  largohet kapitalizmit shtetëror në mënyrën më të shpejtë. Atëherë ç’të bëjmë ne? Ta mbajmë në mënyrë që tu devijohen trenat, tu rrëzohen deputetët bashkë me trenat. Kjo nuk do të ndodhë më”, u shpreh Berisha. Ai i bëri thirrje deputetëve të opozitës që ta votojnë projektligjin për privatizimin e Albpetrolit, si  dëshmi e vullnetit që nafta shqiptare të kthehet në mirësi për qytetarët shqiptarë. “Ju ftoj ta votoni këtë ligj si dëshmi e vullnetit që nafta shqiptare të kthehet në mirësi për qytetarët shqiptarë. Si dëshmi e asaj që doni me çdo kusht që të ketë procedura transparente ligjore, si dëshmi e asaj që nuk refuzoni ato, të cilat nuk mund të refuzohen, që kanë konsultën më të mirë  kombëtare. Si dëshmi e asaj që nuk mbron interesa të caktuara lobiste por mbroni interesa të vendit. Votoni që të faktoni këto”, përfundoi Berisha. Grupi i deputetëve të PS-së votoi kundër projektligjit, duke akuzuar qeverinë për mungesë transparence. Sipas opozitës, argumentet e dhëna për këtë privatizim nuk janë bindëse. Gjatë seancës së sotme Kuvendi miratoi me 111 vota projektligjin “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›